E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ecuria e zhvillimit të arsimit profesional teknik elektrik

27/06/2010 Flet drejtoresha e shkollës teknike elektrike “Gjergj Canco”

Shfaqet në rritje interesi i nxënësve për ndjekjen e këtij profili arsimor

Gjatë viteve të fundit edhe në vendin tonë është rritur interesimi i nxënësve që të vijojnë studimet në shkollat e mesme profesionale, e veçanërisht në ato me natyrë teknike. Megjithatë, këto lloj profilesh përkojnë edhe me një rritje të nevojës së tregut të punës për profesionistë. Në një intervistë për gazetën drejtoresha e shkollës së mesme teknike elektrike “Gjergj Canco” në Tiranë, Hedie Gjoni (Bejtja) tregon se si kanë gjetur terren në këtë shkollë ndryshimet e bëra në arsimin e mesëm profesional.

- A mund të na thoni se cilat kanë qenë shtysat e para që ju kanë çuar drejt këtij profesioni. Rikthehemi në një kohë kur pranimet në universitete ishin tepër të limituara krahasuar me ato të ditëve të sotme. Mbi çbaza bëhej përzgjedhja e nxënësve që do të pranoheshin në fakultete rreth atyre viteve dhe çtë reja sillte jeta studentore e atyre që e fitonin këtë status?

- Profesioni im është inxhiniere mekanike, profili impiante. Shtysë për zgjedhjen e këtij profesioni, fillimisht jo shumë i dëshiruar nga ana ime, por që me kohë u bë i dashur për mua, ka qenë babai im, të cilit i jam shumë mirënjohëse për insistimin që të zgjidhja këtë degë. Duke qenë inxhinier i diplomuar në Bashkimin Sovjetik dhe më pas duke punuar me devotshmëri në vepra të rëndësishme në vendin e tij, ai dëshironte që unë të bëhesha si ai. Pasi mbarova shkollën e mesme industriale “7 Nëntori” me mesatare shumë të lartë, kërkova të më jepej mundësia të ndiqja studimet e larta në një nga 3 degët: shkencat politike-juridike, inxhinieri mekanike dhe merceologji, kushte për pranimin në universitet. Me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Tiranës të asaj kohe mu dha e drejta e studimit në degën mekanike, pranë Fakultetit të Inxhinierisë në Universitetin e Tiranës. Për hir të së vërtetës, nuk është se isha shumë e gëzuar për degën që më doli, por gjithsesi isha e lumtur që mu dha mundësia për të vijuar universitetin. Flasim për një kohë që në ndryshim nga ditët e sotme, ku çdo gjë është e liberalizuar, pranimet në universitete ishin me planifikim. Me vajtjen në fakultet për mua filloi një jete e re. Fakulteti që unë ndiqja ishte mjaft i vështirë. Kërkohej mjaft punë dhe impenjim. Duke qenë shumë të ngarkuar me detyra kursi dhe projekte, mbetej shumë pak kohë, për të mos thënë aspak, për aktivitete të tjera argëtuese.

- Çfarë ndodhi pasi mbaruat studimet e larta? Si vijoi më tej karriera profesionale dhe si ka ndodhur afrimi juaj me botën e mësimdhënies në këtë profil arsimor?

- Mbarova studimet e larta në korrik të vitit 1990 dhe në gusht 1991 fillova punë në Ndërmarrjen e Frigoriferit nr. 2 në Tiranë si inxhiniere mekanike, fillimisht në repartin mekanik e më pas në degën teknike të saj. Në vitin e vështirë 1997 kalova në një aktivitet timin privat. Më pas mu propozuan dy oferta për punë në sektorin shtetëror. Pasi konkurrova, fitova në të dyja. Më duhej të zgjidhja dhe gjykova se mësimdhënia në një shkollë profesionale me lidhte më shumë me profesionin tim. Kështu që në tetor të 2003 filloi punë si mësuese në shkollën teknike elektrike në Tiranë. Ishte shkolla nga e cila kishte prejardhjen edhe profesioni im shumë vjet më parë. Që nga tetori 2008 unë drejtoj këtë shkollë.

- Shpesh kemi dëgjuar të themi se nga pikëpamja e shkollimit ndërmjet këtyre dy periudhave kohore qëndron një distancë e madhe (para dhe pas viteve 90). Si ndikonte kjo distancë në krijimin e raportit mësues-nxënës apo pedagog–student krahasuar me atë të ditëve të sotme?

- Periudha kur unë kam ndjekur studimet, përpara viteve 90, figura e mësuesit apo e pedagogut ishte mjaft autoritare dhe e ngurtë, megjithëse vitet e fundit filloi diçka të ndryshonte në veçanti me pedagogët që kishin studiuar jashtë vendit. Këta të fundit mundoheshin të na jepnin njëfarë lirshmërie në komunikimin me ta. Ndërsa sot gjithçka është ndryshe. Nxënësit apo studentët janë të lirshëm, komunikojnë lirisht, flasin hapur me mësuesit e tyre, bashkëbisedojnë për mësimin, por edhe për çështje të tjera jashtë tij. Puna me nxënësit është sa e bukur aq dhe e vështirë. Gjatë ditës më duhet të luaj shumë role, që me sjellin strese, por në të njëjtën kohë dhe kënaqësi. Në raportet me nxënësit kam parasysh faktin se fëmijët janë qenie në zhvillim dhe zhvillimi i tyre nuk është i njëtrajtshëm. Në shkollë adoleshenti kalon një pjesë të rëndësishme të kohës dhe efektiviteti i përfitimit prej saj është më i madh. Optimizmi i jetës dhe i moshës nxit tek adoleshentet aktivitetin dhe gjallërinë. Marrëdhëniet me nxënësit, kur shoqërohen me afërsinë dhe ngrohtësinë e komunikimit, bëhen me solide dhe të qëndrueshme.

- Vitet e fundit edhe arsimi profesional po merr një rëndësi të veçantë edhe në vendin tonë. Me çfarë ndryshimesh po përballet?

- Gjatë viteve të fundit në arsimin dhe formimin profesional të Shqipërisë po kryhen reforma të rëndësishme për ta bërë atë më tërheqës më cilësor dhe më pranë botës së punës. Reforma në arsimin dhe formimin profesional po konsiderohet e rëndësishme gjithnjë e më shumë. Kjo lidhet edhe me zhvillimet në arenën ndërkombëtare, si procesi i Kopenhagës, ratifikimi i Kornizës Evropiane të Kualifikimeve etj, ku jepen orientime të qarta për arsimin dhe formimin profesional që ndiqen nga qeveritë evropiane. Arsimi dhe formimi profesional në Shqipëri po merr rolin dhe vëmendjen e duhur jo vetëm nga partnerët e përfshirë në të, por dhe nga ofruesit dhe përftuesit e AFP-së. Sistemi i AFP-së në Shqipëri po përballet me sfida dhe vështirësi, të cilat kërkojnë një bashkëpunim dhe midis të tjerash edhe një koordinim midis arsimit profesional, shkollave teknike profesionale, formimit profesional, me sasinë dhe cilësinë e ofertës për AFP-në. Duke ndjekur hapat dhe tendencat evropiane, Shqipëria po bën përpjekje drejt një kornize kombëtare të kualifikimeve, që do të jetë në përputhje të plotë me Kornizën Evropiane të Kualifikimeve. Pas shtimit të kohëzgjatjes së arsimit të detyruar nga 8 në 9 vjet, shkollimi sistemi i arsimit të mesëm teknik profesional zgjat 4 vjet. Reforma e sistemit ekzistues të arsimit dhe formimit profesional po shkon në rrugën drejt një sistemi të bazuar në kompetenca. Objektiva kryesore e kësaj reforme është rritja e përqindjes së tërheqjes së nxënësve në këtë lloj arsimimi.

- Aktualisht deri në çstad mund të themi se ka arritur zhvillimi i arsimit profesional, e veçanërisht ai i profilit teknik elektrik?

- Një ndër veprimtaritë që synojnë rritjen e cilësisë në AFP, pjesë e së cilës është edhe shkolla teknike elektrike, janë zhvillimet kurrikulare, përmirësim dhe përshtatje. Arsimi i mesëm teknik profesional dhe në veçanti në drejtimet elektroteknik dhe elektronike të shkollës sonë është i organizuar në 3 nivele: 1) drejtimi i kualifikimit - zgjat 2 vjet dhe përgatit apo certifikon ndihmës teknik. 2) profili - zgjat 1 vit, përgatit teknik; 3) profil i thelluar, që zgjat 1 vit dhe certifikon teknik menaxher. Kjo strukturë është fleksibel, lejon ndryshime të pjesshme dhe është më e përshtatur me dinamiken e tregut të punës. Në përfundim të çdo niveli nxënësi pajiset me certifikatë aftësie profesionale dhe në përfundim të katër vjetve pajiset me certifikatë të aftësive profesionale dhe dëftesë, që e lejon të ndjekë studimet në arsimin e lartë.

- Cili është vlerësimi juaj për ndryshimet e shumta që po i bëhen sistemit arsimor? A ju duket se përfaqësimi i arsimit profesional po zë vendin e duhur? Nëse jo , cilat do të ishin disa prej rekomandimeve tuaja në këtë drejtim? Po në drejtim të cilësisë dhe kurrikulave mësimore që përdoren sot çmund të themi?

- Misioni i shkollës profesionale është të japë kualifikime profesionale. Për këtë dokumentet tona kurrikulare në nivel shkolle janë hartuar nga mësuesit inxhinierë të shkollës sonë. Projekti “CARDS AFP - mbështetje për reformën në arsimin dhe formimin profesional”, financuar nga Bashkimi Evropian mbështetur në Procesin e Kopenhagës, Strategjinë e AFP-së, Strategjinë Kombëtare të Arsimit, Strategjinë e Punësimit dhe Formimit dhe programet donator për AFP-në në Shqipëri, ka mbështetur thellimin e reformimit të arsimit dhe formimit profesional, mes të tjerash edhe nëpërmjet mbështetjes direkt të shkollës teknike elektrike me pajisje, trajnim stafi drejtues dhe mësimor dhe zhvillim të kurrikulave. Ky projekt në bashkëpunim me mësuesit specialist të shkollës sonë si dhe me ekspert të Agjencisë Kombëtare të Arsimit dhe Formimit Profesional, ka mbështetur analizën e profesioneve të profilit elektroteknik. Një prej synimeve kryesore të politikes arsimore është ruajtja e niveli të atraktivitetit të AFP-së, por gjithashtu edhe zgjerimi dhe zhvillimi i mëtejshëm i tij për të arritur një shifër sa më të lartë të nxënësve të regjistruar në sektorin e AFP-së. Një hap i parë për realizimin e këtij synimi është kryer me vendosjen e kurrikulës së re të sistemit 2+1+1. Përpjekjet për të rritur pjesëmarrjen në arsimin profesional, për ta bërë AFP-në sa më tërheqëse janë të mëdha. Shihet një tendencë në rritje të interesit për të vazhduar këtë lloj arsimi në përgjithësi dhe në veçanti për degët e ofruara nga shkolla jonë (elektroteknike, elektronikë, teknologji komunikimi dhe informacioni), profile këto të kërkuara mjaft nga tregu i punës.

Një praktikë e suksesshme rezulton ajo e përdorur nga mësues dhe nxënës të shkollës, duke paraqitur te nxënësit e shkollave 9-vjeçare materiale të ndryshme (CD, fletëpalosje, postera), ato çka ofron shkolla jonë dhe mundësitë që ajo jep për sigurimin e punësimit në të ardhmen. Gjithashtu lidhja dhe bashkëpunimi i shkollës me kompani shtetërore dhe private ka ardhur duke u rritur. Ky bashkëpunim është parë nga ne si një domosdoshmëri për rritjen e cilësisë së arsimit të nxënësve, nga njëra anë, duke pasur parasysh teknologjinë bashkëkohore të avancuar që përdoret nga bizneset, por edhe mundësinë për punësimin e nxënësve në të ardhmen në këto kompani, siç edhe ka ndodhur.

- Matura shtetërore tashmë është bërë një traditë për selektimin e nxënësve që mund të vijojnë studimet e larta në universitetet publike. Si ka rezultuar ky proces për nxënësit e shkollës tuaj?

- Tashmë matura shtetërore është konsoliduar dhe ka treguar se është një proces pozitiv për vazhdimin e shkollimit të mëtejshëm pas përfundimit të shkollës së mesme. Edhe për nxënësit e shkollës sonë ky proces është i njëjtë si për nxënësit e gjimnazeve të tjera. Në planet mësimore të shkollave profesionale është bërë kujdes që në përfundim të 4 vjetve në këto shkolla për lëndët e formimit të përgjithshëm të realizohen rreth 72 për qind e kurrikulës bërthamë të gjimnazeve (3 vjet). Gjithashtu lëndët gjuhë, letërsi dhe matematikë zhvillohen me program të plotë të kurrikules bërthamë, gjë që siguron hyrjen në provime të detyruara. Numri i nxënësve të shkollës sonë që janë pranuar në universitete ka ardhur çdo vit duke u rritur. Përfitoj nga rasti të them me bindje se çdo nxënës që studion në shkollat profesionale dhe në veçanti në shkollën teknike elektrike të Tiranës do të ketë një të ardhme të sigurt.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›