E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile” dhuron 38 pisha për bulevardit “Dëshmorët e kombit” në Tiranë



“Eagle Mobile” jep kontribut në një prej çështjeve më të rëndësishme për qytetarët e kryeqytetit, atë të gjelbërimit të Tiranës. Kompania më e re e telefonisë celulare ka dhuruar 38 pemë të reja në mbështetje të projektit të Bashkisë së Tiranës “Një qytetar, një pemë”. Pishat, në gjendje të rritur me gjatësi afërsisht 10 metra secila, janë mbjellë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” pikërisht në vendet ku mungonin apo ka pasur pisha të vjetra të dëmtuara. Mbjellja e tyre ka nisur sot (datë 9 qershor) në praninë dhe inspektimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, z. Edi Rama dhe drejtorit të Përgjithshëm të “Eagle Mobile”, z. Ali Taskin. Projekte të tilla sociale shihen nga kompania më e re celulare “Eagle Mobile” si pjesë e rëndësishme e përgjegjësisë sociale të saj në kuadër të gjelbërimit të Tiranës. Përgjegjësia sociale dhe ndihma ndaj komuniteteve kanë qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së kompanisë. Në fjalën e tij me rastin e nisjes së mbjelljeve të pishave, kryetari i bashkisë së kryeqytetit, Edi Rama, tha “se ky është vetëm fillimi i investimeve të mëdha që do të prekin bulevardin “Dëshmorët e kombit” dhe sheshin “Skënderbej”. Më shumë pemë do të mbillen në Tiranë për ta gjelbëruar edhe më shumë kryeqytetin tonë”, - tha zoti Rama. Ndërsa drejtori i kompanisë “Eagle Mobile”, z. Ali Taskin, tha se “ky nuk do të jetë projekti i vetëm i “Eagle Mobile”, me qëllim ndërgjegjësimin e popullatës për përkujdesjen ndaj mjedisit. Kjo mbështetje, duke qenë pjesë e rëndësishme e strategjisë së “Eagle Mobile”, do të vijojë edhe në të ardhmen së bashku me nismat që do të ndërmerren në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës për rehabilitimin dhe zbukurimin e hapësirave publike ne kryeqytet”. “Eagle Mobile” e konsideron përgjegjësinë sociale si një nga gurët e themelit në strategjitë e saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›