Targa të përkohshme për serbët e Kosovës
Në të gjitha pikat kufitare, që nga dita e premte, ka filluar dhënia e targave të përkohshme për makinat të cilat janë regjistruar në Serbi, e që janë me targa të qyteteve të Kosovës.
Serbët duhet çdo javë të shkojnë në pikën kufitare për t’i vazhduar regjistrimet e përkohshme, pasi që kjo është zgjidhja e vetme në mënyrë që t’iu shmangen dënimeve.
Lajmin për lëshimin e përkohshëm të targave në pikat kufitare të Kosovës e ka konfirmuar edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi.
Sipas tij, targat e përkohshme mund të merren në të gjitha pikat kufitare të Kosovës, për to nuk duhet paguar dhe se afati i tyre është vetëm 5 ditë.
Në anën tjetër, i ashtuquajturi kryetar i Qarkut të Mitrovicës, Radenko Nedelkoviq ka thënë se ky është një maltretim për qytetarët serbë dhe të tjerë. Ai u ka bërë thirrje banorëve serbë të veriut që të mos marrin këto targa të përkohshme, të cilat janë duke u lëshuar nga institucionet e Kosovës.
“Apeloj tek serbët dhe jo shqiptarët, që të mos marrin targa të përkohshme dhe të mos maltretohen, sepse kjo është pasojë e një vendimi që ka për qëllim destabilizimin e veriut”, ka thënë Nedelkoviq.