Rinas, për herë të parë në Shqipëri avion mallrash në aeroport
Për herë të parë një avion transportues “A 310-300”, i dedikuar vetëm për transport mallrash, ka mbërritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA), duke diversifikuar kështu shërbimet e TIA-s ndaj klientëve. Përmes një njoftimi për shtyp, TIA bëri të ditur dje se "tani e tutje, ky avion, nën drejtimin e “Turkish Airlines”, do të shërbejë për transportin e mallrave midis Turqisë, Italisë dhe Shqipërisë". Shërbimi i ri filloi më 7 qershor 2009 dhe ka frekuencë një herë në javë. Itinerari i tij i plotë është Stamboll-Tiranë-Milano-Stamboll dhe mbërrin në Tiranë çdo të diel në orën 11:45. TIA bën të ditur se të gjitha llojet e mallrave mund të transportohen në itinerarin e lartpërmendur, duke përfshirë këtu dërgesa si personale, ashtu edhe biznesi. Kapaciteti maksimal i ngarkesës së mallrave për avionin “A 310-300” është 36.000 kg dhe 200 m3. “Turkish Cargo” u ofron klientëve një shërbim të plotë brenda itinerarit të tij. Dërgesa për rrugë të gjata janë gjithashtu të mundshme për pjesën më të madhe të mallrave, pasi për transportin e tyre janë të përfshirë frigoriferë dhe dhoma me ftohje.