Shkarkohet drejtori i HEC-it të Fierzës
Burime që nuk duan të prononcohen e kanë lidhur largimin e drejtorit me fushatën politike në Partinë Demokratike
TROPOJË - Shkarkohen drejtues të KESH-it edhe në Divizionin e Prodhimit. Drejtori i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare, Gjergj Bojaxhi, ka shkarkuar nga detyra drejtorin e hidrocentralit të Fierzës, Qazim Dusha. Ndërkohë, në vendin e tij është komanduar kryeinxhinieri i kësaj ndërmarrjeje. Bëhet e ditur se shkarkimi i Dushës nga detyra e drejtorit të Hidrocentralit të Fierzës është bërë për punë të dobët në menaxhimin e veprës më të madhe energjitike në Shqipëri dhe që mban vendin e dytë në Ballkan për nga kapaciteti prodhues, pas atij të Danubit në Serbi. Ndërkohë që burime që nuk duan të identifikohen, theksojnë se shkarkimi i Dushës ka ardhur si rezultat i luftës së brendshme politike që ka përfshirë degën e PD-së Tropojë në këtë periudhë zgjedhjesh.
Qazim Dusha, me profesion inxhinier mekanik, e mori detyrën e drejtorit të Hidrocentralit të Fierzës pas fitores së koalicionit të djathtë në Shqipëri në verën e vitit 2005, duke zëvendësuar Miftar Musën. Megjithatë, ish-drejtori i HEC-it të Fierzës, në krizën energjitike të vitit 2007 që përfshiu Shqipërinë si pasojë e thatësirës së tejzgjatur, deklaroi se “ky është viti më i mirë i menaxhimit në këto 10 vjetët e fundit”, pasi, sipas tij, nuk kishte asnjë model tjetër menaxhimi. Me 30 maj të këtij viti, punonjësit e këtij hidrocentrali u hodhën në një grevë njëditore në kërkim të ndryshimit të pikave të kontratës, rritjes së pagave dhe kushteve më të mira të punës. Si rezultat i kësaj greve, u largua nga puna ish-kryetari i sindikatës së këtij hidrocentrali, Lirim Alia.
Shqipëria e ka të ndërtuar sistemin e saj energjitik në veprat hidro në masën 99%, të cilat kanë varësi nga reshjet. Por vitet e fundit janë karakterizuar nga thatësira të tejzgjatura në Shqipëri, siç kanë qenë ato të vjeshtës së vitit 2006 dhe dimrit të 2007-s. Kjo situatë ka shkaktuar kriza të gjata energjitike në Shqipëri, ku furnizimi i këtij vendi me energji elektrike është bërë kryesisht nga importi. Hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në Shqipëri, në situata normale hidrike ka paraqitur tregues të lartë financiarë si në realizimin e prodhimit të përgjithshëm industrial dhe në atë të energjisë elektrike ku në situatë të favorshme hidrike ka arritur të prodhojë afro 2 miliardë kilovatorë energji elektrike në vit, ku shitja e energjisë elektrike ka arritur vlerën e rreth 49 milionë eurove, ndërkohë që çmimi i shitjes në HEC-in e Fierzës është në shifra të ulëta që arrijnë deri në 3 lekë për kilovatorë të energjisë elektrike. Dyfishimi i çmimit të shitjes së energjisë elektrike në HEC-in e Fierzës ka ndodhur në vitin 2004. Në rast se për vitin 2003, kostoja e prodhimit për 1 kilovatorë energji elektrike ka qenë 1,3 lekë, për vitin 2004 e në vazhdim çmimi i shitjes për 1 kilovatorë energji elektrike është e barabartë me 3 lekë.