E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjëratat e Atifetes

Presidentja Atifete Jahjaga ka folur për në samitin “Women In the World”, ku ka tha se gruaja është forcë shtytëse e ndryshimeve në shoqëri. Presidentja gjatë qëndrimit në SHBA ka takuar ish-Sekretaren amerikane të shtetit, Madeleine Albright, ndërsa aktores Angelina Jolie i bëri një ftesë që të vizitojë Kosovën.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vazhduar vizitën në Amerikë dhe ka marrë pjesë në punimet e samitit “Women in the World”, që po i zhvillon punimet në New York të SHBA’së

Në fjalimin e saj, Presidentja ka thënë se gjatë periudhës së luftës në Kosovë gratë kanë qenë viktimë e dhunës, represionit dhe përdhunimit të cilën periudhë e kanë mbijetuar. Presidentja Jahjaga tha se gruaja është simbol i paqes dhe pajtimit dhe një forcë shtytëse e ndryshimeve dhe zhvillimit në shoqëri.

“Themel i sigurisë është gruaja ‘ sepse siguria e saj nënkupton siguri për fëmijët, siguri për familjen dhe siguri për shoqërinë në përgjithësi”, ka thënë Jahjaga.

Duke folur për barazinë gjinore dhe rolin e gruas lidere në botë, ajo ka deklaruar se gratë janë më eficiente dhe më të suksesshme si udhëheqëse dhe janë dëshmuar si vendimmarrëse të afta.

“Një nga këto tipare, sikundër e tha mbrëmë edhe ish sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, është se gruaja është dëgjuese më e vëmendshme, por ajo ka edhe aftësi më të mëdha interpersonale. Ato shumë më lehtë përballen me situatat e krizave dhe janë dëshmuar të jenë më të përgjegjshme dhe më llogaridhënëse”, ka deklaruar Jahjaga.

Veç kësaj, Presidentja Jahjaga, ditën e shtunë, në kuadër të samitit, do të marrë pjesë në panelin e diskutimit për “Lideret Gra Botërore” (Women World Leaders: Force Multipliers) në të cilin do të marrë pjesë edhe kryeministrja e Trinidad – Tobagos, Kamla Persan – Bissessar.

“Në panel së bashku me Presidenten Jahjaga morën pjesë edhe Janet Napolitano, sekretare në Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA’së, Jane Harman, drejtoreshë e Qendrës Woodrow Wilson dhe Cathie Lanier, shefe e Departamentit të Policisë Metropolitane në Distriktin e Kolumbisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në samit, ku po marrin pjesë afro 2000 pjesëmarrëse nga gjithë bota, do të diskutohen tema që kanë të bëjnë me sfidat globale të shekullit XXI dhe rolin e gruas në çështjen e sigurisë dhe lidershipit.

Në hapje të samitit, Presidentja Jahjaga takoi ish Sekretaren amerikane të Shtetit, zonjën Madeleine Albright, me të cilën bisedoi për çështjet aktuale për Kosovën

Sipas njoftimit të Presidencës, Jahjaga ka takuar edhe aktoren e njohur amerikane dhe njëkohësisht ambasadoren e vullnetit të mirë të OKB’së, Angelina Jolie, të cilën e ftoi që ta vizitojë Kosovën për të parë mundësitë e zhvillimit të kinematografisë në vend.

Jahjaga është liderja e vetme femër nga Ballkani e ftuar në këtë samit dhe në dy ditët e ardhshme do të flasë në panele për përvojat e saj në lidhje me ndikimin e gruas në sigurinë e vendit.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›