E Diel, 1 Nëntor 2026

Pas batutës: "Tirana më e fortë me 9 vetë"

Një deklaratë që tërheq vëmendje kjo e trajnerit të Tiranës, Sulejman Mema, pas ndeshjes me Elbasanin. "E patë çfarë ndodhi? Tirana luan më mirë me 9 futbollistë, se sa me 11. Ka qenë një përmbysje plot sakrificë...". Do të ishte akoma më mirë që trajneri Mema të zbulonte edhe një meritë tjetër të ekipit të tij: jo vetëm se ishin me 9 futbollistë dhe në disavantazh, por edhe pa trajner! Këtë javë Mema ka qenë i dënuar për shkak se një javë më parë mori "kartonin e kuq" në ndeshjen me Shkumbinin. Por ky privim ka pasur një fund të lumtur për bardheblutë. Le të kthehemi përsëri te fjalët e trajnerit Mema: "Nuk ka dyshim se në kthesën që mori ndeshja ndikuan edhe 3 ndërrimet që u bënë. Kështu që merita është e të gjithëve...". Kjo frazë ka një nëntekst të qartë: ka meritë edhe trajneri. Sipas logjikës, kur humbisni mendoni se më shumë është faji i trajnerit, ndërsa kur fitoni pse ju duket se është vetëm kontributi juaj! Kurse një Sulejman tjetër, në stolin e Tiranës, Starova, kritikohej nga futbollistët si trajner që humbjen nuk e pjesëtonte drejt midis grupit. Aq sa Devi Muka shpesh ankohej se "kur fitonin, futbollistët vinin pas tij".

Kthehemi te ndeshja e së shtunës. Çfarë ka ndodhur në pjesën e dytë? Edhe pse kampionët kanë djersitur më shumë, nuk mund të injorohet fakti se Elbasani dhe trajneri Alimehmeti e kanë ndihmuar përmbysjen. Pas kësaj ndeshjeje, ku presidenti Laze kishte 100 arsye të rebelonte, Alimehmeti komenton: "Nuk falet që 11 futbollistë të dorëzojnë ndeshjen përballë 9 futbollistëve". Por edhe ai vetë ka pjesën e tij në atë dorëzim gjurmëlënës. Për një trajner profesionist nuk është e këndshme që të humbasë një ndeshje të fituar, kur Tirana drejtohej me telefon nga tribuna. Po, po, ndeshja që dukej e fituar, papritur ndryshoi rrjedhën. Edhe futbollisti i talentuar Hyka ka përjetuar momente protagonisti. Jo vetëm ka provuar shijen e një goli që plotëson talentin e tij, por edhe ka bindur se di edhe të shënojë. Nuk flet shpesh, por këtë herë i lejohet: "Nuk ndodh çdo ditë në futboll që 9 futbollistë të luajnë më mirë se 11. Ka qenë një fitore me shumë vuajtje. Disa nga shokët duhet të reflektojnë". Më siguri fjala është edhe për francezin Mohelebi, që u parashikua si futbollist i zoti në mesfushë, por deri në këto momente duket sikur do të ketë punë vetëm me arbitrit. Kjo përmbysje me Elbasanin ka bërë bujë në gjirin e kampionëve. Është marrë si model i një ndeshjeje me dy fytyra. Një 45-minutësh zhgënjyes, teknikisht dhe moralisht. Dhe vjen pjesa e dytë, ashtu siç kishte dashur trajneri Mema. Një përmbysje fatlume kur kujton se donatorët kanë qenë gati për të pasuruar listën e trajnerëve viktima. Një nga të katërt, Agron Papuli, ai që flet më pak se kolegët, ka bërë humor pas ndeshjes: "Po sikur ta provojmë edhe ndeshjen tjetër me 9 vetë dhe me trajner në tribunë"!



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›