E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNMIK paralajmëron ndryshimin e rolit

Prishtinë - EULEX-i në periudhën e parë të veprimit pritet të nisë me kapacitete fillestare, të cilat pritet të plotësohen deri në pranverën e vitit të ardhshëm. Sfida kryesore me të cilën pritet të ballafaqohen policët, gjykatësit dhe prokurorët evropianë të EULEX-it, do të jetë çështja e veprimit të tyre në terren dhe përcaktimi i operimeve në kuadër të kornizave ligjore në Kosovë, të cilat vazhdojnë të jenë të ndryshme.

Beogradi zyrtar kishte kërkuar që EULEX-i të veprojë në kuadër të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa Prishtina zyrtare ka këmbëngulur që EULEX-i t'i zbatojë ligjet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, pavarësisht zonave të operimit në vend.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci, thotë se misioni për forcimin e sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian duhet t'i zbatojë ligjet e Kushtetutës së Kosovës.

"Roli i UNMIK-ut ka dy-tri vjet që është rol që nuk i është dashur Kosovës dhe qytetarëve tonë. Kemi pasur një stagnim dhe gati recesion ekonomik. EULEX-i duhet të jetë shumë i vetëdijshëm që është i mirëseardhur në Kosovë vetëm në qoftë se e respekton Kushtetutën e Kosovës, përndryshe nuk do të jetë mision që do të dallojë nga ajo dhe ne preferojmë që EULEX-i të jetë krejtësisht diçka ndryshe", u shpreh Daci.

Thirrjet dhe mesazhet e përfaqësuesve politikë të Kosovës për festën e Kurban Bajramit u përqendruan sidomos në mbajtjen e qetësisë, marrë parasysh dhe kundërshtimet e banorëve serbë të Kosovës për misionin EULEX. Sfida më e madhe për shtrirjen e plotë të këtij misioni vazhdon të jetë pjesa veriore e Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›