EULEX vendos qetësine në Mitrovice
Komiteti i Sigurisë në Mitrovicë vlerësoi sot se “që prej vendosjes së misionit evropian për rend dhe ligj, EULEX, në të gjithë Kosovën duke përfshirë edhe veriun gjendja ka qenë kryesisht e qetë dhe pa probleme”. Kryetari i komunës, Bajram Rexhepi, tha se “përkundër kësaj në disa lagje të veriut (si në Lagjen e Boshnjakëve dhe në zonën e Tre rrokaqiejve) ende ekziston nevoja për prani shtesë të strukturave të sigurisë në mënyrë që të parandalohet shkallëzimi i situatës”.
Komandanti i stacionit jugor të Policisë së Kosovës, kapiteni Bashkim Spahiu, tha se në jug të qytetit nuk ka pasur asnjë incident. Ndërsa përfaqësuesi i Policisë Rajonale të Kosovës, Niman Januzi, tha se “gjatë fundjavës në Lagjen e Boshnjakëve janë shënuar dy raste të dëmtimit të veturave dhe një tjetër të dëmtimit të një xhami dhe të një shtëpie të një pronari shqiptar”.
Në takimin e Komitetit të Sigurisë ishte i pranishëm edhe shefi i degës së Doganës të Kosovës për Mitrovicën, Bashkim Çitaku, i cili tha se “lajmi i mirë është vendosja e doganierëve të EULEX-it në pikat kufitare në veri”.
Përfaqësuesi i KFOR-it të zonës së përgjegjësisë së batalionit danez, Andris Sprivul tha se as në zonën e tij të përgjegjësisë nuk ka pasur incidente. Ai njoftoi se batalioni danez ka marrë përgjegjësinë edhe për zonën e komunës së Skenderajt.