Vrasja e dy personave shpërblehet me 5,3 vjet burg
SHKODËR – Vrasja e dy personave dhe plagosja e një tjetri përfundon me dënimin e tre të pandehurve me 5,3 vjet heqje lirie nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi uljen e dënimit të dhënë më parë nga Gjykata e Faktit në Shkodër. Gjergj Gjokë Malocaj u deklarua fajtor për vrasjen e Luçe Rrethit, e cila pak më parë i kishte vrarë të vëllanë dhe u dënua për “vrasje në kushtet e tronditjes së fortë psikike”, si dhe “armëmbajtje pa leje” me 3,3 vjet heqje lirie. Ndërkaq, bashkëshorti i viktimës, Lazër Rrethi, i cili plagosi Nikollë Malocajn, u dënua me 12 muaj burg. Po i njëjti dënim u dha dhe për djalin e Gjergj Malocajt për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”. Lazër Rrethi dhe Ardjan Malocaj kanë dalë nga burgu.
Konflikti që shkaktoi dy të vrarë dhe një të plagosur nisi një ditë para ngjarjes, kur Nikollë Malocaj goditi e shau vajzën e Lazër Rrethit, pasi kjo i kishte thënë të mos i kulloste bagëtitë në tokën e tyre. Pasi vajza u ankua tek prindërit, Lazër Rrethi priti që viktima Nikollë Malocaj të kalonte afër shtëpisë së tij dhe doli të sqarohej me të. Gjatë debatit, Nikolla e qëlloi Lazër Rrethin me një këmesë që mbante me vete, duke i shkaktuar plagë në kokë. Në këtë moment ndërhyri Luçe Rrethi, e cila mori nga banesa një armë zjarri automatik dhe qëlloi në drejtim të Nikoll Malocajt, duke e lënë të vdekur në mes të rrugës. Pas vrasjes së Nikollës, dy bashkëshortët Rrethi u larguan në drejtime të ndryshme, ku Lazri shkoi tek banesa e një fqinji dhe i tha të lajmëronte policinë, ndërsa Luçja me automatik në dorë dhe dy granata lëvizi nëpër ara. Por sapo doli në rrugën e fshatit u përball me Gjergj Malocajn, vëllanë e të cilit sapo e kishte vrarë. Ky kthehej në shtëpi me mjetin e tij dhe rrugës kishte marrë dijeni për vrasjen e vëllait nga Luçja. I ndodhur përballë saj, ai i mori armën nga dora dhe qëlloi mbi të duke e lënë të vdekur. Pas kthimit në shtëpi, i biri, Ardjani, e ndihmoi në fshehjen e armës.
Gjergj Malocaj ka qenë i dënuar më parë për vrasje të mbetur në tentativë dhe në dhëniene dënimit, gjykata arsyetoi se në rrethanat konkrete të vrasjes prej tij të Luçe Rrethit, ai ishte në një moment tronditjeje të fortë psikike, pasi pak minuta më parë kishte marrë vesh se ajo i kishte vrarë të vëllanë. Familja Rrethi që nga 22 shkurti i këtij viti (ditën e ngjarjes) nuk jeton më në fshatin Trush.