E Diel, 1 Nëntor 2026

EUROMIL, mbrojtje ushtarakëve shqiptarë në BE dhe Strasburg



Aleksandër Mihali

BRUKSEL – Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve ka zyrtarizuar marrëdhëniet e Shqipërisë me EUROMIL dhe tashmë nis rruga e bashkëpunimit për zgjidhjen e të drejtave të ushtarakëve aktiv dhe në pension. Një gjë e tillë është pohuar nga presidenti i organizatës. Emanuel Jakob. “EUROMIL-i mund të siguroj infromacione për anëtarët e saj, të ofrojë mbështetje me ide dhe eskperienca”, - tha zoti Jakob. Sipas tij, organizata është një përfaqësuese zyrtare në asamblet europiane ( Parlamenti Europian, Komisioni Europian, Këshilli i Europës, OSBE/ODIHR-i) dhe do të përcjellë shqetësimet që do të vijnë nga shoqatat anëtare.
Në bisedën me gazetën, zoti Jakob ka treguar edhe bisedimet me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë dhe zyrtarë të tjerë, ku ka dalë në pah pamundësia për trajtimin e ushtarakëve shqiptarë. Ai pohoi se hapi i parë që duhet ndërmarrë është studimi i Manualit për të drejtat e njeriut të personelit të Forcave të Armatosura, përmes të cilit merret informacion i plotë për të drejtat legjitime që duhet të ketë ky komunitet.

Zoti President! Çfarë ka ndodhur gjatë tre ditëve të takimit të EUROMIL-it në Bruksel?

Ajo çfarë ne jemi munduar të bëjmë në këtë takim tre ditor ka qenë përgjithësisht e fokusuar në gjendjen ekonomike të vendeve të anëtarësuara në shoqatën tonë. Ndikimi i krizës botërore ekonomike dhe financiare në të gjitha forcat e armatosura ka qenë qëllimi kryesor i diskutimeve tona. Gjithashtu, diskutuam edhe dy projektligje mbi trajtimin e ushtarakëve; njëri prej të cilëve ka të bëjë me mbrojtjen e ushtarakëve që nisen me misione. Këto projekte ende nuk janë dërguara në tavolinën e Parlamentit Europian. Ne duam të dimë shumë qartë se ku dëshirojmë të shkojmë, ose më mirë të themi, ku mund të na dërgojnë këto dy projekte. Pra, me pak fjalë, këto kanë qenë pikat kyçe të aktiviteteve tona. Mendoj se gjatë diskutimeve kemi pasur rezultate shumë të mira, natyrisht që ne nuk mund t`i gjejmë të gjitha zgjidhjet njëherësh. E rëndësishme është se njerëzit tanë po kthehen në shtëpi me një informacion shumë të zgjeruar.

Në këtë takim të EUROMIL-it mori pjesë dhe një delegacion shqiptar. Pas anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë, a do të ndikojë EUROMIL-i në institucionet shqiptare për zgjidhjen e të drejtave të ushtarakëve shqiptarë që deri më sot ju mungojnë? A do të ndikoni edhe tek strukturat e Këshillit të Europës?

Është shumë e rëndësishme që të theksojmë se hapi i parë dhe lidhja e parë mes Shqipërisë dhe EUROMIL-it është zyrtarizuar. Dhe mendoj se pas hapave formalë kemi arritur të njohim njëri- tjetrin. Tani çfarë mund të bëjë EUROMIL-i? Një gjë duhet të jetë shumë e sigurt se pa një mbështetje kombëtare dhe ndërkombëtare, EUROMIL-i nuk mund të bëjë asgjë. EUROMIL-i mundet të siguroj informacion për anëtarët e saj, të ofrojë mbështetje me ide dhe eksperienca. Nga ana tjetër, EUROMIL-i është një përfaqësuese zyrtare në asambletë europiane, por në momentin që EUROMIL-i të jetë zëri i të gjitha shoqatave anëtare të saj, atëherë, në krye të shqetësimeve do të jenë ato shoqata që kanë probleme në vendet e tyre. Si për shembull, Shqipëria dhe vendet e tjera, të cilat mund të kenë probleme ligjore, në lidhje me trajtimin e ushtarakëve.

Ju erdhët në Shqipëri dhe u njohët me problemet që kanë ushtarakët. A mund të na thoni se në çfarë përfundimesh keni dalë pas takimeve të zhvilluara me përfaqësuesit politik dhe parlamentarë?

Mendoj se gjatë takimeve që kemi pasur, duke nisur nga Ministria e Mbrojtjes, përfaqësues të Kuvendit dhe ish-presidentin Alfred Moisiu, asnjë nga ata nuk tha që nuk duan diskutime për të ardhmen. U theksua, veçanërisht nga përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes, se për momentin, nuk ka kushte shumë të mira për trajtimin e ushtarakëve, por që të gjitha nivelet qeveritare kanë vullnetin e mirë të ndryshimit të kësaj gjendjeje.

Që nga sot Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë është pranuar si anëtare vëzhguese pranë EUROMIL-it. Si munden ushtarakët shqiptarë të jenë në dijeni të të drejtave të tyre dhe detyrimeve që ka shteti ndaj tyre?

Me sa dimë, ju keni një udhëzues në lidhje me liritë dhe te drejtat themelore të personelit te Forcave të Armatosura. Përsa i përket këtij udhëzuesi, ai është prezantuar në Tiranë ( më datë 15 nëntor 2010) dhe tashmë është i përkthyer edhe në gjuhën shqipe. Ajo çfarë ne kemi bërë edhe në Serbi ishte prezantimi i këtij manuali dhe më pas ky udhëzim u mor nga ushtarakë të organizuar në organizata lokale dhe të mbështetur nga shteti dhe shkuan në baza të ndryshme ushtarake dhe mbajtën leksione në lidhje me atë se çfarë përmban ky dokument. Natyrisht, që për këtë ne kemi nevojë që të ofrohet mbështetje edhe nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Kuvendi që kjo gjë të bëhet edhe në Shqipëri. Ajo çfarë është më e rëndësishme për momentin është prezantimi i këtij udhëzuesi dhe njohja e tij nga ushtarakët shqiptarë.

A e shikoni me interes që të organizohet në Shqipëri një konferencë e EUROMIL-it, ku të analizohen të gjitha problemet e ushtarakëve në vendet ballkanike, mes të cilave, edhe Kosova, e cila ende nuk është përfshirë në EUROMIL?

Specifikisht, për zonën e Ballkanit, por, edhe për zonat e tjera, është e domosdoshme që kur ne të kontaktojmë me një vend, duhet që ky vend të ketë një shoqatë. Është shumë e vështirë që pa një shoqatë, ne të kontaktojmë vende të ndryshme, kudo qofshin ato. Gjithsesi, për momentin, ne po përpiqemi që të jemi në disa vende, në rajonin e Ballkanit, për të kontaktuar me forcat e armatosura dhe ushtarakë të veçantë. Ne kemi tashmë kontakte në Bosnjë Hercegovinë, Serbi, etj. Tashmë, Shqipëria është në lojë dhe në shpresojmë që të vazhdojmë të kemi lidhje të vazhdueshme; dhe, pse jo, të bëjmë dhe takime lokale, ashtu siç po bëjnë kolegët tanë në zonën e Mesdheut. Kjo do të ishte një iniciativë shumë e mirë, sepse unë mendoj se problemet që ju keni, janë pothuajse të ngjashme. Takimin në njërin nga vendet e Ballkanit e shikoj shumë të mundshme; Madje, mund të them, se e shikojmë si një takim jo formal, ku mund të mblidhen dhe ushtarë të thjeshtë të Forcave të Armatosura dhe të diskutojmë për probleme të ndryshme specifike.

A e shikoni me interes që në Shqipëri të krijohet një qendër e EUROMIL-it ku të trajtohen të gjitha problematikat e Ballkanit?

Mendoj se do të ishte diçka shumë e mirë nëse ne do të mund të organizonim takime zonale; theksoj takime dhe jo simpoziume. Ashtu siç kemi bërë edhe në rastet e tjera, por për ta bërë këtë, ne duhet të bëjmë më parë takime lokale dhe duhet të kemi më parë organizata lokale. Unë shikoj që ka evolucion në Serbi, në Bosnjë, etj dhe besoj se të tjerët do ta ndjekin.

2 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›