E Diel, 1 Nëntor 2026

Edhe Brukseli premton dhënien e shpejtë të ftesës për anëtarësimin në BE

Komisioni Evropian do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e kryerjes së reformave, në mënyrë që të synojë integrimin në BE. Këtë garanci ka dhënë Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso gjatë takimit me kryeministrin Berisha. Barroso deklaroi se megjithë progresin ndër vite të Shqipërisë, ende nuk një datë konkrete për anëtarësimin në BE, por KE do t’i japë një ndihmë të çmuar Shqipërisë, si financiarisht ashtu edhe në fusha të tjera. “Siguroj kryeministrin Berisha për mbështetjen që Komisioni Europian do t’i japë Shqipërisë si financiarisht ashtu edhe në fusha të tjera”, ka deklaruar Barroso, në konferencën e përbashkët për shtyp. Gjithashtu ai ka nxitur kryeministrin Berisha që të vazhdojë me reformat e nisura. Nga ana e tij, kryeministri i vendit, ka rikonfirmuar angazhimin e qeverisë për kryerjen e reformave dhe për luftën ndaj krimit të organizuar. “E informova presidentin Barroso për reformat e jashtëzakonshme politike që kemi ndërmarrë për sistemin zgjedhor, por edhe për çështje të tjera të cilat kanë pasur konsensusin më të gjërë deri më sot”, tha Kryeministri Berisha. Ai konfirmoi vendosmërinë e qeverisë në përmbushjen e reformave që do të bëjnë të mundur anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. “Jemi të gatshëm të bëjmë gjithçka që të meritojmë ftesën për t'u anëtarësuar në BE”, u shpreh z. Berisha. Ndërsa Presidenti Barroso vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në realizimin e reformave integruese, të cilat i shërbejnë gjithë popullit shqiptar. Zyrtari i lartë i BE-së përgëzoi kryeministrin shqiptar lidhur me progresin e fundit të Shqipërisë në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe hapat e mëtejshëm drejt futjes në BE. “Në momentin që Shqipëria do të realizojë reformat - mendojmë se ajo është afër anëtarësimit - dhe kjo është një çështje që varet nga implementimi i reformave", tha ai. Kreu i qeverisë bëri të ditur se nuk ka ende një datë për ratifikimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit mes Tiranës dhe Brukselit, por ndërkohë Shqipëria ka ambicien e nevojshme për të çuar përpara reformat në vend për ta merituar anëtarësimin në Bashkimin Europian, deklaratë që ka gjetur mbështetjen e presidentit të Komisionit Europian Hoze Manuel Barroso. Sipas presidentit të Këshillit të Europës Hoze Manuel Barroso, Shqipëria ka arritur suksese por ende ka shumë punë për të bërë, pasi janë një sërë reformash për të realizuar. “Përsa i takon ambicies së një vendi, nuk është që të kërkojë afate se kur do të anëtarësohet në BE, por ambicie në reforma dhe plotësimin e standardeve për të cilat Shqipëria është informuar dhe po ecën në drejitmin e duhur drejt plotësimit të tyre. Pra Shqipëria duhet të tregojë disa ambicie në përmbushjen e reformave. Masa e ambicieve është se, sa ka ecur Shqipëria në realizimin e reformave. Gazetarët me të drejtë kërkojnë datë, por për ne e rëndësishme nuk është data, për ne e rëndësishme është arritja e rezultateve dhe konfirmimi në reforma në mënyrë që Shqipëria të synojë denjësisht anëtarësimin në BE”, tha Barroso. Ndërsa kryeministri Berisha theksoi se “ne nuk kemi vendosur data, por kjo është një ëndërr për vendin tim dhe unë mbetem I zotuar të përmbush këtë detyrim”. Gjithashtu, temë e bisedimeve mes dy krerëve të lartë ka qenë edhe cëshjta e liberalizimit të vizave dhe roli i Tiranës në ballkanin perëndimor, ku ndër të tjera është diskutuar edhe për Kosovën. Barroso ka falenderuar Shqipërinë edhe per rolin konstruktiv që po luan në rajon.
Belgjika mbështet procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE/Kryeministri Sali Berisha u prit dje në një takim nga Kryeministri i Mbretërisë belge, z. Ives Leterme, i cili konfirmoi se “Belgjika mbështet proçesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE”. Gjatë takimit të zhvilluar në rezidencën e kryeministrit belg, z. Leterme shprehu vlerësimin e tij pozitiv dhe të qeverisë së tij për nënshkrimin e MSA-së së Shqipërisë me BE-në si një etapë shumë të rëndësishme, e cila do të përshpejtojë integrimin e Shqipërisë në Evropë. “Belgjika do të mbështesë hapat e ndërmarra në drejtim të përmbushjes së kritereve nga ana e Shqiperisë, për t’u bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së”, thekoi kryeministri belg, i cili përshëndeti ngjarjen historike të marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO nga ana e Shqipërisë. Leterme vlerësoi se ftesa për anëtarësim në NATO erdhi si rrjedhojë e ecurisë së reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në fusha të ndryshme, në mënyrë të veçantë në atë ekonomike. Kryeministri belg vlerësoi ecurinë pozitive të reformës elektorale dhe asaj në gjyqësor, duke u ndalur veçanërisht në luftën e pandërprerë të qeverisë shqiptare kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. “Integrimi i Shqipërisë në NATO është një proces shumë i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërinë, por në të njëjtën kohë është i tilllë edhe për NATO-n dhe për rajonin në tërësi”, nënvizoi z.Leterme, i cili vlerësoi maksimalisht rolin stabilizues të Shqipërisë në rajon dhe qëndrimin e saj lidhur me zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Duke vlerësuar potencialet natyrore të Shqipërisë dhe masat e qeverisë shqiptare në ndihmë të investimeve të huaja, kryeministri belg u shpreh se kohët e fundit përfaqësues të biznesit belg dhe të kompanive me të rëndësishme belge kanë shfaqur një interes të lartë për të investuar në Shqipëri, veçanërisht në turizëm dhe energji. Kryeministri belg u shpreh se së shpejti Ministri i Jashtëm belg do të jetë në Shqipëri, në kuadër të forumit të Krans Montanës, i shoqëruar edhe nga rreth 20 përfaqësues të njohur të biznesit belg. Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet shumë te mira që ekzistojnë mes dy vendeve dhe shprehën vullnetin e tyre të përbashkët për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve në fusha me interes të përbashkët. Duke shprehur mirënjohjen e tij dhe të qeverisë shqiptare për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë si në procesin e nënshkrimit të MSA-së me BE-në, ashtu dhe në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, Kryeministri Berisha theksoi se këto dy projekte vazhdojnë të mbeten përparësitë më madhore të qeverisë shqiptare. Në funksion të realizimit të këtyre dy projekteve të rëndësishme dhe plotësimit të të gjitha kritereve për integrim në NATO dhe BE, u shpreh Kryeministri Berisha, qeveria shqiptare mbetet thellësisht e angazhuar dhe e vendosur në luftën me zero tolerancë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se si rezultat i kësaj lufte rreth 900 anëtarë dhe bosë bandash kriminale janë vënë para drejtësisë, duke bërë që Shqipëria të shënojë indeksin më të ulët të krimit në Evropë. Kryeministri Berisha e njohu homologun e tij belg dhe me masat e ndërmarra nga qeveria për të luftuar korrupsionin, si nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit, shkurtimi i shpenzimeve administrative, digjitalizimi i një sërë procedurave të rëndësishme, të cilat kanë rritur ndjeshem transparencen. Për sa i përket reformave të rëndësishme për vendin, Berisha nënvizoi se po ecet në rrugë të mbarë me reformën në drejtësi dhe në reformën elektorale, në bashkëpunim edhe me opozitën. Kryeministri Berisha e njohu homologun e tij belg me përpjekjet e vazhdueshme të qeverisë në drejtim të përmirësimit në vazhdimësi të klimës ndaj biznesit, duke siguruar se investitorët belgë do të gjejnë në Shqipëri të gjithë sigurinë dhe lehtësitë për zhvillimin e bizneseve të tyre. Unë i ftoj, u shpreh Kryeministri Berisha, “investitorët belgë të investojnë në Shqipëri. Ata janë të mirëpritur dhe historia e investimeve të tyre në Shqipëri , me mbështetjen e qeverisë shqiptare, do të jetë një histori suksesi”. Berisha mirëpriti lajmin e ardhjes së ministrit të Jashtëm belg në Shqipëri i shoqëruar nga investitorë belgë dhe garantoi se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap për lehtësimin e punës së tyre në Shqipëri. Gjatë takimit, të dy kryeministrat diskutuan edhe për zhvillimet në rajon dhe çështjen e Kosovës. Kryeministri belg theksoi se qeveria belge do të ndihmojë institucionet e Kosovës në drejtim të progresit të tyre, ndërsa Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia e Kosovës ështe zgjidhja më e mirë në dobi të paqes dhe stabilitetit dhe se përpjekjet për të manipuluar pakicat serbe në Kosovë, nuk i shërben paqes dhe as vetë serbëve. Në takimin e zhvilluar në rezidencën e Kryeministrit belg, merrnin pjesë edhe ministri i Jashtëm shqiptar, Lulzim Basha dhe ministri i Jashtëm belg, Karel de Gucht.
Gjithashtu, Kryeministri Berisha gjatë vizitës së tij në Bruksel, u takua me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë së Zgjerimit në Komisionin Europian, Michael Leight dhe me z. Dirk Lange. Leight i shprehu Kryeministrit Berisha urimet dhe përgëzimet më të ngrohta për marrjen nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO, në Samitin e Bukureshtit. Leight u shpreh se kjo ishte në arritje e merituar për Shqipërinë dhe një njohje e të gjithë suksesit të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare në të gjitha fushat dhe për konsekuencën në implementimin e tyre. Kryeministri Berisha u shpreh se marrja e ftesës ishte një fitore historike dhe një hap shumë i rëndësishëm për sigurinë dhe prosperitetin e Shqipërisë. Kryeministri tha se qeveria shqiptare është e vendosur të ndërmarrë çdo reformë dhe nismë për zbatimin e kritereve të Kopenhagenit dhe për arritjen e integrimit të plotë në NATO dhe Bashkimin Europian, dy projektet më madhore të shqiptarëve. Kryeministri i njohu bashkëbiseduesit me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, veçanërisht me luftën me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, që kanë bërë që Shqipëria të ketë sot indeksin më të ulët të kriminalitetit në Europë, me masat e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit, si shkurtimi i shpenzimeve operative, nxjerrja e administratës jashtë konfliktit të interesit. Duke u ndalur në reformat e tjera të rëndësishme për vendin, Kryeministri tha se në bashkëpunim me opozitën po ndërmerren me sukses reformat në fushën e drejtësisë dhe atë elektorale.
Belgjika do të hapë zyrën konsullore në Tiranë/Qeveria belge ka vendosur hapjen në Shqipëri të zyrës konsullore përfaqësuese të Mbretërisë belge, e cila do të përbëjë një hap shumë të rëndësishëm në procesin e lehtësimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Lajmi u bë i ditur dje nga Kryeministri belg Ives Leterme, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Bruksel me Kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili ndodhet në Belgjikë për një vizitë dy ditore. Në këtë takim të zhvilluar në Bruksel, Kryeministri Leterme u shpreh se “qeveria belge ka si qëllim uljen e tarifave për marrjen e vizave nga qytetarët shqiptarë”. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi si një lajm të shkëlqyer hapjen e zyrës konsullore belge në Shqipëri, si një lehtësim për të gjithë shqiptarët në marrjen e vizave. Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare do të ndërmarrë çdo hap që së shpejti të shkohet drejt liberalizimit të plotë të vizave.

 Leonard Quku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›