EULEX nuk e tërheq fletë- arrestin për Limajn
PRISHTINE- EULEX-i nuk e terheq flete-arrestimin per Fatmir Limajn, madje po kërkon forma legale për heqjen e pengesës për ta kapur. Mediat kosovare shkruajne sot se shefi i këtij misioni, Xavier de Marnhac, ka zbarkuar të premten në mëngjes në Zyrën e presidentit, Behgjet Pacolli, për të biseduar lidhur me mundësinë për heqjen e imunitetit të deputetit Limaj, i dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile dhe kundër të burgosurve.
Burime nga takimi kanë bërë me dije se shefi i EULEX-it ka kërkuar ndihmën e presidentit Pacolli për të proceduar në Kuvend kërkesën për heqjen e imunitetit të Limajt. Takimi në mes të dy krerëve është mbajtur pa praninë e medieve. Ai është konfirmuar vetëm nga zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodës, e cila nuk ka dhënë detaje për takimin që, sipas saj, ka pasur ndonjë çështje specifike që është diskutuar.
Sipas këtyre burimeve, prokurori e ka ditur se çfarë thotë Kushtetuta e Kosovës për imunitetin, mirëpo nuk i është referuar fare kësaj pasi që për krime lufte, të cilat gjykohen në frymën e Gjykatës së Hagës me mandat për ish-Jugosllavi, nuk njihet imuniteti për vepra të cilat janë të dënueshme, sipas kodeve penale të shteteve, edhe bazuar në konventat ndërkombëtare.
Mesohet se arrestimi i Limajt nuk është bërë për shkak të drojës se mund të ndodhë ndonjë destabilizim i situatës, kur kihet parasysh se atë ditë planifikohej të kapeshin përveç deputetit edhe 11 persona të tjerë.