Gjirokastër, shembet shtëpia 300-vjeçare
GJIROKASTËR- Rituali i rrëzimit të shtëpive gjirokastrite pas rrebesheve të shiut vazhdon në Gjirokastër. Degradimi i tejskajshëm i shtëpisë 300-vjeçare të Koloit, në lagjen “Varosh” të qytetit të Gjirokastrës, monument kulture i kategorisë së pare, është bërë më i pranishëm gjatë ditës së djeshme. Për të shmangur ndonjë fatkeqësi të mundshme, specialistët e monumenteve kanë rrëzuar një pjesë, ndërsa në këtë aks qarkullimi është bllokuar.
Gjendja e banesës
Shtëpia trishekullore, e djegur rreth një vit më pare, vazhdimisht ka qenë problematike. Kjo për faktin se ajo ndodhet në anën e njërës prej rrugëve me kalldrëm që lidhin pjesën e poshtme me atë muzeale, si dhe pasi rreth saj ndodhen mjaft banesa të tjera. Megjithëse nga ana e specialistëve të monumenteve të kulturës vetëm një muaj më parë u ndërhy për prishjen e njërit prej mureve dhe pjesëve të çatisë që ishin mjaft të dëmtuara, duket se kjo masë nuk ka qenë e mjaftueshme. Pas reshjeve të shumta të shiut, të cilat prej tri ditësh kanë përfshirë Gjirokastrën, rreziku që mbart kjo banesë është bërë më i pranishëm. Gjatë ditës së djeshme, gjendja e saj ka qenë mjaft e rëndë, pasi një pjesë e mirë ishte gati për t’u rrëzuar. Nisur nga ky fakt, punonjësit e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare kanë ndërhyrë duke prishur një tjetër pjesë të murit nga ana veriore, ndërsa në bashkëpunim me komisariatin e policisë dhe policinë bashkiake, qarkullimi i automjeteve dhe këmbësorëve në këtë segment është bllokuar përgjatë gjithë së dielës. Burime nga ky institucion bënë të ditur për gazetën “Shekulli” se momentalisht ndërhyrja në këtë banesë do të ndërpritet këtu, por, nëse do të paraqesë tjetër rrezik, do të ketë të tjera aksione.
Shtëpia
Shtëpia 3-katëshe e Koloit në lagjen “Varosh” mban statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë, ndërsa prej dhjetëra vitesh është e braktisur nga pronarët e saj. Në disa raste është banuar nga qiraxhinj, por pas rëndimit të situatës, edhe këta të fundit janë larguar. Është ndoshta banesa më e dëmtuar në qytetin e gurtë. Më 13 janar të këtij viti, ajo u shkrumbua nga një zjarr, i cili u mendua se kishte si shkak një shkëndijë elektrike. Pas djegies shkalla e rrezikshmërisë së saj u rrit ndjeshëm. Në këto kushte, Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare, nisi ndërhyrjet për prishjen e pjesëve më të dëmtuara në 5 banesa, ndërmjet të cilave edhe shtëpia 300-vjeçare. Prishja e pjesës së rrezikshme është kryer me një mjet të rëndë, skrep dhe gjatë ditëve në vijim do të punohet për pastrimin e zonës. Mendohet se pjesa e mbetur e godinës nuk mbart probleme të konsiderueshme dhe për ecurinë do të shihet gjendja e saj.