E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecën RTK

Deputetët me shumicë votash kanë aprovuar Ligjin për televizionin publik, i cili parasheh hapjen e dy kanaleve të reja. Një për serbët dhe një për minoritetet tjera. Opozita ka votuar kundër, ndërsa Zyra e BE’së dhe ICO e kanë mirëpritur miratimin e këtij ligji si dhe kanë kërkuar zbatimin e tij.

Pa votat e opozitës, Kuvendi i Kosovës e ka miratuar Ligjin për Televizionin Publik të Kosovës.

Me 42 vota për, 36 kundër dhe 3 abstenime, deputetët kanë miratuar ligjin, i cili parasheh hapjen edhe të dy kanaleve të reja brenda RTK’së – një për serbët dhe një për minoritetet tjera.

Edhe pse nuk ishte përkrahur nga Komisioni për amendamentin e Ligjit për RTK’në, deputetët kanë votuar edhe amendamentin e gjashtë i propozuar nga minoritetet jo serbe për hapjen e kanalit RTK 3

Pas votimit kanë reaguar shumica e deputetëve, duke thënë se nuk e kanë kuptuar se për çka kanë votuar, por se Kryetari Jakup Krasniqi nuk ka lejuar që të shkohet në rivotim.

“Vërtet votimi ka qenë i pamenduar. Duhet të mendohet të shkohet në lexim të tretë. Ju lutem, kini votuar diçka që deputetët nuk e dinë çka kanë votuar. Absolutisht nuk e dinë dhe nuk e kanë përgjegjësinë e votës që e kanë dhënë.... Sot nuk e vë në votim. Le të mësohen të votojnë, shkon në votim të tretë”, ka thënë Krasniqi.

“Kush ka kuptuar, ka kuptuar; kush nuk ka kuptuar, le të shkojë në shtëpi”, ka këshilluar Kryeparlamentari Krasniqi.

Pas votimit, partitë opozitare LDK, AAK dhe Vetëvendosje e kanë lëshuar sallën e Kuvendit, duke thënë se miratimi i ligjit është në kundërshtim me Kushtetutën.

Pas këtij veprimi, Kuvendi ka ndërprerë punimet për t`i vazhduar të premten.

Megjithëkëtë, gjatë votimit të amendamenteve ka reaguar Eqrem Kryeziu i LDK’së.

Ai ka thënë se me miratimin e amendamentit të gjashtë po tregohet se shqiptarët mund të bëhen edhe minoritete të tjera. Në këtë mënyrë, ai ka ironizuar për mundësinë që të hapet edhe një kanal i tretë publik.

“Serbët jo, e di që ata kanë identitet shumë të fortë dhe s’ka shanse të bëhen as turq as romë”, ka shtuar Kryeziu.

Deputetja e Grupit Parlamentar 6 Plus, Duda Balje, e ka arsyetuar kërkesën për kanal të tretë, duke thënë se pakicat tjera jo serbe kanë shumë pak hapësirë në kanalin e parë, por po aq do të kenë edhe në kanalin e dytë.

“Kanali RTK 3 është shumë me rëndësi për ne, sepse ne jemi shumë pak prezent në RTK 1 dhe po aq pak do të jemi edhe në RTK 2, sigurisht në gjuhën serbe. Ne nuk kemi kërkuar asgjë që të jetë obliguese, por vetëm kemi lënë të hapura mundësitë që kjo të ndodhë kur të krijohen kushtet”, ka thënë Balje.

Me propozimin e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa, në ligj është përcaktuar që buxheti i RTK-së të jetë 0.7 për qind e buxhetit të shtetit. Kryetarja e komisionit, Safete Hadërgjonaj, tha se arsye ka qenë respektimi i ligjit të buxhetit.

“Në buxhetin e vitit 2012 është planifikuar që buxheti i RTK-së të jetë 0.7 për qind e të hyrave nga buxheti i Kosovës. Një gjë e tillë është e paraparë edhe me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve. Arsyeja ka qenë respektimi i Ligjit të buxhetit”, ka deklaruar Hadërgjonaj.

Zyra e BE’së dhe ICO përkrahin ligjin

Zyra Bashkimit Europian ka përkrahur miratimin e Ligjit për RTK’në. Nëpërmjet një njoftimi, Zyra e BE’së ka thënë se miratimi i ligjit do të ndikojë në pavarësinë editoriale të Televizionit Publik.

“Ligji për RTK-në i mundëson transmetuesit publik të mbrojë pavarësinë editoriale si dhe përgjegjësinë publike, e që njëkohësisht parasheh një zgjidhje të qëndrueshme të financimit”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, thuhet se Zyra e BE’se kërkon që të respektohen ligjet e miratuara dhe menjëherë të nisin procedurat për emërimin e anëtarëve në KPM.

“Është me rëndësi kritike që këto ligje të implementohen dhe me këtë rast i bëjmë thirrje Kuvendit të Kosovës të angazhohet drejt nisjes së procesit për emërimin e anëtarëve të Këshillit të Komisionit të Pavarur të Mediave”.

Edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith, e ka mirëpritur miratimin e Ligjit për RTK, i cili parasheh hapjen e kanalit të dytë dhe të tretë për komunitetet.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›