Të rinjtë pa prindër, pa asnjë mbështetje
Të rinjtë e vetmuar, që u mungojnë prindërit janë të destinuar të mbeten pa mbështetje. Shteti thuajse nuk garanton asgjë për ta, pasi në moshën 14 vjeç lenë dyert e jetimoreve. Në një studim të realizuar nga rrjeti i shërbimeve SOS në Shqipëri, evidentohet se situata e fëmijëve pa kujdes prindëror mes moshës 14-18 vjeç është emergjente. Ata vuajnë nga nevojat për ushqim e veshmbathje, ndërsa për arsimim as që mund të flitet. Problemi më i madh i kësaj çështjeje është mungesa e legjislacionit për të ndërhyrë në jetën e kësaj kategorie.Përveç këtij studimi rrjeti i shërbimeve SOS sjell një shembull pozitiv për përkrahjen e të rinjve të kësaj kategorie. Në dy qendra rinore të fshatrave SOS, mbahen 30-të të rinj, të moshës 14 deri 18 vjeç, të cilët mbështeten me programe të ndryshme edukimi dhe mirërritjeje.Sipas studimit të SOS, rezulton së të rinjve pa kujdes prindëror mes moshës 14 dhe 18 vjeç, u mungojnë të drejtat më themelore, nga strehimi, punësimi, shërbimet shëndetësore pa pagesë, si dhe mangësi në sistemin e mbrojtjes sociale lidhur me kushtet e tyre. Këto fakte, tregojnë se mbrojtja e fëmijëve në Shqipëri, përbën shkeljet më të rënda të të drejtave të fëmijëve, që bie ndesh edhe me konventën e OKB-së, në të cilën Shqipëria bën pjesë prej vitit 1992.