E Diel, 1 Nëntor 2026

“Ecim të sigurt drejt mandatit të tretë, do heqim vizat me SHBA-të”

06-06-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron rrugën e re Shkodër-Hani i Hotit, investim i qeverisë shqiptare me vlerë 34.2 milionë euro

Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje përfundimin e rrugës Shkodër-Hani i Hotit, një investim me vlerë 34.2 milionë euro. Kryeministri e konsideroi këtë segment të një rëndësie rëndësie shumë të madhe për zhvillimin e qarkut të Shkodrës, por edhe si rruga e komunikimit me Malin e Zi dhe vendet e tjera përtej, Bosnjën, Kroacinë etj. Rruga Shkodër-Hani i Hotit me gjatë 39 kilometra ndikon në fuqizimin e korridorit veri-jug që nis në kufirin me Malin e Zi në veri dhe shkon drejt Greqisë në jug dhe Maqedonisë në lindje. Ky aks kalon nëpërmjet qytetit të Shkodrës, duke përmirësuar trafikun, si dhe gjithë infrastrukturën nëntokësore, parkime, trotuare e pistë për biçikletat. Të lidhur me të janë realizuar dy bypass-e, ai i Koplikut dhe i Bajzës, duke mare parasysh trafikun nga Mali i Zi drejt Shqipërisë dhe anasjelltas. Njëkohësisht është rehabilituar pjesa urbane me gjithë infrastrukturën e qytetit Koplik dhe Bajzë, duke i lidhur ato me dy bypass-et. Rruga në fundin e saj përshkon anash liqenin e Shkodrës. Ndërsa e vlerësoi ndërtimin e saj në parametrat dhe cilësinë më të lartë, Kryeministri u shpreh se ndërtimi i një rrjeti modern rrugor ka qenë një nga zhvillimet madhore që vendi ka arritur në vitet e fundit. “Çdo qytetar që hyn në Shqipëri, nga territori i Morinës së Kukësit, Qafë-Morinës së Tropojës apo Vermoshit, udhëton deri në Konispol me rrugë tërësisht të reja, pothuaj në tërësi të ndërtuara nga viti 2006 e deri më sot. Kjo është arritja jonë e madhe”. Gjatë viteve 2005-2013, në qarkun e Shkodrës janë kryer investime me vlerë 670 milionë dollarë. Në infrastrukturën rrugore janë ndërtuar mbi 930 kilometra rrugë, kombëtare, rajonale dhe lokale, me vlerë mbi 200 milionë dollarë; janë ndërtuar e rikonstruktuar 122 shkolla e kopshte, me vlerë rreth 15 milionë dollarë; 104 sisteme ujësjellës e kanalizimesh, me  vlerë rreth 35 milionë dollarë; 94 qendra shëndetësore e ambulanca me vlerë rreth 15 milionë dollarë. Në bujqësi janë investuar mbi 35 milionë dollar, në kanale kullues, diga mbrojtëse ë sistemim tokash, si dhe janë subvencionuar 7 milionë dollarë ose 32 herë më shumë se Partia Socialiste. Gjithashtu, janë restauruar mbi 60 vepra të kulturës dhe të rekreacionit shpirtëror, duke kthyer kështu në identitet rrugët dhe monumentet e mirënjohura të Shkodrës. Në fushën e energjetikës janë investuar 330 milionë dollarë në përmirësimin e rrjetit elektrik, ku përfshihet nënstacioni i Koplikut, Vaut të Dejës, Bushati, si dhe hidrocentrali i Ashtës, janë ndërtim 25 hidrocentrale, me fuqi 240 megavat dhe investim rreth 130 milionë dollarë. Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është rritja e numrit të bizneseve të reja mbi dy herë, nga 3480 biznese në vitin 2005, në 8850 në vitin 2012. Kryeministri Berisha deklaroi gjithashtu se qeveria do realizojë reformat për liberalizimin e vizave me SHBA gjatë mandatit të ardhshëm qeverisës. “Këto vite, sëbashku ia dolëm të bëhemi anëtarë të Aleancës së Atlantikut të Veriut, të sigurojmë përgjithmonë lirinë tonë kombëtare, ia dolëm të firmosim me Bashkimin Europian, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, kontratën historike të Shqipërisë me Europën, ia dolëm të heqim vizat e të lëvizim pa viza në mbarë Europën, ia dolëm të meritojmë statusin e vendit kandidat, ia dolëm të bëjmë reale ëndrrat shekullore të rilindësve tanë, të shqiptarëve të mençur, të vokacionit tonë perëndimor. Katër vitet ardhshme, qëllimi ynë më madhor është së pari, të marrim statusin e vendit kandidat, të hapim negociatat me Bashkimin Europian, të liberalizojmë vizat me vendin e madh të lirisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›