E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kallet veriu

Veriu i Kosovës është tensionuar sërish. Disa orë pasi Njësia Speciale është tërhequr nga atje, serbët kanë djegur dhe shkatërruar pikën kufitare në Jarinje. Situata është vënë nën kontroll nga KFOR’i. Kryeministri Hashim Thaçi ka fajësuar Beogradin dhe ka thënë se nuk do të ketë zbrapsje në vendosjen e rendit dhe ligjit. Nga Nebih Maxhuni më 28 korrik 2011 në ora 08:05

Ka eskaluar situata në Veri të Kosovës. Pika kufitare në Jarinje është djegur dhe shkatërruar të mërkurën mbrëma, disa orë pas tërheqjes së Njësisë Speciale.

Rreth orës 19, disa dhjetëra serbë, me kapela dhe maska kanë demoluar objektet në kufi dhe më pas kanë hedhur kokteje molotovi, duke ua vënë flakën. Paraprakisht, ata e kanë përzënë personelin nga aty, ndërkaq pas vënies së zjarrit pikën kufitare e kanë shkatërruar edhe me buldozer. Burime serbe kanë bërë të ditur se huliganët kanë ardhur nga Mitrovica dhe, sipas të gjitha gjasave, janë pjesëtarë të Gardës së Car Lazarit dhe Lëvizjes 1389. Huliganët serbë kanë hedhur kokteje molotovi edhe në bazën e KFOR-it, që gjendet rreth 100 metra larg pikës kufitare.

KFOR-i është kundërpërgjigjur me të shtëna në ajër. Ndërkohë, dhjetëra automjete të blinduara të kontingjetit gjerman të KFOR-it, të cilat për disa orë ishin të stacionuara te vendi i quajtur “Kërrshi i Dudës” në veri të Mitrovicës, i kanë thyer barrikadat e vëna nga serbët dhe janë nisur drejt Jarinjes.

Më pas atje kanë shkuar edhe ushtarët amerikanë, të cilët kanë bllokuar rrugën nga Jarinja drejt Mitrovicës, afër Leshakut. Policia e Kosovës dhe KFOR-i e kanë rrethuar me tela pikën kufitare. Agjencia e lajmeve Tanjug kishte njoftuar se i është vënë zjarri edhe pikës kufitare 31 në Brnjak, por më vonë e kishte tërhequr lajmin. Doganierët dhe policët shqiptarë të kësaj pike janë strehuar në tendat e KFOR-it.

Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler, ka konfirmuar se pas sulmit nga ekstremistët serbë në portën numër 1, forcat polake iu kanë kthyer atyre me ofenzivë. Gjatë një interviste për RTK, ai ka siguruar se situata është në kontroll dhe ka shtuar se askush nuk duhet të brengoset. “Kemi pasur disa sulme në Portën 1. Ekstremistët kanë ndezur raketa të dorës, është hapur zjarr ndaj kompanisë së KFOR-it dhe ka pasur të shtëna armësh. Kemi marrë ofensivë. Megjithatë situata është nën kontroll, edhe pse porta është djegur”, ka theksuar ai.

Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, në një fjalim drejtuar qytetarëve ka garantuar se në Veri do të kthehet rendi dhe ligji dhe se një asnjë rrethanë nuk do të ketë zbrapsje. “ Demokracia do të fitojë. E drejta është në anën tonë. Është në interesin e të gjithëve. Ju garantojmë se do ta kthejmë rendin dhe ligjin. Keni besim në ne. Ruani qetësinë. Në asnjë rrethanë nuk do të zmbrapsemi”, ka deklaruar ai.

Huliganët serbë kanë djegur pikën në Jarinje pasi policë e doganierë shqiptarë janë vendosur në kufi, të mërkurën. Ata janë dërguar atje me helikopterë të KFOR-it. Këto veprime i kanë revoltuar politikanët dhe qytetarët serbë të Veriut. Komandanti i KFOR-it, Erhard Buhler ka deklaruar gjatë ditës se në pikat kufitare gjenden “policë të rëndomtë”, shqiptarë dhe serbë. Pas një takimi me shefin e ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic dhe ministrin për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, ai i ka hedhur poshtë pohimet se KFOR-i ka bartur pjesëtarë të Njësisë Speciale në pikat kufitare, duke thënë se janë transportuar vetëm zyrtarë të rëndomtë policie. "Bëhet fjalë për policë shqiptarë dhe serbë, të cilët janë nga veriu dhe nga vende të tjera. Për mua ekziston vetëm një polici, sipas Rezolutës 1244. Nuk ekziston as policia shqiptare as serbe”, ka thënë ai.

Vendosja e doganierëve dhe policëve shqiptarë në dy pikat kufitare veriore është kundërshtuar ashpër nga Beogradi. Deklaratat e politikanëve serbë gjatë ditës kanë qenë mjaft nxitëse. Shefi i ekipit negociator serb, Borislav Stefanovic, ka thënë se në këtë mënyrë është thyer marrëveshja e arritur me KFOR-in për përbërjen etnike të personelit në pikat kufitare. Pas takimit me komandantin e KFOR-it, ai u është drejtuar serbëve të mbledhur afër Rudares. “KFOR-i nuk guxon të instrumentalizohet nga Qeveria e Prishtinës”, ka theksuar Stefanovic. Beogradi dhe serbët e Kosovës kërkojnë që në pikat kufitare të kthehen doganierët e EULEX-it dhe pjesëtarët serbë të Policisë së Kosovës.

Kryetari i Komunës paralele të Mitrovicës, Krstimir Pantic, u ka thënë gazetarëve se Buhler po dëgjon vetëm urdhrat e Hashim Thaçit dhe të komandës së NATO-s. “Shpresojmë që kësaj here Serbia të qëndrojë pas nesh, sepse ky është momenti i fundit që të mbrohet veriu i Kosovës”, ka theksuar ai.

Në Zubin Potok të mërkurën pasdite janë dëgjuar sirenat e alarmit dhe banorët vendas kanë filluar të mblidhen në numër të madh në bllokadat drejt pikës kufitare në Brnjak. Me arsyetimin se KFOR po i bart me helikopterë doganierët dhe policët shqiptarë në kufi, serbët sërish i kanë bllokuar dy rrugët kryesore në veri.

Gjatë ditës, Këshilli Komunal paralel në veri të Mitrovicës vendosi që, për shkak të rrethanave të krijuara, të shpallë gjendje të jashtëzakonshme dhe të kufizojë orarin e punës për dyqanet zejtare dhe objektet hoteliere në periudhën kohore prej orës 7 deri në 15. Burime të Kosovapress-it nga veriu kanë bërë të ditur se një vendim i tillë është marrë për shkak të pranisë sa më të madhe të qytetarëve serbë gjatë orëve të pasdites, por edhe të natës, në Rudare, Jarinje dhe në disa lokacione tjera të komunës së Zubin Potokut, ku janë të ngritura barrikadat. “Duhet të jemi syçelë dhe të bëjmë rojë në numër sa më të madh pranë këtyre pikave”, ka thënë njëri nga udhëheqësit e strukturave paralele.

Thaçi fajëson Qeverinë e Serbisë
Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se veprimet e dhunshme në Veri janë urdhëruar dhe organizuar nga strukturat më të larta të Qeverisë së Serbisë. “Pas kësaj djegie qëndron Beogradi”, ka deklaruar ai. Në fjalimin drejtuar qytetarëve, Thaçi ka theksuar, po ashtu, se grupi i organizuar kriminal që ka sulmuar pikat 1 dhe 31 ka qenë i udhëhequr nga autoritetet e Beogradit. “Ju siguroj dhe garantoj se nuk do të ketë asnjë kompromis. Reciprociteti do të instalohet. Aktualisht në këto momente kemi vështirësi dhe ballafaqime. Nuk do të tërhiqemi dhe nuk do të ketë kthim mbrapa. Kjo është toka jonë, vendi ynë. E drejta jonë kushtetuese dhe ligjore. Kosova është atdheu i të gjithë qytetarëve të Kosovës. Dua t’ju drejtohem dhe t’ju bëj apel që ta ruani qetësinë dhe të keni besim të plotë tek institucionet e Republikës dhe në KFOR-in, i cili është në mbështetje në përpjekjet tona për ruajtjen e rendit dhe qetësisë”, është shprehur Thaçi. Ai ka thënë se nuk do të bëhet kompromis me vandalistët. “Skenari i Serbisë për ndarjen e Kosovës nuk do të ndodhë kurrë dhe në asnjë rrethanë”. Kryeministri ka kërkuar nga qytetarët që ta ruajnë qetësinë dhe të kenë besim te institucionet. “Ky është momenti i së vërtetës për Kosovën, pas 12 vitesh. Ky është momenti i unitetit politik, qytetar. Vendimi për kthimin e rendin nuk është aksidental. Është veprim me plan dhe do të realizohet me përpikëri. Ne punojmë për hapje të kufijve, për kufij evropianë dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejojmë cenim”.

Gentilini: Duhet t’i kthehemi dialogut
Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë, Fernando Gentilini, nuk është marrë me akuzat e kryeministrit Hashim Thaçi drejtuar EULEX-it. Gjatë një prononcimi në KTV, ai ka dënuar aktet e dhunës dhe ka thënë se EULEX është i gatshëm t’i ndihmojë institucionet në këtë situatë. “Në çdo rast dhuna nuk do të tolerohet asnjëherë. Duhet t’i kthehemi dialogut dhe t’i zgjidhim çështjet përmes dialogut. Kjo është ajo se çfarë duhet të bëjnë tani të dy palët”, ka thënë Gentilini. Në fjalimin drejtuar qytetarëve, as Thaçi nuk e ka përmendur fare EULEX-in.

Stefanovic: Prishtina fitoi atë që e lypi
Presidenti i Serbisë, Boris Tadic ka bërë thirrje që dhuna të ndalet menjëherë. “Huliganët që shkaktojnë dhunë nuk mbrojnë as qytetarët, e as shtetin e Serbisë”, ka deklaruar ai. Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, është shprehur të jetë i shokuar me veprimin e huliganëve. Sipas tij, veprimet e tilla vetëm sa i vështirësojnë bisedimet me Prishtinën. Ndërkaq, sekretari shtetëror në këtë ministri, Oliver Ivanovic, ka thënë se ngjarja në Jarinje ka qenë e pritur, pasi që serbët nuk lejojnë që t’i poshtërojë askush. E Borislav Stefanovic, shef i ekipit negociator serb, ka thënë se pas kësaj që ka ndodhur, Prishtina ka fituar atë që pikërisht e ka dashur.

Sulmohen helikopterët e KFOR’it
Ndaj dy helikopterëve të KFOR’it është shtënë të mërkurën, derisa po transportonin doganierë shqiptarë drejt pikave kufitare. Sipas mediave kroate, sulmi ka ndodhur ndaj dy helikopterëve ushtarakë kroatë që veprojnë në kuadër të KFOR-it.
“U bëj thirrje të gjithëve që të mos e pengojnë punën e KFOR-it. Nuk e them këtë pa arsye, sepse në mëngjes është qëlluar drejt një helikopteri të KFOR-it”, ka deklaruar komandanti Erhard Buhler, por pa dhënë detaje për incidentin.

Bllokohet ura

Të mërkurën, vonë në mbrëmje, forca të mëdha të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it janë vendosur në Urën e Ibrit, që ndanë jugun nga veriu. Qarkullimi përmes urës është bllokuar, ndërkaq nuk janë bërë të ditura arsyet e këtyre përforcimeve policore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›