Alergjitë, ja faktorët që i shkaktojnë dhe masat që i parandalojnë
Shpesh në vëzhgimet e kryera nga gazeta SOT në spitalin pediatrik është vënë re shtimi i numrit të fëmijëve me alergji e me sëmundje të rrugëve të frymëmarrjes. Vetëm në një fundjavë numri i personave me simptoma që kanë shumë probabilitet të shkaktojnë sëmundjen e astmës, ka arritur në shifra tejet
problematike. Këto shifra kanë arritur kulmin kur brenda një paraditeje në pavijonin e alergologjisë numri i pacientëve të shënuar në regjistrat e këtij pavijoni, kanë arritur deri në 100 të tillë. Por sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes shkaktohen më së shumti tek fëmijët simptomat e të cilëve fillimisht janë rrufë, djegie sysh, temperaturë e sekrecione nga hundët. Sipas mjekut alergolog në QSUT, Mehmet Hoxha 30-40 për qind e shqiptarëve është i evidentuar me sëmundje alergjike. Sipas specialistit Hoxha, prevalenca e astmës në vendin tonë rritet me 5% në vit. Vetëm gjatë tre viteve të fundit sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë apo Organizata Botërore e Shëndetit është parë një rritje problematike e sëmundjeve të frymëmarrjes e sidomos rasteve me astmë bronkiale. Ndër të tjera mjeku Hoxha këshillon të gjithë personat të cilët kanë shenja të rrufës sesi mund të shmangin astmën e sigurt e të gjitha këshillat për këtë sëmundje që po kthehet në rrezik jo vetëm për Shqiptarët. Sipas mjekut Hoxha edhe në botë simptomat e sëmundjes së astmës janë kthyer tashmë në një përcaktim si Epidemia e Shekullit të XXI. Sipas tij, gjithnjë e më tepër në ditët e sotme me dhjetëra studime flasin për një rritje të sëmundjeve alergjike në të gjithë botën dhe gjithnjë e më tepër po popullarizohet shprehja se kemi të bëjmë me një Epidemi të Shekullit të XXI. Të dhëna nga Evropa, Australia, Afrika, Amerika e Veriut tregojnë se ka ndryshime të rëndësishme në epidemiologjinë e sëmundjeve alergjike. Ajo që vlen të theksohet është se për OBSH është i rëndësishëm fakti se po evidentohen rritje të dukshme e sëmundjeve alergjike në moshën e fëmijërisë dhe në adoleshentë më shumë sesa në grupmoshat e tjera, e cila përveç problemit të madh shëndetësor ka dhe një kosto të madhe ekonomike dhe sociale. Sipas studimeve botërore nga ekspertët e sëmundjeve respiratore rreth 300 milionë njerëz vuajnë nga astma bronkiale në botë dhe 1 ne 4 fëmijë sot vuan nga Astma. Rritja e prevalencës së sëmundjeve alergjike në përgjithësi dhe i astmës alergjike në veçanti janë bërë shkak i rëndësishëm i mungesave në shkollë e punë, shpenzimeve shumë të larta për kujdesin shëndetësor dhe rreth 1 milion vdekje për çdo dekadë ( Global Initiative for Asthma; GINA).
Ndotja
Sipas mjekut një prej shkaqeve të sigurta që shkakton sëmundjet e frymëmarrjes e sidomos astmën është ndotja e ambientit e cila ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në thellimin e rrufës e bllokimin e tyre e në fillimin e sëmundjes së astmës. Për rritjen e sëmundjes së astmës, është bërë evidente se qytetarët duke bërë një stil modern jete, janë nën ndikimin e ndotjes së ajrit nga djegia e karburantit të makinave, dhe jetojnë në zona ku ka dendësi të lartë popullate, të cilat në mjaft raste krijojnë një mikroklime mjaft të favorshme për rritjen e pluhurit të shtëpisë apo të myqeve. Dermatiti Atopik në vendet e zhvilluara prek 10-20% te fëmijëve, rrufa alergjike prek nga 10-40% të popullatës. Astma është një sëmundje kronike e cila sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) është e rënditur në vendin e 6 duke u bërë kështu një barrë për individin (adultë e fëmijë), për familjen e ekonominë.
Trajtimi
Me trajtimin e duhur kontrollli i Astmës arrihet nga pjesa më e madhe e pacientëve astmatike. Astma quhet e kontrolluar kur pacienti nuk ka simptoma të astmës. Nuk ka zgjime natën për shkak të astmës. Nuk ka nevojë të përdorë mjekim lehtësues-krize. Mundësia për të bërë një jete normale dhe për tu marrë sport. Strategjia për të arritur dhe për të mbajtur kontrollin e astmës nënkupton: Vendosjen e një marrëdhënie të shëndoshë pacient doktor. Identifikimin dhe uljen e ekspozimit ndaj faktorëve të riskut. Astma është një sëmundje kronike e mushkërive që karakterizohet nga probleme të përsëritura frymëmarrjeje dhe simptoma si mbajtje fryme, fishkëllima, shtrëngim kraharori dhe kollë. Simptomat e astmës variojnë nga koha në kohë, nga rëndesa e krizave, nga një individ në tjetrin. Trajtimi- është një problem madhor sidomos në vendet në zhvillim ku futet edhe Shqipëria ku shpesh kostoja e lartë e mjekimeve bën që pacientët të mos i marrin këto trajtime. Një ndjekje e zgjatur, e mirë, e astmës do tu mundësojë pacientëve arritjen e një kontrolli ndaj sëmundjes së tyre. Kur astma është nën kontroll, njeriu është në gjendje të bëjë një jete aktive.
Arta AGOLLI