E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX i kthehet punës

EULEX-i rifilloi luftën kundër korrupsionit. Në aksionin e parë për këtë vit, ky mision bastisi katër kompani që kanë lidhje me një hetim për tenderë të dyshimtë, në të cilët është e përfshirë edhe Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Në aksionin e së martës janë bastisur edhe dy kompani, të cilat dyshohen se kanë lidhje me një tender në komunën e Gjilanit. Nga Nexhmije Ahmeti & Lirita Halili më 19 janar 2011 në ora 08:26

Kryeprokurorit të EULEX-it duket se po i dalin fjalët. Holandezi Johanes van Vreeswijk, kryeprokuror i misionit evropian për sundim të ligjit, në muajin qershor të vitit të kaluar pati premtuar se fillimi i vitit 2011 do të jetë vit i korrjes së asaj çka ka mbjellë. E të martën herët në mëngjes, aksionet e EULEX-it gati si korrje nisën sërish, edhe pse as kësaj radhe nuk pati arrestime, vetëm bastisje.

Ndonëse nuk u bastis asnjë institucion qeveritar, ky kontroll prapë ka të bëjë me institucionet qeveritare. Edhe kësaj radhe gjithçka lidhet me Ministrinë e Transportit. Katër kompanitë e bastisura, për të cilat policia e EULEX-i nuk jep asnjë detaj, janë kontrolluar në lidhje me hetimin për një tender të dyshimtë në të cilin është e përfshirë edhe Ministria e Transportit, e cila në tri vitet e fundit është udhëhequr nga Fatmir Limaj.

Ndonëse askush në policinë e EULEX-it nuk jep detaje për emrat e kompanive që janë bastisur, burime të gazetës nga Prokuroria Speciale e Kosovës japin emrat e disa nga kompanive në Gjilan dhe vendet tjera. “Bejta Comerce”, pronarë të së cilës janë vëllezërit Kqiku, e që merret me ndërtim të rrugëve, nxjerrje t zhavorrit dhe rërës, është bastisur të martën. Po ashtu edhe “Zuka Comerce” me pronar Muhadin Zuka. Burime të Expressit po ashtu bëjnë të ditur se janë bastisur edhe kompania ndërtimore “Asfalt”, Magjistrala, “Tali” dhe “Graniti”.

Kështu, pa dhënë shumë detaje, EULEX-i njoftoi se policia e këtij misioni të martën ka pasur një aksion të bastisjeve të disa kompanive në rajone të ndryshme të Kosovës.“Departamenti ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur katër kompani nëpër vende të ndryshme në Kosovë; Prishtinë, rajon të Pejës dhe në Prizren, në lidhje me një hetim për një tender të dyshimtë, ku është e përfshirë Ministria e Transportit dhe Postë Telekomunikacionit”, tha zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes. Sipas zëdhënëses, bastisjet janë autorizuar nga gjykatësi i EULEX-it si procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Po të martën policia e EULEX-it ka kryer një aksion të bastisjeve të dy kompanive në Gjilan. “Edhe këto dy kompani kanë lidhje me një hetim tjetër për tenderë të dyshimtë në komunën e Gjilanit”, tha zëdhënësja Herodes. Bastisja në Gjilan është autorizuar nga gjykatësi i EULEX-it i procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Gjilan. Të dy hetimet për korrupsion janë nën mbikëqyrjen e Prokurorisë Speciale të Kosovës (SPRK). Aksioni ka filluar në orët e hershme të mëngjesit të së martës për të përfunduar gjatë ditës, pas orës 15. Katër kompanitë në tri rajonet, Prishtinë Pejë dhe Prizren, dyshohen në lidhje edhe me Ministrinë e Transportit, ndërsa dy bastisjet tjera që janë bërë në Gjilan, kanë lidhje me një hetim për një tender të dyshimtë që ka të bëjë me komunën e Gjilanit.

Më 28 prill të këtij viti, EULEX-i ka bastisur Ministrinë e Transportit, si dhe të gjitha pronat e familjes Limaj në Prishtinë dhe Malishevë. EULEX ka sqaruar se në lidhje me këtë rast janë hetuar tenderët për rrugë që nga vitit 2007 deri më 2009.

Përveç ministrit Limaj, po hetohet edhe shefi i Prokurimit në Ministri, Nexhat Krasniqi, si dhe zyrtarë tjerë të Ministrisë së Transportit. Njëri nga ta Gani Zogaj, IT në Administratën Publike ishte arrestuar nga policia e EULEX-it nën dyshimin se ai ka penguar provat lidhur me rastin e MTPT-së. Zogaj dyshohet se gjatë bastisjeve në Ministrinë e Transportit në muajin prill nën direktivat e disa personave ka fshirë disa serverë të kësaj Ministrie. Një ditë më pas, Zogaj është liruar nga arresti, por hetimet ndaj tij nuk kanë pushuar.

Kompanitë e bastisura
EULEX-i ka bastisur këto kompani që merren me ndërtimin e rrugëve: “Asfalti” nga Peja, “Magjistrala”, “Tali”, “Bejta Comerce, “Zuka Commerc” dhe “Graniti”.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›