E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX në hall me hetimin ndaj Limajt

Kanë mbetur edhe shtatë javë në dispozicion të Prokurorisë Speciale për të marrë një vendim lidhur me ngritjen e aktakuzës nën dyshimin për korrupsion ndaj ish-ministrit të Transportit, Fatmir Limaj, apo për të mbyllur këtë rast në mungesë të provave. Gazeta “Zëri” nga burime të saj të afërta me rastin, ka kuptuar se hetuesit që kanë punuar në këtë rast në bashkëpunim me prokurorin e ri të këtij rasti, janë në “siklet” të madh pak para përfundimit të afatit ligjor, pas të cilit nuk mund të zhvillohen hetime.

Kanë kaluar më shumë se 22 muaj që prej kur ky rast ka nisur të hetohet. Zyrtarë brenda kësaj prokurorie qartësojnë se fillimisht ishte menduar se ka shumë prova dhe se shpejt mund të vijë deri te ngritja e aktakuzës. Por, sipas burimeve të gazetës, me kalimin e muajve, ishte vërejtur se nuk ishte e tëra ashtu siç ishte menduar.

“Prokurori, i cili ka udhëhequr me këtë rast, është larguar para disa muajsh pikë së pari pse i skadoi mandati. Tashmë ka ardhur një prokuror i ri, i cili ka marrë këtë lëndë në duar dhe se fi llimisht i është dashur që të rishikojë se çfarë ka në rast në mënyrë që të shohë nëse ka elemente për të ngritur aktakuzë”, sqaron një burim i kësaj gazetë brenda EULEX-it.

Edhe në këto ditë burimet sqarojnë se hetuesit dhe dy prokurorët e angazhuar për ketë rast janë në fazën e rishikimit. “Nga ajo që është parë ka pak material që vështirë se do të çojë deri në ngritjen e aktakuzës. Edhe në qoftë se ngrihet aktakuza, nuk është se do të ngrihet aktakuza me prova relevante”, thotë më tej ky burim.

Ish-ministri i Transportit, tashmë deputet në Kuvendin e Kosovës, Fatmir Limaj, kishte nisur të hetohet për veprën penale të korrupsionit në prill të vitit 2010.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›