E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis sot shtrirja e EULEX në të gjithë Kosovën

Prishtinë -Që prej ditës së sotme, misioni i Bashkimit Evropian EULEX do të nisë të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës. Lajmi është konfirmuar nga shefi i këtij misioni Yves de Kermabon në një deklaratë për mediat.
“Që nga mëngjesi i 9 dhjetorit, ne do të jemi prezent në veri, jug, lindje dhe në perëndim të Kosovës. Në veri për shembull, do t’i kemi më shumë se 100 persona në terren, përfshirë këtu policët, prokurorët, gjykatësit, policinë kufitare dhe doganat”-tha Kermbabon.

Në komunikatë thuhet se pak a shumë rreth 1.400 vetë nga personali ndërkombëtar dhe disa qindra të personelit lokal EULEX-i do ta ketë në dispozicion numrin e nevojshëm të personelit për operim fillestar.

Sipas komunikatës bëhet e ditur se EULEX-i do të vazhdojë të konsolidohet gjatë javëve dhe muajve në vijim, derisa të arrijë strukturën e plotë operative, në fund të dimrit.

Kermabon është shprehur se, që nga kjo datë (9 dhjetor), UNMIK-u do të shuhet ndërsa do të aktivizohet EULEX-i. “Ne do ta kemi përgjegjësinë për sundimin e ligjit, kryesisht me anë të misionit tonë asistues në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet kosovare”, është shprehur Kermabon.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›