E Diel, 1 Nëntor 2026

DASH: Korrupsioni problem për Shqipërinë



Departamenti Amerikan i shtetit publikoi dje raportin për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut në vitin 2009. Në pjesën për Shqipërinë, raporti i kushton rëndësi parësore zgjedhjeve të 28 qershorit dhe çështjes së korrupsionit për të cilin thotë se mbetet problem serioz për Shqipërinë. “Më 28 qershor, në vend u mbajtën zgjedhjet parlamentare, të cilat Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e përshkroi si më të përparuar në krahasim me zgjedhjet e kaluara, por pa përmbushur plotësisht realizimin e standardeve ndërkombëtare”, thuhet në raport. Sipas tij, ODIHR-i vlerësoi se zgjedhjet e përmbushën shumicën e angazhimeve demokratike të vendit. “Vëzhguesit kanë vënë re probleme, duke përfshirë keqpërdorimin e burimeve qeveritare nga të dyja anët për qëllime të fushatës, mangësi në trajnim dhe përgatitjet për numërimin e votave, dhe dëshmi për votim të autorizuar, njëanësi mediatike dhe presion të punonjësve të sektorit publik për të marrë pjesë në veprimtari të fushatës”, thotë raporti. Ai vijon duke thënë se Partia Socialiste (PS) bojkotoi parlamentin pas shtatorit, duke bërë thirrje për një hetim mbi dyshimet për mashtrimin zgjedhor. Duke analizuar zgjedhjet, DASH shprehet në raport se zgjedhjet u afruan me angazhimet e OSBE-së, por megjithatë “nuk e shfrytëzuan plotësisht potencialin e vendit për të përmbushur standardet më të larta për zgjedhje demokratike”. Procesi u zhvilluan në një mjedis shumë të polarizuar dhe mbulimi nga media anonte dukshëm në favor të dy partive më të mëdha, Partisë Demokratike (PD) dhe PS-së. “Ka pasur akuza të shumta, prej të cilave disa ishin vërtetuar, se kishte presion për të marrë pjesë në fushatën e PD-së apo raste të kërcënimeve për pushimin nga puna për ata që merrnin pjesë në aktivitetet e opozitës”, evidenton raporti. Sipas tij, Qeveria përdori në mënyrë të përsëritur ngjarjet zyrtare, duke përfshirë edhe inaugurimet e projekteve të infrastrukturës, për qëllime të fushatës. “Sipas ODIHR-it, Qeveria vazhdimisht ka keqpërdorur burimet shtetërore - automjetet, personelin, telekomunikacionin, pajisjet, për të ndihmuar fushatën. Kreu i PS-së gjithashtu ka përdorur ngjarjet zyrtare në kapacitetin e tij si kryetar i bashkisë së Tiranës në fushatë për PS, edhe pse më pak”, thekson DASH. Lidhur me numërimin, në raport thuhet se “për shkak të të metave administrative, vëzhguesit e ODIHR-it vlerësuan numërim të keq të votave ose shumë të keq në votimin e 22 nga 66-qendra të numërimit. Megjithatë, misioni i ODIHR-it nuk ka gjetur prova të numërimit të parregullt ose manipulimin e rezultateve.
korrupsioni
Disa arrestime zyrtarësh të nivelit të lartë të Qeverisë lokale dhe qendrore, korrupsioni mbeti një pengesë e madhe e Qeverisë për reforma kuptimplota. “Drejtuesit e Bankës Botërore në treguesit për vitin 2008 u shprehën se korrupsioni ishte një problem serioz”, thuhet në raport. Sipas tij, Ministria e Brendshme njoftoi se policia e shtetit hetuar 1.610 raste të lidhura me korrupsionin dhe krimin financiar. U arrestuan 2.049 persona, u konfiskuan rreth 700 milion lekë nga të cilat 550 milionë lekë ishin nga pastrimi i parave, pjesa tjetër ishte në mallra kontrabandë dhe produkte të paligjshme. Raporti evidenton se në një rast mashtrimi në Ministrinë e Mbrojtjes, tre nga katër të pandehurit janë dënuar, duke përfshirë edhe Shkëlzen Madani, drejtor menaxhimi i burimeve. “Në shtator prokuroria hodhi poshtë akuzat kundër ish-ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, i cili ishte akuzuar për shpërdorim të detyrës. Gjatë këtij viti në Gjykatën e Lartë u vendos se ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kishte imunitet nga ndjekja penale në lidhje me hetimin e shpërthimit në Gërdec, që rezultoi në vdekjen e 26 personave. Imuniteti i Mediut, që iu revokua në 2008, iu rikthye pas rizgjedhjes së tij në parlament më 28 qershor”, shprehet raporti.

Gjetjet e raportit të DASH

Ka pasur raportime që policia ka rrahur rëndë dhe ka keqtrajtuar gjatë marrjes në pyetje dhe në paraburgim. Korrupsioni dhe mosndëshkimi në polici vazhdon. Korrupsioni i Qeverisë mbeti një problem serioz dhe i pazgjidhur. Diskriminimi ndaj grave, fëmijëve, personave homoseksualë, dhe pakicave përbënin probleme. Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i grave në qeverinë lokale dhe nacionale ishte e ulët. Kushtet fizike të qendrave të paraburgimit nuk janë përmirësuar. Kushtet e vendeve të paraburgimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Tiranë ishin “totalisht të papranueshme” Ka pasur raportime që policia ka arrestuar dhe ndaluar arbitrarisht disa persona Në shtator 2008 Parlamenti Evropian në një deklaratë mbi kthimin e pronave në vend theksoi se raundi i parë mbi gjykimin e Gjykatës Evropiane së të Drejtave të Njeriut gjeti “deficite të mëdha” në sistemin administrativ dhe juridik në lidhje me pronat. Ka pasur raste që gazetarët janë vetë-censuruar. Roli investigativ i medias vazhdon të rritet. Politizimi i medias mbetet shqetësim që është përkeqësuar gjatë fushatës zgjedhore.

Kartat e identitetit në kohë për zgjedhjet
Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit, vlerëson se kartat e identitetit u shpërndanë kryesisht në kohë për pjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje. “Shpërndarja e kartave të identitetit për të lejuar qytetarët pa pasaporta për të votuar ka filluar në janar dhe u përfundua kryesisht në kohë për zgjedhjet. Një përpjekje e përbashkët nga komuniteti ndërkombëtar, çoi në një marrëveshje për përshpejtimin e shpërndarjes dhe uljen e kostos së kartave”, thuhet në raport. Sipas tij, opozita konteston këto përfundime në dukje kontradiktore, dhe një parti e vogla politike ka transmetuar një filmim që tregon dukshëm parregullsi të numërimit të votave në të paktën një stacion të votimit.

Përplasjet PD-PS për hapjen e kutive
Kërkesat e opozitës për rinumërim u mohuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në një linjë partiake votimi. “Kolegji Zgjedhor i mohoi në përgjithësi kërkesat rinumërim. Procesi i apelit paszgjedhor është kryer në mënyrë profesionale, sipas misionit të ODIHR-it. Deklarata përfundimtare mbi rezultatet e zgjedhjeve miratoi vendimin e KQZ-së me një votim unanim të dy partive të mëdha. Pas zgjedhjeve, partia kryesore e opozitës, bojkotoi parlamentin dhe bëri thirrje për hetime në dyshimet për mashtrim zgjedhor dhe kërkoi hapjen e kutive të votimit nga zgjedhjet e 28 qershorit. PD-ja në pushtet ka deklaruar se hapja e kutive të votimit do të ishte e paligjshme, duke argumentuar se opozita i kishte
shterur të gjitha mjetet juridike dhe ankesat ligjore të parashikuara në kodin zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›