E Diel, 1 Nëntor 2026

Librazhd, gjendet i vdekur roja i pyllit

 

Bedri Belba, 45-vjeç, u gjet pa jetë mëngjesin e djeshëm nga daja i tij, në fshatin Veçan. Familja: Nuk kishte konflikte

Sipas policisë dyshimi kryesor është vdekje nga i ftohti, por po hetohet edhe për vrasje të qëllimshme

LIBRAZHD-Ishte larguar katër ditë më parë për të inspektuar zonën pyjore që kishte në ngarkim, por është gjetur i pajetë, afër një rruge në fshatin Veçan të rrethit të Librazhdit. Burime të policisë bëjnë të ditur se Bedri Belba, 45-vjeç me banim në fshatin Skroskë të komunës Qukës në Librazhd, është gjetur i vdekur mëngjesin e djeshëm, rreth 1 km larg rrugës së fshatit. Sipas policisë, ai kishte shenja të lehta gërvishtje, por ekspertiza e nxori me zemër të zmadhuar. "Dyshohet të ketë vdekur nga të ftohtët, por po hetohet edhe për vrasje të qëllimshme",- thonë burimet policore.

***

Belba, baba i tre fëmijëve, ishte inspektor pyjesh në malin e Veçanit të komunës Hotolisht. Ai ishte larguar nga shtëpia katër ditë më parë për të inspektuar zonën e mbuluar me pyje që kishte në ngarkim. Familjarët janë shqetësuar pasi kanë kaluar dy ditë nga largimi nga shtëpia dhe ai nuk po bëhej i gjallë. Sipas kodit të lënë më parë familjarët duhet të interesoheshin për të vetëm pasi të kishin kaluar dy ditë nga largimi nga shtëpia. Edhe këtë radhë familjarët kanë telefonuar pas kalimit të dy ditëve. Por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. Më tej, familjarët janë interesuar tek të afërmit dhe miqtë në zone, nga të cilët kanë marrë përgjigje negative. Ky fakt i ka shqetësuar më tepër, ndaj ata kanëkryer denoncim në polici dhe kanë kërkuar ndihmë për gjetjen e tij.

***

Kufoma e Bedri Belbës është gjetur nga daja i tij, Shaqir Korani, me banim në Veçan të komunës Hotolisht. Sipas Shaqirit, atë ditë ai ka ngrënë drekë tek një miku i tij, Lutfi Gjylaska. Pas dreke është nisur për të qëndruar për darkë tek daja, por nuk ka mbërritur kurrë, pasi ka vdekur gjatë rrugës. Pas dy ditësh kanë telefonuar familjarët dhe më pas është njoftuar policia. Mësohet se një polic ka shoqëruar Shaqir Koranin. Sipas burimeve policore, viktima është gjetur i vdekur, me baltë dhe më shenja në fytyrë. Më pas kanë ardhur ekspertiza dhe grupi hetimor. Familjarët janë shprehur se ai nuk kishte konflikt me askënd, madje njihej dhe respektohej në tërë zonën. Ndërsa lidhur me marrëdhëniet në punë ata nuk dinë asgjë. Sipas uniformave blu, Bedri Belba dyshohet të ketë vdekur nga të ftohtit.

***

Hetuesit kanë konstatuar në vendngjarje se trupi i kufomës ka qenë me baltë dhe me dy shenja në pjesën e përparme të ballit. Gërvishtje të lehta ka pasur në të gjithë trupin. Paraprakisht mendohet se Bedri Belba ka humbur jetën si pasojë e ndonjë ataku kardiak për shkak të të ftohtit. Ndërsa pista e dytë është ajo e vrasjes së qëllimshme. Sipas mjekut ligjor Altin Kënuti, nga ekzaminimet e kryera ka rezultuar se kufoma ka pasur gërvishtje dhe shembje të lehta, të cilat nuk mund të cilësohen si shkaktare të vdekjes.Nga ekzaminimi i organeve është konstatuar zemër e zmadhuar mbi normën. Një tjetër dyshim është ndonjë hemorragji cerebrale e diktuar nga alkooli dhe të ftohtët. Por për të marrë një përgjigje më të plotë për arsyet e vdekjes janë marrë kampione nga trupi i tij, të cilat do t'i nënshtrohen ekzaminimeve më të hollësishme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›