Eagle feston 2-vjetorin, Taskin: Ofertat më të mira
Dy vite me oferta, surpriza dhe risi teknologjike të mundësuara nga kompania e telefonisë celulare "Eagle Mobile". Në krye të kësaj periudhe ajo numëron 630 mijë abonentë, numri i të cilëve rritet çdo ditë. Ky përvjetor është bëre kryefjala e ditës së djeshme dhe të gjithë abonentët kanë marrë si dhuratë nga kompania, kohë bisede falas dhe mesazhe falas. Drejtori i Përgjithshëm Ali Taskin, gjatë fjalës së tij theksoi se pavarësisht krizës, 2009-ta nuk e preku aspak Eagle, pasi ritmet e kompanisë kanë qenë mjaft të kënaqshme. Ai tha se besimi që abonentët shqiptarë kanë shprehur ndaj kompanisë do të shpërblehet në çdo moment me surpriza, oferta dhe risi të tjera. Dy nga projektet që veçoi si më të veçantë drejtori i Eagle janë "Number Portability", pra "Mbartja e numrit" dhe "Teknologjia 3G". "Ne jemi gati për këtë teknologji dhe mbështesim fuqishëm prezantimin e shërbimeve moderne që sjell kjo teknologji për të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët", u shpreh Taskin. Në objektivat e 2010-ës, Ali Taskin u shpreh se ky vit do të jetë viti i një konkurrence të madhe, risive dhe surprizave, ku Eagle do të vazhdojë të sjellë fjalën më të fundit të teknologjisë, shanset më të mira të komunikimit dhe shërbimet e ofertat më të mira për konsumatorin shqiptar.