E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ruçi: Të hetojmë vetëm listat dhe procesverbalet



Alfred Peza

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të PS-së, Gramoz Ruçi kërkoi dje vënien në dispozicion të materialeve zgjedhore dhe jo kutive të votimit. I ftuar në emisionin "Ora e debatit", në "Ora Neës" të gazetarit Alfred Peza, Ruçi hodhi një tjetër sfidë ndaj Kryeministrit Berisha. Sipas tij, nëse materialet zgjedhore, si listat e zgjedhësve dhe procesverbalet nuk vërtetojnë manipulimin e zgjedhjeve, PS do të tërhiqet nga kërkesa për hapjen e kutive të votimit.
Deri tani nuk kemi asnjë zhvillim nga të dyja palët për zgjidhjen e ngërçit politik. A ka ndonjë rrugë tjetër për negociim?
Në Shqipëri mungon vullneti nga ana e maxhorancës, nuk janë procedurat që pengojnë. Këtë e kam thënë dhe në seancën e Parlamentit. Ky vullnet ka munguar në seancën e parë dhe të dytën dhe ende nuk kemi asnjë progres.
Ju keni paraqitur disa karta identiteti si të falsifikuara, përse nuk na i tregoni se cila është e vërteta e tyre dhe përse nuk i keni çuar në Prokurori?
Kartat e identitetit i kemi trajtuar si para zgjedhjeve dhe gjatë zgjedhjeve, ku kemi thënë se 300 mijë shqiptarëve u privohej e drejta e votimit. Nuk kishte një mekanizëm që do të vërtetonte saktësinë e këtij dokumenti. Nëse unë do të paraqitesha me këtë kartë, komisionerët e cilësdo parti do të më lejonin të votoja, sepse nuk kishte një mekanizëm që të vërtetonte një gjë të tillë. Pse duhet të shkoj unë në Prokurori? Unë kërkoj të hetoj në një komision hetimor dhe pastaj t'ia paraqes Prokurorisë. Ne po merremi me fenomenin dhe jo me individin. është manipuluar në një proces zgjedhor, ku protagonist ka qenë shteti. Unë i bëra sfidë Sali Berishës me kutinë e Ruzhdies. Prokuroria vërtetoi dyshimin tim.
Do t'ua paraqes kartat...
Kemi deklaruar se janë 70 mijë të tilla, që janë përdorur në procesin e votimit. është një zotëri që ka dy karta me adresë Korçë dhe dy karta me adresë Tiranë. Kjo hedh poshtë sigurinë e listës së votuesve.
Si kanë rënë në dorën tuaj këto karta?
Unë po bëj një sfidë të re, meqë Saliu nuk iu përgjigj sfidës së parë. Unë i disponoj këto karta. Nuk dua të hap kutitë, por kërkoj nga maxhoranca listat e zgjedhësve që ndodhen në materialet zgjedhore. Nëse e vërtetoj se këta persona kanë votuar, do të kërkoj të hapen kutitë. Unë nuk flas në emrin tim. Të më japë listat e zgjedhësve dhe procesverbalet dhe nëse nuk vërtetohen pretendimet tona mbi manipulimin, ne heqim dorë nga kërkesa për hapjen e kutive.
Ka një vendim të forumeve për këtë sfidë?
Unë kam një mandat politik dhe fola në emrin tim duke i bërë sfidë Sali Berishës. Në sfidën e parë unë nuk mblodha asamblenë apo kongresin e PS. Edhe sot sfida është e hapur. Të me vërë në dispozicion të gjitha listat e votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje. Nëse nuk vërtetohen akuzat tona, ne tërhiqemi nga kauza jonë për hapjen e kutive të votimit. Unë dua të shkoj në Prokurori përmes një hetimi të plotë që do të bëj në Parlament. Unë nuk jam një qytetar i thjeshtë, por përfaqësues i një elektorati të tërë. Misioni im është të ruaj votën e qytetarëve. Këto dokumente janë false dhe ka një dorë që i ka prodhuar ato. Në këto zgjedhje ka ndodhur një "'96 e dytë", por me një ndryshim, nëse në '96 është bërë manipulimi me kërbaç, në 2009 manipulimi u bë me kompjuter, dhe këtë e kanë bërë gjeneralët dhe jo ushtarët e thjeshtë.
Askush nuk është kundër bërjes së transparencës, por ne duam të sqarojmë nëse hetimi i zgjedhjeve kishte të bënte me alibi për çështje të brendshme partiake apo jo?
Ne e kemi kërkuar transparencën e zgjedhjeve për të drejtën tonë përballë shqiptarëve. Ne moralisht e kemi fituar betejën tonë. Saliu e ka hallin e kutive, sepse nëse do të ishte i qetë dhe i sigurt, që në fillim do kishte pranuar hapjen e kutive. Prokuroria vërtetoi të drejtën tonë me Ruzhdien, që kutitë e zgjedhjeve kanë probleme. Nuk bëhet fjalë fare për shkelje Kushtetute për hetimin e zgjedhjeve. KQZ e 2001, që ka qenë me po aq juristë në atë kohë, i është përgjigjur objektit të hetimit të Komisionit Hetimor të kërkuar në atë kohë nga opozita, duke i ofruar Komisionit Hetimor Parlamentar kutitë e votimit.
Vendimet e mëpasme, të 2006 dhe 2007 ndalojnë hetimin e vendimeve të gjykatave..
Nuk ka asnjë ndalim nga Gjykata Kushtetuese të objektit të hetimit, të komisioneve hetimore. Ne jemi në një luftë, luftë politike. Lufta nuk fitohet me një betejë. Ne arrritën të sensibilizojmë të gjithë opinionin publik shqiptar dhe jo shqiptar dhe të bindim dhe më skeptikun për të drejtën tonë për transparencën e zgjedhjeve.
Mendoni se grupi i PS do të jetë dakord me sfidën tuaj?
As unë dhe as grupi nuk tërhiqen nga kauza për transparencën e zgjedhjeve. Unë po e risfidoj Sali Berishën sot me kartat e identitetit, të më vërë në dispozicion listat e zgjedhësve dhe nëse nuk vërtetohen pretendimet e PS, grupi i PS dhe të gjitha strukturat e PS do të tërhiqen nga kauza jonë. Do t'i bind unë ata të tërhiqen.
Ato materiale i ka KQZ dhe nuk i ka zoti Berisha..
Kjo kërkon vullnet politik. Atë ditë kur fola në Parlament, unë fola në emër tim, në emër të deputetëve të qarkut që përfaqësoj, në emër të grupit parlamentar edhe në emër të Edi Ramës. Nuk ka protagonizëm në PS, apo të të qenurit dy koka në PS.
Zoti Blushi është shprehur gjatë një prononcimi, duke vazhduar logjikën e autobusit të viteve '09 se pret nga ju që të jeni frenues i veprimeve të dëmshme për partinë, "të mos e lini zotin Rama t'i japë më shumë se ç'duhet gaz autobusit të PS?
Përgjigja është "alla Blushi" që është i respektuar dhe ka qenë një emision "Zonë e Lurë" që mund të përdorësh edhe terminologji të tillë. Grupi i PS ka integritetin e tij dhe personalitetin e tij. Ai iu kthye me batutë pyetjes "alla të zotit çani".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›