Shqipëria, apel për ndihmë NATO-s, 72 orë pa përgjigje
Albert Gjoka
TIRANË/BRUKSEL - Shqipëria u ka lëshuar sinjalin SOS prej 72 orësh zyrave qendrore të NATO-s në Bruksel, duke kërkuar ndihmë për përballimin e situatës së shkaktuar nga përmbytjet, por ende nuk ka asnjë përgjigje. Burimet zyrtare bënë të ditur se Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile i ka kërkuar ndihmë Qendrës së Emergjencave të Aleancës. Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, i cili, në një prononcim për mediat, pohoi mesazhin që u është dërguar strukturave të Aleancës, pasi gjendja është rënduar gjatë ditës së djeshme. Kërkesa është bërë e ditur edhe nga burimet zyrtare të Aleancës euroatlantike. Në faqen zyrtare të saj thuhet se qeveria shqiptare ka kërkuar ndihmë që më datë 1 dhjetor, pasi parashikohet evakuimi i 3000-5000 familjeve nga zonat e përmbytura. Autoritetet shqiptare kanë parashtruar nevojën për helikopterë dhe mjete të rënda, të cilat do të përdoren për shpërndarjen e ushqimeve dhe materialeve të tjera në zonat e mbuluara nga uji.
Apeli
Përkeqësimi i kushteve atmosferike dhe shtimi i reshjeve deri në fundjavë i kanë detyruar autoritetet shqiptare që të lëshojnë mesazhin SOS që tri ditë më parë. Megjithëse është kërkuar ndihma nga strukturat e Emergjencave Civile të Aleancës, ende nuk ka një përgjigje. Ndihma është më e vlefshme në këto momente, kur pasojat janë shtrirë edhe në zona të tjera të vendit. Burimet zyrtare të Qendrës së Emergjencave Civile njoftuan se më datë 1 dhjetor kanë marrë kërkesë për asistencë nga Shqipëria. Sipas njoftimit zyrtar, rreth 10 banorë, 2450 shtëpi banimi dhe 8000 ha tokë ndodhen nën ujë. Njoftimi bën të ditur se shumë të zhvendosur janë strehuar te mjediset e konvikteve apo te të afërmit e tyre. Në mesazh thuhet se pritet të ketë zhvendosje të tjera masive të popullsisë nga zonat e përmbytura dhe se qeveria ka shpallur gjendjen e emergjencës civile. Ndër problemet që ngre ky sinjal ndihme është mungesa e ujit të pijshëm dhe rreziku për infrastrukturën e transportit dhe të bujqësisë.
Kërkesat
Ministri i Mbrojtjes Arben Imami dhe drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, Alfred Olli, deklaruan dje se i kanë kërkuar NATO-s helikopterë dhe mjete të rënda shtesë, të cilat pritet të përdoren për shpërndarjen e ushqimeve dhe evakuimin e banorëve në zonat më problematike. Një mangësi e dukshme është te mjetet lundruese të transportit, pasi janë në përdorim një numër i kufizuar varkash apo mjete të tjera. Në raste emergjence, ushtria e ka të pamundur që të përballojë kërkesat e shumta për ndihmë që mund të vijnë nga banorët e Shkodrës dhe të rrethinave që ndodhen prej disa ditësh nën ujë. Deri në orët e vona të mbrëmjes nuk ka një përgjigje nga asnjë vend anëtar i Aleancës, kur situata është rënduar së tepërmi në 24 orët e fundit. E gjithë Europa ndodhet në kushte të vështira klimaterike, me acar dhe reshje, ku nuk kanë munguar edhe viktimat.
Qendra Operacionale e Emergjencave Civile është një strukturë e specializuar e NATO-s, e cila u vjen në ndihmë shteteve anëtare kur përballen me katastrofa. Edhe në Samitin e fundit që u mbajt më 19-20 nëntor 2010 në Lisbonë, u kërkua dhe u aprovua angazhimi i NATO-s për forcimin e kësaj strukture. Edhe Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka lëshuar dje apelin për ndihmë për Shqipërinë dhe disa vende të Europës Juglindore që janë përfshirë nga moti i keq.
KËRKESAT
Varka transportuese druri, 15 copë
Mjetet lundruese gome (8-10 persona), 3
Karburant, 100 tonë
Ushqime
Miell, 500 tonë
Vaj, 20 tonë
Makara, 100 tonë
Oriz, 30 tonë
Sheqer, 30 tonë
Supë e konservuar, 10 tonë
Detergjente, 10 tonë
Mish i konservuar, 20 tonë
Presidenti njofton mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare
TIRANË – Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka ndërprerë Samitin kryetarëve të shteteve anëtare të OSBE-së në Astana dhe është kthyer në Tiranë, duke lajmëruar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Burimet zyrtare të Presidencës shpërndanë pasditen e djeshme njoftimin, por pa thënë një afat se kur do të mblidhet struktura më e lartë e sigurisë në vend. Sipas tyre, kreu i shtetit po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veriperëndim të vendit nga reshjet dhe përmbytjet e ditëve të fundit.
“Pas marrjes së këtyre informacioneve të fundit dhe vlerësimit të situatës, në bashkëpunim me të gjithë aktorët institucionalë, Presidenti i Republikës po përgatitet për të thirrur mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare”, - thuhet në njoftim.
APELI
Kosova ofron ndihmë me personel dhe mjete
PRISHTINË – Kosova ka qenë vendi i parë që i është përgjigjur apelit për ndihmë që kanë bërë autoritetet shqiptare. Njësitë e Forcës Kosovare të Sigurisë kanë arritur dje në Shkodër për të ndihmuar banorët e zonës që janë goditur nga përmbytjet.
Njësia e Kërkim-Shpëtimit, me 59 anëtarë, në mesin e të cilëve dhe personel mjekësor, po merr pjesë në operacionet e gjendjes së jashtëzakonshme. Trupat e specializuara nga Kosova u nisën pas një bisede që zhvilloi mbrëmjen e së enjtes kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me homologun shqiptar, Berisha. “Kryeministri Thaçi i shprehu kryeministrit Berisha gatishmërinë e qeverisë së Kosovës për t’i ardhur në ndihmë qeverisë shqiptare në përballimin e situatës së krijuar, si dhe për të mbështetur banorët e këtyre zonave me qëllim minimizimin dhe lehtësimin e pasojave nga përmbytja”, - thonë burimet zyrtare. Forcat e Sigurisë së Kosovës ka qenë në këtë zonë në operacionet e ndihmës edhe në fillim të këtij viti, për të ndihmuar në një situatë të ngjashme.
4 Dhjetor 2010