E Shtunë, 31 Tetor 2026

EULEX nënshkruan protokollin me Serbinë

Megjithë kundërshtimin e fortë të institucioneve të Kosovës, EULEX ka nënshkruar sot protokollin për bashkëpunim policor me Ministrinë e Jashtme të Serbisë.


Për EULEX-in, ka firmosur shefi i komponentës për polici të EULEX-it, Rainer Kuehn, njofton mediat e Kosovës. Nënshkrimin e marrëveshjes që e mban emrin "Protokoll për bashkëpunim policor" e konfirmoi Christophe Lamfalussy, shef i Zyrës për Informim në EULEX.


Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX) i ka njoftuar institucionet e Kosovës lidhur me marrëveshjen e sotme, e cila më herët gjatë ditës ishte nënshkruar edhe nga pala serbe.

Mijëra qytetarë pritet të vërshojnë rrugët e Prishtinës për të kundërshtuar këtë protokoll për bashkëpunim policor ndërmjet Serbisë dhe EULEX-it.

Protesta organizohet nga 22 OJF, të cilat së bashku u bëjnë thirrje qytetarëve që të mërkurën, më 16 shtator, të dalin në rrugë për t'i thënë jo nënshkrimit të këtij protokolli dhe protokolleve të tjera që EULEX ka paralajmëruar t'i nënshkruajë me Serbinë.

Lideri i Lëvizjes "Vetëvendosje!", Albin Kurti, tha se nënshkrimi i Protokollit ndërmjet EULEX-it dhe Serbisë është shumë i padrejtë dhe shumë i dëmshëm për Kosovën.

"EULEX-i është bërë agjent i shtimit dhe i trashjes së lidhjeve të varësisë së Kosovës me Serbinë", tha Kurti, për Express, pas lajmit se EULEX-i ka nënshkruar protokollin.

Ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës të organizohen e të mobilizohen kundër EULEX-it dhe protokolleve të tij, të cilat sipas tij, nuk do të ndalen vetëm me këtë bashkëpunimin policor. "Është e qartë se nuk mund të llogarisim në Qeverinë e cila duket që më të rëndësishme e konsideron vetveten sesa shtetin e Kosovës", u shpreh ai.

Kurti shtoi se 22 organizata u bashkuan për kundërshtimin e këtyre protokolleve dhe hipokrizisë së krerëve institucionalë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›