Eagle sjell në Durrës Madcon dhe Laurent Wolf
Kompania informon opinionin publik se pas një shqetësimi shëndetësor të artistit Goran Bregoviç dhe pamundësisë së tij për të ardhur në Shqipëri, Eagle Mobile mban sërish fjalën e dhënë duke mbështetur si sponsor gjeneral koncertin e një tjetër grupi shumë të njohur dhe të suksesshëm. MADCON, grupi norvegjez i dyshes urbane (Tshawe Baqwa dhe Yosef Wolde-Mariam) i cili ka sjellë hite që thyen rekordet e hit-paradave në Evropë dhe SHBA do të performojë përballë artdashësve shqiptarë më datën 8 Gusht në plazhin e kompleksit Tropikal në Durrës.
MADCON është një ndër grupet që kanë marrë më shumë çmime përfshi edhe Çmimin Botëror të Muzikës. Albumet e tyre kanë pasur sukses të madh që nga Shtetet e Bashkuara e deri në Australi. Grupi u themelua në vitin 1992, dhe shënon në fonotekën e tij hite si "God Forgive Me" , "Barcelona", “Doo-Wop” etj. Në vitin 2004 ata publikuan albumin e tyre të parë zyrëtar "It's All A Madcon" që u shpall si albumi i vitit në Norvegji. Vitin e kaluar, hiti i tyre Beggin shumë i suksesshëm edhe në Shqipëri, kryesoi listat muzikore për një kohë të gjatë në Francë, Hollandë, SHBA etj. Së fundi u publikua edhe hiti i tyre të ri “Lier”.
Artdashësit shqiptarë po ashtu do të mund të ndjekin më datën 9 Gusht DJ e suksesshëm Laurent Wolf, ashtu siç ishte planifikuar. Kompania Eagle Mobile njofton të gjithë abonentët që kanë dërguar SMS, se nëse fitojnë të drejtën për pjesëmarrje në “Eagle Summer Nights”, do të fitojnë dy bileta për të ndjekur koncertin e MADCON me datë 8 dhe më 9 Gusht atë të Laurent Wolf .