E Shtunë, 31 Tetor 2026

Monopol i liberalizuar

Sqarimi i BQK`së lidhur me tarifat e sigurimit të detyrueshëm nga auto-përgjegjësia inkurajon kompanitë e sigurimeve t’ia grahin me monopol. Ky institucion këtë marifet e quan liberalizim të kontrolluar, derisa në të njëjtën kohë pranon se kompanitë kanë krijuar rehati në aspektin e konkurrencës dhe pasivitet në shërbime. Nga Agon Sinanaj më 19 janar 2011 në ora 08:30

Banka Qendrore e Kosovës le që nuk po i zbaton vendimet e organeve shtetërorë për shfuqizimin e monopolit në tregun e sigurimeve, por ka filluar edhe t’i inkurajoj kompanitë e sigurimeve që t’ia grahin me monopol. Rasti i fundit është me një sqarim të këtij institucioni lidhur me tarifat e sigurimit të detyrueshëm nga auto-përgjegjësia. Në njërën anë BQK pranon se kompanitë e sigurimeve në Kosovë kanë krijuar rehati në aspektin e konkurrencës dhe pasivitet në shërbime, derisa në anën tjetër, krejt këtë marifet e emërton si liberalizim të kontrolluar.

Madje, në këtë sqarim Drejtorati i mbikëqyrjes se sigurimeve deklaron se edhe po të ishte liberalizim i plotë, Banka Qendrore kaq mund të bëjë. Pra, caktimin e një kufiri minimal të rezervës së primit. “BQK-ja në mënyrë të vazhdueshme mbikëqyr procesin e liberalizimit të kontrolluar të tarifave, proces i cili në parim nuk dallon shumë nga procesi i liberalizimit të plotë, duke pasur parasysh se autoriteti mbikëqyrës, si në rastin e parë ashtu edhe në të dytin, cakton një kufi minimal të rezervës së primit”, thuhet në këtë sqarim.

Por, nëse shikohet ligji dhe rregulloret e Bankës Qendrore, kompetencat nuk janë edhe aq minimale. Me ligj, BQK përcaktohet si autoritet mbikëqyrës i sektorit bankar dhe tregut të sigurimeve. Kompetencat e saj shkojnë aq larg, sa mund edhe t’ia marrë licencën një kompanie nëse shkelet ligji.
Megjithatë, kjo nuk ka ndodhur asnjëherë. Madje, edhe në ato raste kur vendimet e organeve shtetërore kanë konstatuar monopol. Bëhet fjalë për vendimin e Komisionit për Konkurrencë, me të cilin u konstatua monopol me rastin e çmimeve dhe shitjes se policave kufitare. Një vit pas këtij vendimi, kompanitë e sigurimeve vazhdojnë ta shesin policen kufitare si tarife unike. Por, Komisioni nuk u ndal me kaq. Dënoi me 1 milion euro kompanitë. Tash jo për policat kufitare, por ato të brendshme nga auto-përgjegjësia - TPL. Bazë për marrjen e këtij vendimi ishin sërish mbajtja e tarifave fikse.

Por, se tarifat janë unike, këtë nuk e përjashton as BQK-ja.

“Të gjitha kompanitë e sigurimeve që ofrojnë sigurimin e detyrueshëm të auto-përgjegjësisë kanë qenë të obliguara që të kenë tarifa unike të përcaktuara nga BPK, efektive nga data 1 korrik 2001”, thuhet në sqarim. Komisioni konstatoi se me aplikimin e tarifave fikse, BQK ka pamundësuar konkurrencën mes kompanive.

Për më tepër, për të njëjtin sigurim, vitin e kaluar, me kërkesë të kompanive të sigurimeve, Banka Qendrore e Kosovës ngriti tarifat nga TPL-ja e thjeshtë për 20 për qind. Kërkesën për rritje të çmimeve kompanitë e patën arsyetuar me faktin se është rritur numri i dëmeve. Madje, me mundësinë që sërish t’i rrisin tarifat.

Ndryshe, me gjithë këto konstatime të Komisionit për Konkurrencë, Banka Qendrore gjithashtu deklaron se gjatë vitit 2008, pas një konsultimi të gjerë me industrinë e sigurimeve dhe në konsultim me institucionet ndërkombëtare financiare, është filluar me liberalizim të kontrolluar të primeve të kësaj klase të sigurimeve. Kompanitë e sigurimeve kanë të drejtë të aplikojnë më së shumti dy herë brenda vitit për ndryshimin e primeve, kurse BQK-ja brenda 30 ditësh vendos për aprovimin apo jo të tarifave të propozuara. “Aktualisht, tarifat e sigurimeve të detyrueshme të auto-përgjegjësisë të kompanive të sigurimeve në Kosovë nuk janë tërësisht unike dhe dallojnë te grupet tarifore 4, 5 dhe 6”, thuhet nder të tjera në sqarimin e BQK-së.

Në fund të këtij sqarimi thuhet se është përgatitur draft-ligji mbi sigurimin e detyrueshëm nga auto-përgjegjësia, dhe se i njëjti është dërguar në Kuvend për aprovim.

Rregulli 3 i BQK`së

Çdo person që nuk ka dëshmi të sigurimit, nga neni 3.2, paragrafi 1 i kësaj rregulle, duhet të lidhë kontratë sigurimi të detyrueshëm kufitar të auto-përgjegjësisë valide për territorin e Kosovës me një kompani vendore të sigurimit të licencuar dhe të autorizuar. Polisa e sigurimit kufitar nga auto-përgjegjësia mund të shitet vetëm sipas marrëveshjes së pool-it, e cila është e aprovuar nga BQK-ja. Është e ndaluar që ndonjë kompani sigurimi në mënyrë individuale të shesë polisën e sigurimit kufitar nga auto-përgjegjësia. Mbikëqyrja e përmbushjes së detyrimeve nga vozitësit e automjeteve me targa të huaja, sipas këtij neni, do të bëhet nga policia.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›