E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX-i sot nis punën në Kosovë

Që nga dita e sotme misioni i BE-së, EULEX do të fillojë të zbatojë misionin e tij përgjatë tërë territorit të Kosovës, ka bërë të ditur shefi i këtij misioni, Yves de Kermabon."Që nga mëngjesi i 9 dhjetorit, ne do të jemi prezent në veri, jug, lindje dhe në perëndim të Kosovës. Në veri për shembull, do t'i kemi më shumë se 100 njerëz në terren, përfshirë këtu policët, prokurorët, gjykatësit, policinë kufitare dhe doganat", ka deklaruar me këtë rast Kermbabon, njofton Zyra për informim e EULEX-it.Po ashtu në komunikatën e kësaj zyre potencohet se, me pak a shumë rreth 1.400 vetë nga personali ndërkombëtar dhe disa qindra të personelit lokal EULEX-i do ta ketë në dispozicion numrin e nevojshëm të personelit për operim fillestar.Sipas komunikatës në fjalë, bëhet e ditur se EULEX-i do të vazhdojë të konsolidohet gjatë javëve dhe muajve në vijim, derisa të arrijë strukturën e plotë operative, në fund të dimrit. Kermabon është shprehur se, që nga kjo datë (9 dhjetor), UNMIK-u do të shuhet ndërsa do të aktivizohet EULEX-i. "Ne do ta kemi përgjegjësinë për sundimin e ligjit, kryesisht me anë të misionit tonë asistues në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kosovare", është shprehur Kermabon.Gjatë ditës së sotme, zyrtarët më të lartë të EULEX-it do të inspektojnë në terren shtrirjen e këtij misioni, ndërsa shefi i tij do të zhvillojë takime me krerët më të lartë të vendit.Ndërkohë, duke e pasur parasysh situatën më të ndjeshme në veri të vendit, KFOR-i ka njoftuar se ka rritur masat e sigurisë në atë pjesë.Përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës thanë se do ta injorojnë misionin, por nuk do ta ndalojnë shtrirjen e tij. Autoritetet në Beograd ndërkaq, ripërsëritën qëndrimin se EULEX-i duhet të jetë i paanshëm ndaj statusit.Ndërkohë, udhëheqësit politikë në Kosovë thanë se misioni duhet të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës mbi bazën e Kushtetutës së saj dhe planit Ahtisaari. Misioni më i madh në historinë e BE-së, do të luaj rolin e këshillëdhënësit dhe mbikëqyrësit në fushën e drejtësisë, policisë e doganave në Kosovë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›