WikiLeaks nxjerr “skandalin” me kompaninë e naftës
Albert Gjoka
WikiLeaks “fut hundët” edhe te punët e biznesit shqiptar. Pronari i faqes së internetit që po trondit botën, Julian Assange, ka pohuar dje se ka fakte të dhëna nga një inxhinier i një kompanie anonime për shkeljen e standardeve mjedisore nga një kompani kanadeze në zonën e Zharzës, në Patos-Marinzës. Në intervistën që dha ditën hënë për revistën prestigjioze “Forbes”, Assange ka treguar detajet që kanë të bëjnë me aktivitetin e kësaj kompanie në Shqipëri dhe ka orientuar burimet që ka përdorur marrjen e të dhënave. Ky është rasti i dytë që WikiLeaks nxjerr të dhëna për sektorin e naftës në Shqipëri, pas rastit të parë, kur u publikuan dokumentet e ushtrisë amerikane në Irak dhe, ndër të tjera, një incident i ndodhur në industrinë e naftës, u paraqit si një akt i inskenuar në mënyrë të qëllimshme.
Intervista
Duke folur për informacionet e klasifikuara për kompani të ndryshme, në intervistën e dhënë për “Forbes”, Assange u ndal te një shembull i shkeljes së standardeve mjedisore në industrinë e naftës në Shqipëri. Një gjë e tillë, sipas tij, ka nisur vitin e kaluar dhe është një rast mjaft interesant me të cilin nuk është marrë askush. Sipas tij, në kompania kanadeze e naftës, e cila kishte puse në Shqipëri, ka pasur defekte. Shefi i WikiLeaks thotë se kjo ishte serioze. “Ne e morëm këtë raport nga një inxhinier konsulent për atë që po ndodhte”, - thotë Assange. Madje, ai flet për një sabotim. Më pas vijon: “Qeveria shqiptare ishte e përfshirë me një tjetër kompani. Në vijim të bisedës, Assange thotë se ekzistonin dy prodhues konkurrentë, njëri ishte në pronësinë e qeverisë dhe tjetri ishte në pronësi private. Ai bën të ditur se raporti nuk ka një kokë, nuk thotë emrin e firmës, madje se edhe kujt i përkitnin puset. Assange thotë se informacioni u publikua në WikiLeaks dhe fillimisht u dyshua se “ai mund të jetë përgatitur nga një kompani rivale me qëllim që të diskreditojë të tjerat”, por ai shton se një gjë e tillë “WikiLeaks nuk mund ta verifikojë”. Assange shton se për këtë i është kërkuar ndihmë një kompanie konsulente inxhinierike, e cila i kishte dërguar detaje për kompaninë kanadeze të naftës, që sipas tij, ka shkaktuar një katastrofë mjedisore në zonën e puseve të naftës në Patos dhe në zonat përreth, si pasojë e shpërthimeve për nxjerrjen e naftës. Kompania anonime, e cila dha detaje për shpërthimet në pusin e naftës, tregon se më pas vijoi hetimet për këtë situatë, ku kishte ndodhur një katastrofë mjedisore. Analizat treguan se rezultatet e testimit të ujit në terren ishin të ndotura në atë masë sa uji nuk duhet të konsumohej, pasi nuk ishte i pijshëm. Por më pas kompania sekrete thotë se Bankers kishte injektuar sërish ujë në një tjetër pus në Patos Marinzë dhe se fshati Sheqishtë pretendon se uji po ndotet nga ujërat e puseve, duke shkaktuar përqindje të lartë të kancerit në mesin e popullatës. Pas shpërthimeve ka pasur dëmtime serioze në rreth 300 shtëpi.
Beteja e Assange
Pas informacioneve sekrete të ushtrisë amerikane në Irak, publikimit të komunikimeve diplomatike mes ambasadave dhe konsullatave, si dhe DASH-it, WikiLeaks ka njoftuar hapjen e një fronti të ri: publikimin e të dhënave të Bankës së Amerikës. Ai ka njoftuar publikimin e detajeve edhe për kompani të tjera të sektorit të naftës, industrisë farmaceutike etj. Me këtë hap që ka planifikuar Assange, WikiLeaks zgjeron rrjetin e konfliktit dhe tashmë nuk do të jetë vetëm i kërkuari numër i Interpolit nga SHBA-të, por pse jo, mund të përballet edhe me akuza dhe procese gjyqësore nga kompanitë private.
TË DHËNA PËR BANKERS
Bankers Petroleum dhe ARMO firmosin marrëveshjen
Më 9 nëntor të këtij viti, dy kompanitë strategjike në sektorin e industrisë së naftës në Shqipëri, “Bankers Petroleum Ltd” dhe “ARMO”, nënshkruan marrëveshjen që parashikon shitjen e naftës së nxjerrë nga kompania “Bankers Petroleum Ltd” në Shqipëri për dy rafineritë e naftës së kompanisë “ARMO” në Fier dhe në Ballsh. Kjo marrëveshje sjell fitime të dyanshme për ARMO-n dhe Bankers.
“Ky projekt do të fillojë këtë vit dhe do të përfundojë nga prilli ose maji i vitit që vjen”, - deklaroi presidenti i Bankers Petroleum Ltd. Bankers prodhon 1700 tonë naftë në ditë nga fusha e Patos-Marinzës dhe pritet të arrijë në një nivel prodhimi prej 3000 tonësh në ditë deri në fund të këtij viti.
Urdhri i Priftit: “Të verifikohet Bankers Petroleum!”
Më 9 korrik 2009, burimet zyrtare të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bënë të ditur se titullari i këtij institucioni në atë kohë, zoti Dritan Prifti, ka ngritur një grup pune, i cili do të kontrollojë dhe verifikojë të dhënat e publikuara në media, sipas të cilave, kompania kanadeze “Bankers Petroleum”, palë në marrëveshjen hidrokarbure me shoqërinë “Albpetrol” sh.a, ka dëmtuar pronën dhe shëndetin e banorëve të zonës në rajonin naftëmbajtës të Visokës. Ngritja e këtij grupi pune është bërë me anë të një urdhri, të cilin ministri Dritan Prifti e ka firmosur në datën 7 korrik 2010.
Bankers mori 110 milionë USD kredi, 10 milionë për mjedisin
Më 26 tetor 2009, kompania kanadeze e naftës “Bankers Petroleum” nënshkroi një marrëveshje financiare me IFC-në dhe BERZH-in në masën 110 milionë dollarë, të cilat do të investohen në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Marrëveshja u nënshkrua në përfaqësi të drejtorëve të bankave dhe të kompanisë në Hotel Sheraton. Sipas marrëveshjes financiare, 100 milionë dollarë do të përdoren për planet e zhvillimit të Bankers në fushën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, ndërsa 10 milionë dollarë do të përdoren për pastrimin dhe përmirësimin mjedisor të kësaj fushe.
1 Dhjetor 2010