E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eagle Mobile, shërbim për 70 mijë punonjës

Eagle Mobile, kompania më e re e telefonisë celulare në Shqipëri, që prej dy ditësh do t‘u ofrojë institucioneve publike shërbimet e saj me tarifa të veçanta. Marrëveshja u nënshkrua në Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit nga ministri Sokol Olldashi dhe drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin. Me këtë marrëveshje, Eagle Mobile do të ofrojë shërbimet e telefonisë celulare për 8 dikastere ministrore. Rreth 70000 punonjës të administratës publike do të përfitojnë nga tarifat dhe shërbimet e Eagle Mobile.

"Kemi negociuar gjatë dhe arritëm në rezultatin konkret. Punonjësit e administratës publike do të përfitojnë nga këto tarifa. Kjo do të jetë me përfitim të dyfishtë, së pari do të ulë shpenzimet operative për atë kontingjent nëpunësish, të cilëve shteti i paguan pjesërisht apo plotësisht shpenzimet telefonike dhe do të jetë dhe në përfitim të vetë zyrtarëve që do të marrin ketë vendim se do të paguajnë shumë më pak dhe në këtë mënyrë shërbimi bëhet më i lirë", tha ministri Sokol Olldashi. Ai falënderoi stafin teknik të Ministrisë dhe atë të Eagle Mobile për mundësimin e kësaj marrëveshjeje. "Jemi të gëzuar që Eagle Mobile, në një kohë kaq të shkurtër, tregoi potencialet e saj. Ne do të ofrojmë shërbimet tona jo vetëm për 70 mijë punonjës të administratës publike, por edhe për familjarët e tyre. Njëherazi, edhe institucionet e tjera publike që dëshirojnë ta kenë këtë tarifë dhe mundësi, janë të mirëpritura", u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Eagle Mobile, Ali Taskin. Ai falënderoi qeverinë shqiptare dhe në veçanti Ministrinë e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit për mbështetjen që i kanë dhënë procesit të konkurrencës në telefoninë e lëvizshme shqiptare. "Tarifa e re e prezantuar për institucionet publike, u jep mundësinë punonjësve të flasin me tarifa ekonomike jo vetëm brenda institucioneve të tyre, por edhe me dikastere të tjera që janë pjesë e tarifës. Për herë të parë në Shqipëri, Eagle Mobile ndërthur në një grup dhe tarifë të veçantë numrat me parapagesë dhe ata me kontratë", tha zoti Taskin. Kompania Eagle Mobile doli fituese e procedurës konkurruese të zhvilluar mes tri kompanive celulare që operojnë në vendin tonë për ofrimin e këtij shërbimi për punonjësit e administratës publike.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›