E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS raport për ndërkombëtarët: Ja skandalet e Berishës

Nga Gilmana Bushati
PS u paraqet diplomatëve shqetësimet për qeverinë. Raporti sekret prej 20 faqesh, analizon dhe marrëdhëniet e qeverisë me Prokurorinë, ngjarja e Gërdecit, apo “Fazliç”. Raporti u paraqit mbrëmë në një takim jopublik me ambasadorët. 

TIRANE-  Partia Socialiste mblodhi mbrëmë në një takim jopublik, ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropain të akredituara në Tiranë, por edhe ambasadorin e SHBA-së, Xhon Uidhers. E konceptuar si një darkë pune, nën kujdesin e sekretariatit ndërkombëtar të PS-së, në të kanë marrë pjesë ambasadorja franceze, zv/ambasadori i BE-së, ai grek, zv/ambasadorja britanike, ambasadori i OSBE-së, ambasadorë të Hungarisë, Belgjikës, Gjermanisë, Spanjës, etj. Po kështu, shumë pak socialistë kishte në takim. Përveç sekretares ndërkombëtare Arta Dade, e cila ishte organizatorja kryesore, aty kanë qenë edhe sekretari për programin, Andis Harasani, kreu i PS-së për Tiranën, Besnik Bare dhe asnjë deputet tjetër. Takimi i zhvilluar në restorantin ‘Green House’ ka qenë tepër i mbyllur për median, por burimet bënë të ditur për gazetën se ambasadorëve ju vu në dispozicion një raport. Në të janë shprehur një sërë shqetësimesh që lidhen me punën e qeverisë gjatë qeverisjes së saj 3- vjeçare. Raporti prej rreth 20 faqesh analizon edhe marrëdhëniet e qeverisë me Prokurorinë dhe Presidencën, punën e Parlamentit dhe raste të tjera si ngjarja e Gërdecit apo rasti “Fazliç”. “Kredibiliteti politik i Qeverisë është në nivelin më minimal historik”, - thuhet në raport. Sipas këtij raporti, “Vitet nën pushtetin e PD-së janë karakterizuar nga qeverisja e keqe, korrupsioni, klientelizmi politik dhe nepotizmi”. Po kështu, aty thuhet se “kjo periudhë është karakterizuar nga intensifikimi i përpjekjeve nga ana e qeverisë për të vënë nën kontroll institucionet e pavarura kushtetuese, në veçanti Prokurorinë e Përgjithshme”. Socialistët shprehin shqetësimin se Qeveria ka rritur presionin ndaj Prokurorisë, ndërsa vënë në dukje mbrojtjen që kjo parti i ka bërë Prokurorisë. “Në këtë periudhë është vënë re edhe një konflikt midis ekzekutivit dhe Presidentit të Republikës, në veçanti lidhur me përcaktimin e anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë, për të cilën ekzekutivi atakoi hapur institucionin e Presidentit”, - thuhet në raport. Në raportin e saj, PS-ja vëren me shqetësim edhe veprimtarinë e Kuvendit. Sipas PS-së, “cilësia e hartimit të ligjeve është e varfër”, për shkak se nuk përfillen grupet e interesit. Në raport vihen në dukje një sërë rastesh të abuzimit me votën nga ana e maxhorancës. PS-ja shpreh gjithashtu shqetësimin në këtë raport për vonesat në reformat për zgjedhjet e vitit 2009. “PS-ja është tejet e alarmuar që përveç problemeve me Kodin Elektoral, qytetarët nuk do të kenë mundësi të pajisen me kartat e identitetit. Ky proces nuk ka qenë transparent dhe bindës”, - thuhet në material. PS-ja në këtë raport shprehte se edhe media është një “viktimë” e Qeverisë. “Menjëherë pas shpërthimit në Gërdec, disa stacione televizive përfshirë News 24, bënë mbulimin e plotë të ngjarjes. Kryeministri, në disa konferenca e shfaqje publike sulmoi këto media të pavarura që ndihmuan në hedhjen dritë mbi këtë tragjedi”, - thuhet në raport. Stabiliteti ekonomik në vend është në rrezik, thuhet në raport, ndërsa përmendet edhe rasti “Fazliç” si një rast ku qeveria cilësohet nxitëse e pastrimit të parave të pista.

(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›