Ushtarakët në pension: “Zoti President, mos lejoni miratimin e Aktit Normativ”
Anilejda Shëmbitraku
Shoqata “Aleanca Kombëtare e Ushtarakëve të Shqipërisë“ (AKUSH), dega Tiranë, i ka drejtuar një Kërkesë Presidentit Bamir Topi dhe kryeministrit Sali Berisha ku ka kërkuar që të mos miratohet Akti Normativ për pensionet suplementare të ushtarakëve. “Ne ushtarakët shqiptarë arsyetojmë edhe mbi mundësitë financiare të shtetit, pa spekuluar me balancat sociale, për pagesën e të drejtës së fituar për pension nga momenti i lindjes së kësaj të drejte. Për këtë propozojmë që shteti të aplikojë pagesën me këste dhe të depozitojë detyrimin debitor në Bankën Kombëtare në një librezë kursimi personale me ose pa interes bazë vjetor bankar dhe në rast vdekje të ushtarakut përfituese është familja e tij”, thuhet në letrën që i është drejtuar krerëve të shtetit.
LETRA
Lënda: Akti i ri normativ përkeqëson nivelin jetikë të ushtarakëve në pension, diskriminon dhe dëmton më tejë financiarisht dhe moralisht këtë shtresë sociale
Të nderuar Parlamentarë, Qeveritarë dhe Politikanë shqiptarë,
I nderuar President dhe Komandantë i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Aktivi i Tiranës i Shoqatës “Aleanca Kombëtare e ushtarakëve të Shqipërisë“ (AKUSH), me pjesëmarrjen e 17 shoqatave e sindikatave, ku ju bashkuan edhe dy shoqata të tjera si “Lidhja e Pensionistëve të Shqipërisë”, dhe shoqata “Oficerët në lirim”, u zhvillua në frymën e Konferencës Kombëtare “Për të drejtat dhe liritë themelore të Njeriut, të Personelit të Forcave të Armatosura” organizuar nga MM, OSBE, ODIR dhe EUROMIL në Tiranë më datën 15.11.2010. Shoqata vjen në këtë aktiv me një arritje të re të ushtarakëve shqiptarë me anëtarësimin në EUROMIL, ku Shqipëria listohet për herë të parë në vendin e 26. Kjo për ne do të thotë: “Integrim europian - Mosinjorim të problemeve aktuale – Përkrahje dhe mbrojtje të të drejtave të ushtarakëve shqiptar”. Aktivi i Tiranës pas një analize të thellë dhe me kulturë të lartë demokratike arriti në këtë konkluzion: “Shoqata në tërësi dhe dega Tiranës me një potencial të madh numerik dhe intelektual për një kohë të shkurtër, rreth 1 vjeçare është bërë një faktor i rëndësishëm i shoqërisë demokratike shqiptare. AKUSH ka një statut dhe strukturë organizative të standardeve europiane. Kjo nuk është sajesë apo artificie, por modeluar mirë funksionalisht, duke bërë bashkërendimin dhe koordinimin e punës me të gjitha shoqatat bashkëpunuese. Anëtarësimi i ushtarakëve aktivë, mbetet ende një problem për nga hapësira ligjore dhe angazhimi i tyre në shoqatë, në aktivitetet e saj. Shumë ushtarakë vuajnë nga sëmundje profesionale, ndërsa rreth 500 vetë që jetojnë të vetmuar, pa përkrahje sociale e ndihmë familjare, me mundësi të kufizuara financiare për të jetuar si dhe mungon një shtëpi e të moshuarve në shkallë vendi. Gjatë periudhës 20 vjeçare ka ndodhur edhe seleksionimi natyral i ushtarakëve, që të drejtën ligjore për pension nuk e kanë gëzuar rreth 20% e ushtarakëve që janë ndarë nga jeta, ndërsa në të ardhmen ritmi i vdekshmërisë është akoma më i lartë.
Kërkesa
Të nderuar Parlamentarë, Qeveritarë dhe Politikanë shqiptarë, i nderuar President dhe Komandantë i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, i nderuar Kryeministër. Vlerësoni dhe nderoni ushtarakun shqiptar, si një vlerë e shoqërisë sonë demokratike, me një pozitë kushtetuese dhe një profesion të veçantë, të rrezikshëm për jetën, plotë sakrificë dhe privacione nga të drejta themelore të njeriut, që shtrihen deri te familja dhe fëmijët e tij. Gjatë 20 viteve pothuaj asnjë ushtarak nuk ka marrë vlerësimin e lartë “Nderi i kombit”, edhe pse ky titull është dhënë për shumë profesionistë në fushën e artit, të sportit etj. Mos politizoni ushtarakët të shkurtuar nga reforma në FA apo në pension pleqërie si një “shtresë e shoqërisë së kaluar”, kur historia njehë të ashtuquajturat “Grupe puçiste në Ushtri” dhe viktimat më të shumta të diktaturës komuniste janë në radhët e saj. Shumë ushtarakë të përndjekur politik që kanë shpëtuar gjallë nga burgjet famëkeq dhe internimet e kohës së komunizmit janë mes nesh dhe në drejtim të shoqatës sonë. Ushtaraku shqiptar mbështeti plotësisht devizën “Shqipërinë e duam si Europën” dhe u bë garant i proceseve demokratike, u depolitizua, u departizua, u integrua në NATO dhe tani në EUROMIL. Vlerësoni ushtarakun si një simbol kombëtarë dhe një imazh i mirë i RSh që betohet para Flamurit Kombëtarë për të dhënë jetën e tij vetëm për Atdheun, dhe që merr pjesë në misione paqeruajtëse kudo në botë.
Të drejtat ligjore
Zbatoni të drejtën ligjore të fituar nga çdo ushtarak, të cilën ja ka dhënë Parlamenti i parë pluralist dhe në vazhdim si me miratimin e ligjit për Statusin e Ushtarakut të vitit 1991 dhe 2004, koncept juridik dhe parim kushtetues që mezi po pranohet “de jure” vetëm kohët e fundit, por që “de fakto” nuk po zbatohet akoma. Zbatoni VGJK të vitit 2007 dhe 2010 si vendime të formës së prerë dhe të pa diskutueshme. Kjo do të thotë që ushtarakët nuk fantazojnë, por kërkojnë një të drejtë të fituar dhe të miratuar nga ligjvënësi, me shumicë të cilësuar. Mos prekni të drejtat e fituara të ushtarakëve, rreth 11.300 përfitues ushtarakë, mos krijoni kufizime artificiale dhe absurde që nuk ekzistojnë në asnjë vend të botës demokratike, si aplikime të reja me fuqi prapaveprues dhe të pakrahasueshme me aktualitetin e sotëm me dy pensione bazë dhe mesatarizimin e të ardhurave personale për gjithë karrierën ushtarake. Aktualisht ka mjaftë kundërshti në pensione, që për të njëjtën pagë referuese, vjetërsi dhe kontribute të derdhura në masen 8, 11 apo 13% përfitojnë pensione të ndryshme. Psh: Sot një pilotë përfiton mbi 50.000 lekë në muaj, një nën-oficer përfiton 25.000 lekë në muaj, kur një pensionist i parakohshëm dalë nga reforma para vitit 1999 përfiton 17.603 lekë në muaj edhe pse ata tregues i ka patur më të lartë.
Fatura
Bëhet fjalë si gjithmonë për “një faturë të lartë financiare”, kur në këtë hark kohor ka patur zvarritje e mos pagesë të pensionit në kohë për disa vjet, mos aplikim të koeficientëve të indeksimit, mos rimbursimit të rritjes së çmimit të energjisë elektrike apo “djegie të fondeve” në vitin 2005 dhe 2006 për rreth 110 milion lekë dhe pasoja ka rënë mbi nivelin jetik të pensionistëve ushtarakë. Nëse këtij diskriminimi dhe dëmtimi financiar do t`i shtojmë edhe fitimin e munguar dhe dëmtimin moral është e kuptueshme se fatura është e pallogaritshëm dhe e pakrahasueshme. Duhet të përshpejtohen procedurat në rillogaritjen e pensioneve dhe të filloj menjëherë pagesa dhe t`i jepet fund penalizimit deri tani prej 18 muaj nga moszbatimi i ligjit që nga viti i kaluar maj 2009. T`i jepet fund diskriminimit me lojën juridike, miratimit ligje pas ligjesh pa fund, një ligj mesatarisht në çdo 2 vjet, duke shkelur parimin e sigurisë juridike, duke mos dhënë kohë zbatimit të tyre. Të mos shfrytëzohet kjo e drejtë ligjore e ushtarakëve për efekte elektorale. Kryesia e AKUSH kërkon një takim me Kryeministrin Sali Berisha për zbatimin e të drejtave të ushtarakëve. Ne ushtarakët shqiptarë arsyetojmë edhe mbi mundësitë financiare të shtetit, pa spekuluar me balancat sociale, për pagesën e të drejtës së fituar për pension nga momenti i lindjes së kësaj të drejte. Për këtë propozojmë që shteti të aplikojë pagesën me këste dhe të depozitojë detyrimin debitor në Bankën Kombëtare në një librezë kursimi personale me ose pa interes bazë vjetor bankar dhe në rast vdekje të ushtarakut përfituese është familja e tij. AKUSH në kuadrin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, në EUROMIL, me vendimin e BE-se për lëvizjen e lirë të shqiptarëve pa viza në zonën Shengen synon: Bashkëpunimin më të mirë me EUROMIL, duke kërkuar edhe mbështetjen e avokatit të tij për të drejtat e ushtarakëve deri në Gjykatën e Strasburgut. Krijimin e lehtësirave ligjore nga shteti për OJQ, si për infrastrukturën e AKUSH, për zyra, zhvillimin e aktiviteteve, për shtypjen e gazetës dhe të historikeve për çdo armë dhe shërbim etj. Ne ushtarakët në pension, në lirim, në rezerve dhe veteranë kemi besim se Ju do të shqyrtoni edhe një herë këtë problem dhe nuk do të miratoni në Parlament këtë akt normativ antikushtetues qe ul nivelin jetik.
Aktivi i Tiranes
Zv. President dhe kryetar i Tiranës AKUSH
Bajram Mana
10 Dhjetor 2010