E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edgar Çani debuton në Serinë A: Një ditë e paharruar për mua

Edgar Çani debuton në Serinë A italiane dhe bëhet sulmuesi i tretë shqiptar që aktivizohet në elitën e futbollit italian gjatë këtij sezoni. Në minutën e 73-të të takimit ku Palermo barazoi pa gola në fushën e saj me Atalantën, 19-vjeçarit shqiptar i është dhënë shansi që të luajë në një nga kampionatet më të forta në botë. Tekniku Kalantuono vendosi që t‘i japë këtë kënaqësi Çanit, i cili gjatë merkatos së janarit u transferua nga Peskara, duke e hedhur në fushë në vend të Kavanit. "Jam shumë i emocionuar, pasi debutimi ishte një ëndërr që u kthye në realitet", tha sulmuesi i kombëtares Shpresa, të drejtuar nga Artan Bushati. "Që kur kam filluar të luaj futboll në Itali kam menduar për këtë ditë. Është një ditë e paharruar për mua. Kur pashë trajnerin Kalantuono që më bëri shenjë të përgatitesha për t‘u futur në lojë, u karikova së tepërmi". Në radhët e Palermos militon edhe shqiptari tjetër, Saimir Ujkani. Megjithatë, sezoni i portierit është mbyllur, pas një frakture në dorë. Sezonin e kaluar, në Serinë A debutoi një tjetër sulmues i ri shqiptar, Xhuljan Rudho, i cili ishte pjesë e Kievos. Ai ka luajtur disa minuta në "San Siro", në takimin që veronezët zhvilluan me Milanin.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›