Investimet publike do të menaxhohen nga MAP-ja

Zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar nënshkruan një memorandum mirëkuptimi. Ky memorandum mirëkuptimi ka për qëllim bartjen dhe transferimin e projekteve kapitale të planifikuara për ndërtim dhe që janë në bashkëfinancim nga Ministria e Drejtësisë dhe Komisioni Evropian, në Ministrinë e Administratës Publike.
Pas nënshkrimit të memorandumit, Kuçi njoftoi se kanë arritur marrëveshje me ministrin Yagcilar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të largohet nga kontejnerët dhe të vendoset në tri kate të objektit ku ka qëndruar OSBE, aty ku gjendet tani edhe Këshilli i Kosovës.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se investimet publike në të ardhmen do të menaxhohen nga Ministria që ai drejton.