E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet, ku janë mjetet amfibe që dikur përdorte ushtria jonë??



Ervin KOÇI

Shqipëria u gjend ditët e fundit nën furinë e papërmbajtshme të reshjeve të shiut dhe në vërshimin e prurjeve të lumenjve në veri e jug të vendit, të cilat shkaktuan përmbytje të papara. Por sakaq, përveç befasisë dhe paparashikimit të motit vendi ynë u gjend i papërgatitur edhe në mjete e teknologji për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë. Edhe pse prej dy vjetësh anëtarë të aleancës ushtarake më të fuqishme të botës “NATO”, sa herë që ne kemi nevojë ose emergjenca civile i biem për “shkurt”. Kërkojmë ndihmën e “NATO”-s. Por këtë herë vet “NATO” që na ka bërë pjesë të familjes na tha shkurt dhe prerë: “diljani vetë”. Prej disa ditësh Forcat tona të Armatosura dhe ato të Emergjencave Civile po zhvillojnë në zonat e Nën-Shkodrës një operacion në shkallë të gjerë evakuimi dhe humanitar në ndihmë të banorëve në nevojë, për t’u sjellë atyre ushqime, ujë, veshje dhe ilaçe. Por i gjithë ky operacion po zhvillohet me mjete aspak të përshtatshme për këto lloj operacionesh. Barka gome dhe lundra me motor (kapaciteti 3-7 persona); skafe dhe motovedeta të dhuruara nga vendet mike me kapacitet minimal (patrullues), aspak të përshtatshme për operacione evakuimi ose shpërndarje ndihmash; kamionë ushtrie jo amfib dhe aspak të përshtatshëm për futjen në zona moçalore dhe nënujë; helikopter të lehtë (helio-taxi me kapacitet 4-7 persona), aspak të përshtatshëm për evakuime, transportim mallrash dhe ekipesh të specializuara ndihme bashkë me pajime; të gjitha këto janë “armata” e mjeteve që po përdoren dhe që vetëm sa po ia risin koston në mënyrë katastrofike operacionit humanitar që ka ditë që ka nisur. Me të drejtë shumë njerëz që janë rritur gjatë kohës së komunizmit dhe që kanë bërë edhe zboret e asaj kohe pyesin: “po ku janë mjetet amfibe të ish-Ushtrisë Popullore (që edhe pse s’u përdorën për luftë dhe zbarkime, mund të përdoreshin në ndihmë të popullatës në nevojë)??”.

Mjetet amfibe
Me origjinë prodhimi nga vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, Shqipëria nga viti 1950 deri në vitin 1997 kishte në përdorim mjete amfibe si këto në figura. Këto mjete me zinxhirë dhe goma që kanë kapacitet mbajtës 30-60 persona, ose peshë mbajtje deri në 5 ton, përdoreshin në ato vite nga ushtria jonë në pjesën më të madhe për stërvitje. Këto mjete janë përdorur për herë të fundit nga ushtria shqiptare në një stërvitje demonstrative në vitin 1994 mbajtur në Liqenin Artificial të Tiranës, ku treguan se ishin mjaftë efikase. Por që atëherë nuk dihet se ku përfunduan dhjetëra mjete të tilla, të cilat përdoren edhe sot nga vendet fqinje, si dhe në të gjitha vendet ish-anëtare të Traktatit të Varshavës për ndërhyrje në situata të krizave humanitare.

Parametrat
Këto mjete janë për përdorim shumëfunksional për vet rrolin e tyre amfib (në tokë dhe në ujë). Këto mjete kanë një shpejtësi që shkon në ujë deri në 20 km/orë dhe në tokë deri në 50 km/orë. Kanë kapacitet mbajtës nga 30-60 persona bashkë me pajime dhe mjete të posaçme. Janë mjaftë ekonomike pasi punojnë me mazut ose solar dhe harxhojnë sa një kamion normal ushtrie që punon me benzinë. Por janë tepër efektive pasi mbajnë sasi të mëdha mallrash, pajisjesh, ose deri në një kamion me peshë 4 ton në bord. Shumë prej vendeve të Europës Lindore sot anëtare të NATO-s, i kanë këto mjete edhe sot në përdorim.

8 Dhjetor 2010

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›