Pengmarrja e rrallë në Tiranë, në gjyq autori

Prokuroria e Tiranës
Prokuroria e Tiranës përfundon hetimet dhe dërgon në gjykatë Martin (Aleksandër) Tushën, me akuzën e heqjes së paligjshme të lirisë dhe vjedhjes me dhunë. Ngjarja për të cilën akuzohet i pandehuri ka ndodhur më 11 nëntor 2011. I dëmtuari E. Çullhaj, pronar dhe punonjës i një mobilierie, ka shkuar për një portmonto në banesën e të akuzuarit në katin e shtatë të një pallati në zonën Ali Demi. Pasi kanë hyrë në banesë dy personat, i akuzuari i ka lidhur dhe pasi i ka shtrirë në tokë, u ka bërë kontroll në xhepa duke u marrë të gjithë sendet personale që kishin me vete. Më pas ai i ka kërkuar para secilit nga një shumë të caktuar. Shtetasit Aliko H. i janë kërkuar 10 000 euro dhe kur ai nuk ka pranuar, i akuzuari e ka rrahur e madje i ka lëshuar një qen që mbante në shtëpi për ta kafshuar. Më pas, dy të rrëmbyerit janë zhveshur nga i akuzuari, i cili i ka lidhur te disa karrige kashte të ndodhura në papafingo, ku u ka dhënë ilaçe për ti vënë gjumë. Të nesërmen, pasi ata janë ngritur nga gjumi, i akuzuari i ka lënë të lirë duke u marrë sasinë e parave që ata kishin me vete si dhe çelësat e automjetit të cilin ata e kishin të punës.