E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX i reduktuar, edhe 2 vjet mandat

Komandanti për Operacione Civile të BE së, Hansjoerg Haber, ka thënë se rezultatet nga Rishikimi Strategjik për EULEX-in, do të çojnë drejt një misioni “më të fuqishëm, më të sigurtë dhe më efikas”.

Kështu është shprehur Haber gjatë vizitës së tij në Kosovë, ku i është drejtuar stafit të EULEX-it dhe po ashtu ka informuar autoritetet e Kosovës për detajet e Rishikimit, i cili pritet të përfundojë së shpejti.
Tashmë dihet se EULEX-i do të ketë një konfigurim përmbajtësor. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dëshirojnë të vazhdojnë mandatin edhe për dy vite.

Do të ketë zvogëlim të numrit të stafit ndërkombëtar dhe atij vendor, veçanërisht në fushën e policisë dhe të doganës. Puna do të përqendrohet në fushën e drejtësisë, veçanërisht përmes mandatit ekzekutiv të EULEX-it. Pritet që të ketë edhe burime shtesë të cilat do të vendosen në pjesën veriore të Kosovës.

“EULEX i ka bërë një punë të shkëlqyer. Porse, ndërrimi i rrethanave nënkupton edhe ndërrimin e prioriteteve. Institucionet e Kosovës kanë arritur një progres të rëndësishëm disa fusha të sundimit të ligjit, prandaj misioni i EULEX it duhet të reflektojë në pajtim me këtë progres. EULEX i do të rifokusojë prioritetet e veta, do të rikonfigurohet dhe do të bëhet më i fuqishëm, më i sigurt dhe më efikas”, vlerësoi Haber.
Ndërsa për shefin e Misionit EULEX, Ksavie dë Marnak, mbeten ende sfida për tu përballur.

“Progres i mirëfilltë është arritur nga institucionet e Kosovës. Ky realitet i ri duhet të pranohet. Mirëpo ende mbeten sfida, veçanërisht në fushën e gjyqësorit. Ne do të dyfishojmë përpjekjet tona në këtë fushë dhe do të pajisemi më mirë për tu përballur me këto sfida”, tha Dë Marnak.

Ndryshimet në EULEX do të fillojnë të implementohen pas datës 14 qershor 2012, kur pritet të hyjë në fuqi mandati i ri. / Kosova.com

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›