EULEX, misioni shënon 1-vjetorin në Kosovë
Misioni i EULEX-it në Kosovë, misioni më i madh civil që është miratuar ndonjëherë nga Bashkimi Europian, shënon sot përvjetorin e parë të punës në këtë vend. Misioni i shtrirë në tërë Kosovën, ka filluar të veprojë me 9 dhjetor 2008, ndërsa në muajin prill 2009 ka filluar të veprojë me kapacitetin e tij të plotë. Me rreth tremijë punonjës, EULEX-i po punon për të përmirësuar sundimin e ligjit në Kosovë, posaçërisht në fushën e Drejtësisë, Policisë dhe Doganës. "Pa dyshim, ky ka qenë një vit me sfida, por kemi patur një fillim të mbarë. Ne tashmë kemi arritur shumë suksese. Por ende kemi një rrugë të gjatë para nesh dhe ne duhet të qëndrojmë të vëmendshëm dhe të vendosur," deklaroi Shefi i misionit të EULEX-it, Yves de Kermabon. Njëri nga zhvillimet më të rëndësishme ka qenë raporti fillestar i përgatitur nga Zyra Programore e EULEX-it. Raporti i tyre i publikuar në verë 2009-të, ka qenë vlerësimi më gjithëpërfshirës që është bërë ndonjëherë për gjendjen në sistemin e drejtësisë, policisë dhe doganës së Kosovës. Bazuar në atë raport, dhe në të tjera misione, EULEX dhe institucionet vendore kanë paraqitur një gamë të tërë të projekteve në mënyrë që institucionet e Kosovës për sundim të ligjit mund të zhvillohen në muajt apo vitet në vijim. "Ne kemi punuar mjaft mirë me autoritetet vendore. Ashtu si ne, ata janë të përkushtuar në përmirësimin e sistemit të drejtësisë, policisë dhe doganës për t'i arritur standardet Europiane. "Ne shpresojmë të vazhdojmë këtë partneritet të rëndësishëm edhe në të ardhmen," deklaroi Yves de Kermabon.