Rama: Diplomat e universiteteve private, si letra me vlerë
Arsimi shqiptar nuk ka njohur ndonjëherë ditë më të këqija se këto të politizimit e të barbarizmit të jetës në shkollë, tha kryetari i PS-së Edi Rama në tryezën e organizuar nga socialistët për arsimin. Në ditën e festës së mësuesve, kreu socialist Edi Rama akuzoi qeverinë se po degradon sistemin arsimor në Shqipëri dhe premtoi se me ardhjen e PS në pushtet do të ketë një politikë tërësisht të kundërt për arsimin, me atë që Rama e quajti qeverisje injorante të Sali Berishës. Rama tha se sistemi arsimor shqiptar ka arritur pikën fundore të degradimit me zhdukjen e konkurrencës e të meritës në emërime. Duke e përqeshur mendimin e botës universitare, duke e shkatërruar de facto autonominë e saj, duke i shqyer dyert e universiteteve dhe duke hapur çdo muaj universitete e fakultete publike e private ku mundet nëpër Shqipëri, pa asnjë vizion afatgjatë për shoqërinë e për ekonominë shqiptare, asnjë konstrukt konceptual të gjeografisë së shpërndarjes së fushave të studimit në zona të ndryshme të vendit, pa asnjë objektiv tjetër përveç shmangies medoemos së përballjes me papunësinë rinore në rritje, kjo qeveri ka vulosur kapitullin më të zymtë të politikës arsimore dy dekada tranzicion. Të kuptohemi qartë, ne nuk kemi asgjë kundër universiteteve private e as kundër çfarëdo nisme e aktiviteti privat. Madje i shohim me admirim shembujt që kanë sjellë risi e zhvillim në këtë drejtim dhe do të jemi promotorë të një politike stimuluese e mbështetëse të këtyre shembujve, ndryshe nga çbën qeveria e sotme, e cila rrit numrin e tyre pa asnjë standard e kriter duke krijuar gropa që vetëm thithin para nga familjet shqiptare, konkurrojnë krejt pandershmërisht me të tjerët duke pranuar studentë e dhënë diploma jo mbi meritën, po mbi lekun, institucionalizojnë rënien e shtetit dhe boshllëkun pa asnjë rregull në hapësirën më delikate të përgjegjësive të vetë shtetit që është arsimi, tha Rama.
I bindur se vitin e ardhshëm do të jetë PS në pushtet, Rama u shpreh se socialistët do të marrin përsipër një barrë të rëndë, atë të kthesës historike nga ky drejtim i paditur, që sipas tij po e çon arsimin qeverisja aktuale. Liberalizmi pa asnjë rregull dhe thellësisht i korruptuat në arsim është një thikë në shpinën e prindërve shqiptarë që investojnë kohë, energji dhe kursime të nxjerra mënjanë, duke hequr shpeshherë edhe nga buka e gojës, për tu dhënë një diplomë fëmijëve të tyre. Diplomat e marra në universitetet dyershqyera të kësaj qeverie që po lë tokë të djegur në çdo sektor, janë rëndom si ato letrat e dikurshme me vlerë që nuk u hynë asnjëherë në punë shqiptarëve, ndërsa studentët e studentet e kësaj kohe injorantësh në pushtet, nesër do të shtojnë frikshëm numrin e të papunëve me diplomë e për pasojë, edhe kontingjentin e të rejave dhe të rinjve që do të duan ta braktisin atdheun. Ky liberalizim pa asnjë princip, standard e rregull, jo vetëm ka krijuar iluzionin e rremë të arsimimit të lartë 100% të të rinjve, po edhe ka rrafshuar dy vlera themelore për një jetë universitare që zhvillohet në kuadrin e një shoqërie të tregut të lirë: Konkurrencën si mekanizëm i patjetërsueshëm i zhvillimit e përparimit dhe meritën si një vlerë e patjetërsueshme e krijuar nga konkurrenca. Mëson smëson, shkon nuk shkon në leksion, thua gjë a sthua gjë kur pyetesh, nuk ka asnjë dallim të përgjithshëm për të nesërmen. Dallimin e përgjithshëm e bëjnë në fund tarafllëku, bakshishi dhe fijet e klientelave politike, tha Rama.
