Na hetoni
Kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi i është përgjigjur edhe zyrtarisht Këshillit të Europës për raportin e raportuesit të këtij institucioni, zviceranit Dick Marty.
Thaçi ka dërguar një letër në adresë të Thorbjorn Jagland, Sekretar Gjeneral i Këshillit të Europës, ku u ka bërë thirrje “të gjitha autoriteteve kompetente, në veçanti EULEX’it, që të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur”.
Në letrën e cila mban datën 13 të këtij muaji, të cilën e ka siguruar Gazeta Express, Kryeministri Thaçi kërkon hapjen e hetimeve rreth akuzave të Martyt.
“Po ju shkruaj këtë letër si përgjigje ndaj raportit të Asamblesë mbi “Trajtimin Johuman të Njerëzve dhe Trafikimin Ilegal të Organeve Njerëzore në Kosovë” të përgatitur nga raportuesi i Asamblesë, senatori Dick Marty. Duke pasur parasysh se draft-raporti përmban një numër të akuzave serioze, unë besoj se këto pohime nuk duhet të mbeten pa përgjigje. Për këtë arsye, si qenie njerëzore dhe si Kryeministër i Republikës së Kosovës, shfrytëzoj rastin që t’u bëjë thirrje të gjitha autoriteteve kompetente, në veçanti EULEX’it, të bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbuluar se çfarë ka ndodhur”, ka shkruar Thaçi.
“Kështu që unë konsideroj se është e një rëndësie të madhe që hetimet të fillojnë sa më parë që është e mundur”, thuhet në letrën e cila mban firmën e Thaçit.
Kryeministri në largim ka ofruar bashkëpunimin e Qeverisë së Kosovës kur të bëhen hetimet.
“Për më tepër, unë fuqishëm ofroj të gjitha garancitë se Qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë plotësisht në lidhje me hetimet e udhëhequra nga EULEX’i rreth këtyre pohimeve”, vazhdon letra.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në Express...