E Diel, 1 Nëntor 2026

Perçja politike e Satrapit

 

Shfaqet premierë në Tiranë, në Javën e Frankofonisë, "Persepolis" filmi që provokon botën arabe. I ndaluar në Iran

 

"Persepolis", një film i komentuar si ultra politik dhe "islamofob" edhe pse nën petkun e mediumit të animacionit, shfaqet premierë në Tiranë, pak muaj pas kandidimit për Oskar. Emri i tij mori dhenë pas vlerësimit në Festivalin e Kanës 2007 me Çmimin e Jurisë. Në një nga ditët e Pranverës Frankofone që ka filluar në Shqipëri prej 17 marsit, dhe pikërisht më 3 prill, të enjten, ora 19.00, filmi francez i Marjane Satrapit dhe Vincent Paronnaud-së, shfaqet në kinemanë e Akademisë së Filmit "Marubi" në Tiranë.

Më zërat eKaterinë Dënëv, Kiara Mastrojani, Daniel Darjë rrëfehet historia, e mbështetur në librin autobiografik me të njëjtin titull i Marjanë Satrapit, autore franko-iraniane. Në fakt kjo është biografia e Satrapit në vendlindjen e saj.

I trajtuar si një film artistik me metrazh të gjatë, 1 orë e 35 min. na çon në Teheranin e vitit 1978. Marjana është 8 vjeç, e lindur dhe edukuar në një familje intelektualësh e përfshirë në lëvizjet social-komuniste në Iran, para revolucionit islamik. Vajza e vogël bëhet dëshmitare e rënies së regjimit të Shahut dhe më vonë, dëshmitare e viteve të para të luftës Iran-Irak.

Por jemi në momentin kur disa simbole të jetës së përditshme të besimit mysliman si veshja e gruas, janë, me vendosjen e Republikës Islamike, nën kontrollin e të quajturve "komisarë të revolucionit". Nuk përjashtohet nga ligji i mbajtjes së perçes as Marjana e cila e rritur në një ambient demokratik në shtëpinë e saj, ëndërron për revolucionin. Lufta kundër Irakut i vë përballë humbjes së të afërmëve, xhaxhallarë, miq, ca në burgje, e ca të thyer nga ligjet e mollahut. Por "Persepolis" emër ky që i takon kryeqytetit të lashtë të Persisë i ndërruar nga Dariusi I, nuk pretendon të bëjë portretin e një brezi. Të paktën kështu e cilëson një pjesë e kritikës: një film që ka sjellë në ekran vetëm autoportretin e një gruaje të re. Është pra një autobiografi e animuar që shtrihet dhe përtej Iranit, në vendet ku Mariana do të vijojë formimin e saj, në vende evropiane si Austria ku ka për t'u përballur me çështjet e lirisë, dashurisë, të mërgimit, vetmisë.

Në këtë kuptim "Persepolis" është vlerësuar për elasticitetin e të rrëfyerit, si një model jo i zakontë për një film në dydimensional, që rri "ndërmjet tragjedisë historike dhe komedisë familjare, ndërmjet dramës të parë me sytë e një fëmije dhe satirës sociale."

Pjesa tjetër e kritikës e vlerëson rrëfimin e kujtimeve të Satrapit si histori që i përket gjithë brezit të saj, që ashtu si ajo ka qenë viktimë e mallkimit të vjetër: "Jetofshi në kohë interesante".

I kritikuar nga autoritetet iraniane për përshkrimin e revolucionit islamik, filmi i animuar franko-iranian "Persepolis", së fundi, dy ditë më parë nuk është autorizuar për të dalë në ekranet libaneze, duke provokuar kritika në vend.

Qysh kur doli për herë të parë në ekran në Francë, nuk do t'i shpëtonte vëmendjes së politikës së Iranit. Qeveria e presidentit iranian, Mahmud Ahmedinexhad do ta cilësonte "islamofob" dhe "anti-iranian", megjithatë një variant i censuruar është shpërndarë, në vend.

Autorja e tij, Marjanë Satrapi, sot në Paris ku punon si ilustratore dhe autore e librave për fëmijë.

Gjatë "Pranverës së Frankofonisë" e cila mbyllet më 30 prill, në kinemanë e Akademisë Marubi do të shfaqen më 31 mars "Fati", komedi dramatike nga Youssef Chahine, prodhim franko-egjiptian; më 1 prill "Shmangia" (2004) e Abdellatif Kechiche, komedi dramatike franceze dhe më 2 prill, në të njëjtën orë, 19.00, "Bernie" (1996), komedi dramatike nga Albert Dupontel.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›