E Diel, 1 Nëntor 2026

Edgar Çani: Po mësoj çdo ditë nga kampionët që ka Palermo

Edgar Çani nuk ka shijuar ende Serinë A, por vazhdon të përgatitet çdo ditë me skuadrën e Palermos për ta bërë realitet një gjë të tillë. Në një intervistë të dhënë për "Albaniasoccer.com", futbollisti shqiptar tregon ndryshimin mes Serisë C dhe Serisë A, si dhe atë që përjeton çdo ditë duke u stërvitur përkrah kampionëve te skuadra e Palermos. "Është një ëndërr që po bëhet realitet. Këtu çdo gjë është perfekte, nga detaji më i vogël deri te më i rëndësishmi. Të bësh stërvitje me lojtarë të tillë si Amauri, Mikoli, Kavani ose me kampionët e botës, Zakardo dhe Barzalji, është një mrekulli për një lojtar të ri si unë. Thjesht të shikosh se si kryejnë stërvitje ata është një mësim pa fjalë, e jo më të bisedosh me ta e të marrësh mendime, sugjerime e shumë herë këshilla që më ndihmojnë shumë. Debutimi? Normalisht që e pres me padurim atë ditë, por për momentin jam më se i kënaqur me kaq. Pastaj këtu bëhet fjalë për Serinë A dhe jo për Serinë C. Në kategoritë e ulëta lojtarët e rinj kanë më shumë hapësira. Sa më tepër të ngjitesh në kategori, aq më tepër lojtarë të mirë dhe me eksperiencë gjen dhe natyrisht hapësirat për lojtarët e rinj janë të vogla. Te Palermo edhe gjëja më e vogël ka rëndësinë e vet dhe ndiqet me kujdes nga pjesëtarët e ekipit. Çdo gjë shikohet me lupë. Çdo lëvizje, çdo pasim, çdo goditje, gjithçka. Në kategoritë më të ulëta nuk ka aq shumë sy që të ndjekin dhe padiskutim që ka edhe faza toleruese për ndonjë gabim ose ndonjë pas të tepruar apo veprim të gabuar", u shpreh ai. Çani ka bërë të ditur se është i shqetësuar për pezullimin e Shqipërisë, që ka shtyrë përkohësisht edhe debutimin e tij me fanellën e përfaqësueses U21. "E kam dëgjuar dhe më vjen shumë keq. Shpresoj që çdo gjë të zgjidhet në të mirën e futbollit. Erdhi ftesa e përfaqësueses U21, por nuk pata mundësi të kontaktoja drejtuesit e federatës shqiptare, sepse erdhi pezullimi. Dëshira ime më e madhe është të luaj për ngjyrat e kombit tim, por unë duhet më parë të konsultohem me drejtuesit e Palermos. Për këtë do të shohim në të ardhme, por kryesorja është që Shqipërisë t‘i hiqet pezullimi sa më shpejt", përfundoi ai.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›