EULEX:Bisedime Prishtinë-Beograd

Përgatitjet për bisedimet teknike mes Prishtinës e Beogradit i konfirmon misioni EULEX, zyrtarë të të cilit thonë se misioni do ketë vetëm rol teknik. Prishtina zyrtare i përjashton ato bisedime, ku Kosova nuk trajtohet si shtet i pavarur.Ndërsa institucionet e Kosovës këmbëngulin se nuk do të hyjnë në dialog për çështje teknike me Serbinë, para se kjo e fundit ta trajtojë Kosovën si shtet të pavarur, misionet ndërkombëtare në Kosovë konfirmojnë se përgatitjet për këtë dialog janë në proces e sipër."Janë duke u zhvilluar bisedime në mes të komponentëve të ndryshëm, se si të realizohet ky dialog në të ardhmen", tha Karen Limdal, zëdhënëse e EULEX-it.Përfaqësues të qeverisë së Kosovës nuk përjashtojnë mundësinë e takimit me Zannierin, por nuk e cilësojnë atë si takim që në axhendë do ketë dialogun me Beogradin. Në bazë të planit për rikonfigurim të pranisë ndërkombëtare, shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, është ngarkuar që të ndihmojë bisedimet për çështje teknike mes Prishtinës dhe Beogradit.Ndërkohë, vetë UNMIK-u aktualisht nuk e ka të qartë rolin e tij në këto bisedime, meqë kompetencat për çështjet që parashikohen në planin e rikonfigurimit, tashmë ia ka transferuar EULEX-it.Ndërkohë qeveria e Kosovës shprehet se nuk do të pranojë hyrjen në bisedime, po qe se Kosova nuk trajtohet nga Serbia si shtet i pavarur.Zyrtarisht ende nuk është saktësuar axhenda e bisedimeve, po ashtu nuk dihet se kush do t'i organizojë dhe kush do të ndërmjetësojë - OKB si deri më tani, apo misioni i BE-së në Kosovë. Ndërsa, qëndrimi i Prishtinës dhe Beogradit zyrtar për këto bisedime mbetet i kundërt.