E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova siguron përkrahje nga vendet arabe

Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Lulzim Mjeku dhe i ngarkuari me punë i Republikës së Kosovës në Arabinë Saudite Rexhep Boja zhvilluan nje takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Jordanisë, Katarit dhe të Mbretërisë së Bahreinit.
 

Në takimin me ministrin e Jashtëm të Jordanisë, Nasser Judeh dhe me sekretarin e përgjithshëm të MPJ-së, Mohamed Ali Daher, delegacioni i Republikës së Kosovës prezantoi pasqyrën e përgjithshme të politikës së jashtme të Kosovës.
Jordania ka kontribuuar jo vetëm me njohje, por edhe me qëndrimin e saj në mbrojtje të shtetit të pavarur të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
 

Drejtori i Përgjithshëm Mjeku dhe i ngarkuari me punë Boja, në këtë vazhdë vizituan Ministrinë e Punëve të Jashtme të Katarit, ku u pritën nga drejtori i Departamentit për Çështje Evropiane dhe Amerikane, ambasadorin Adel Ali Al Khal.
Palët ndër të tjera thuhet se biseduan edhe për format e bashkëpunimit të mëtejmë në marrëdhëniet e tyre bilaterale.
Delegacioni i Kosovës zhvilloi një takim edhe në Mbretërinë e Bahreinit, në kryeqytetin Manama, ku u prit nga Abdulla Abdullatif Abdulla, nënsekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ambasadori Dhafer Alumran, drejtor i Departamentit për Çështje Bilaterale.
Delegacioni i Kosovës u takua me nënsekretarin e MPJ-së Abdulla Abdullatif Abdulla.
 

Delegacioni i Kosovës bëri një paraqitje të pasqyrës së shtetit, ekonomisë dhe shoqërisë së Kosovës, duke shfaqur falënderimin e institucioneve të Kosovës për njohjen nga Bahreini. Nënsekretari Abdulla u zotua se Bahreini do të ofrojë edhe në të ardhmen përkrahjen e vazhdueshme për Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës.
 

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›