E Diel, 1 Nëntor 2026

Edeni personal

 

Piktori shqiptar Agim Muka hap dy ekspozita personale në Milano dhe Romë. Historia biblike e zanafillës sipas përjetimeve personale

 

Mirazhet e fundit nga një vend që nuk ekziston më. Një parajsë personale, e jetuar dikur. Ku toka dhe dashuria ishin simbiozë. Në 10 prill në orën 18.00 në galerinë "Agorarte" në Milano hapet ekspozita personale e piktorit shqiptar Agim Muka, e kuruar nga Simona Vigo, nën titullin "Në kopshtin e Edenit". Një ngjarje që po komentohet në një numër të madh mediash italiane. Titulli i ekspozitës na kthen në gjenezë, në zanafillën e gjithçkaje. Por nuk bëhet fjalë thjesht për historinë e Evës dhe Adamit, por për një riinterpretim nën një këndvështrim absolut personal të tregimit biblik. Malli për paqen e thyer nga ndërhyrja e njeriut, i cili me etjen e tij materiale prishi ekuilibrin mes njeriut dhe tokës, duke provokuar luftëra dhe shkatërrime. Duke e larguar në mënyrë të pakthyeshme njeriun nga hyjnorja që është në të e duke thyer unitetin parësor mes mashkullores dhe femërores, mes dashurisë dhe tokës. Toka, jo thjesht si vendi së cilit i përkasim, por si materie, prej së cilës janë krijuar gjërat. Dhe dashuria si principi që vë në lëvizje gjithçka, që bashkon çdo gjë në harmoni edhe përmes stacionit të fundit, vdekjes. Me veprat e Mukës mund të kesh një dialog në nivele të ndryshme. Si me përrallat. Por kjo varet edhe nga mënyra e përqasjes. Ashtu si një këngëtar antik, Agimi riinterpreton histori, legjenda, duke u mbështetur në përjetimet e tij, kujtime nga vendi i lindjes, nga takimi me një realitet të ri, me njerëz të rinj, emocione të reja. Nuk ka shumë rëndësi se cili është qëllimi i tij, por të jetosh imazhet që të ofrohen si histori personale. E gjitha kjo sjellë në një mënyrë të veçantë të pikturuari, ku bëjnë pjesë edhe objekte të vërteta. Shumë e kanë krahasur veprën e Mukës me poezinë e Tagorës, pasi ato shpesh janë mallëngjyese, përmes tyre mund të thithësh aromën e luleve të thara të kamomilit, apo aromën e një dardhe të pjekur. Thelbi i punëve të reja hapet në shumë mënyra leximi përmes dy propozimeve. Me ose pa dritën e llampave të neonit, duke i bërë kështu të ndryshme edhe nga këndvështrimi formal. Teknikisht punët janë realizuar në mënyrë të tillë, që të mund të jenë të ndriçuara nga drita e llampave, që i mbështjellin me një veshje kromatike solemne. Ambienti i sallës është kthyer në funksion të konceptit artistik. Në një ambient të errët, të ndriçuar vetëm nga drita e filtruar prej punëve, vizitori gjendet i projektuar në një dimension thuajse ëndërrimtar. Në një farë mënyre, qëllimi është që të këmbehet koshienca e tij, duke u përpjekur ta fusë në tregim si pjesë aktive dhe jo thjesht si vëzhgues të distancuar nga seria e punëve. Një atmosferë disi përrallore, por që i lë punët autonome, të jetojnë një të tashme që hapet nga mundësia e interpretimit. Në çdo version, çdo punë ruan identitetin e vet dhe i takon vetë spektatorit të zgjedhë si do ta shohë dhe çfarë eksperience do të kalojë. Sallat e tjera të galerisë mirëpresin punë që përfshihen në qarkun e Kopshtit të Edenit, duke treguar një tjetër aspekt të panjohur. Ekspozita e realizuar me mbështetjen e Ambasadës Shqiptare në Romë, do të qëndrojë e hapur deri në datën 16 maj. Në të njëjtën kohë me prezantimin në Agorarte ( 3 -19 prill), në Kompleksin Viktorian në Romë hapet ekspozita e tij antologjike "Dashuri e Luftë – Akti I", me mbështetjen e Bashkisë së Romës dhe Ambasadës shqiptare gjithashtu. Agim Muka është një nga artistët e rinj shqiptarë më aktivë në Itali. Lindi në vitin 1965 në Fier dhe prej vitit 1995 jeton në Milano. Gjatë kësaj kohe, përveçse ka hapur ekspozita në galeri të njohura italiane, ka fituar një numër të madh çmimesh në konkurse të zhvilluara në Itali e më gjerë.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›