E Diel, 1 Nëntor 2026

Regresi konstitucional

Paketa e aprovuar së fundmi nga Parlamenti, mbi ndryshimet në Kushtetutë u argumentua nga të dyja partitë e mëdha politike si e domosdoshme për të zgjidhur përfundimisht problemin e reformës zgjedhore në Shqipëri. Gjithsesi, debatet që kanë ndjekur miratimin e kësaj pakete fokusohen sidomos te mungesa e argumentimit për domosdoshmërinë e procesit të ndjekur, si dhe të produkteve ‘shtesë‘ (përtej reformës zgjedhore) që kjo paketë sjell. Në këndvështrimin e lëvizjes "Mjaft", këto dy pika janë dhe problemet themelore të kësaj çështjeje.

E patolerueshme dhe thuajse antidemokratike është mënyra e mbyllur dhe aspak gjithëpërfshirëse që është ndjekur në procesin e hartimit, diskutimit dhe miratimit të kësaj pakete që ndryshon as me shumë e as më pak, por ligjin themelor të shtetit, aprovuar me referendum popullor dhjetë vjet më parë dhe i ndryshuar tashmë nga një bashkëpunim i mbyllur dypartiak. Procedura e miratimit të Kushtetutës, por dhe rëndësia që ky dokument ka si themel i shtetit, do të kërkonin përfshirjen, konsensusin dhe miratimin e një baze sa më të gjerë aktorësh.

Shqetësuese janë sidomos dy nga propozimet: ai për mocionin e mosbesimit ndaj Kryeministrit, si dhe ai për zgjedhjen e Presidentit, të cilat në thelb ndryshojnë natyrën e shtetit në Shqipëri, duke e kthyer atë në një shtet totalisht të orientuar drejt ekzekutivit. Si të tilla duket se rrezikojnë drejtpërdrejt demokracinë dhe balancën e pushtetit në vend.

Ndryshimet që bëhen në Kushtetutë për mocionin e mosbesimit, po të shihen me kujdes, i japin një pozicion shumë të favorshëm dhe shumë më fuqiplotë kujtdo që drejton qeverinë. Neni 105 parashikonte dy procese të ndara në ndërmarrjen e një akti mosbesimi nga një grup deputetësh ndaj një Kryeministri. I pari ishte votimi për të mosbesuar Kryeministrin dhe i dyti ishte votimi për të emëruar një Kryeministër të ri. Në rast se kjo nuk ndodhte (pra nuk mund të zgjidhej një Kryeministër i ri) Kuvendi shpërndahej. Në ndryshimet e bëra, këto dy procese shkrihen në një, pra grupi që kërkon mosbesim duhet njëkohësisht të propozojë dhe të zgjedhë një Kryeministër të ri. Në rast të kundërt Kryeministri aktual (dhe pse në pakicë tashmë) do mbetej në fuqi, pasi është përjashtuar mundësia e shpërndarjes së Parlamentit. Duke pasur parasysh që një grup deputetësh që do mund të mblidhnin votat e mjaftueshme për të mosbesuar një Kryeministër do kishin, sipas shumë gjasave, një përbërje mikse prej të dy krahëve politikë, do ishte pothuajse e pamundur që i njëjti grup të binte në një mendje për të zgjedhur një Kryeministër të përbashkët. Bashkimi i këtyre dy proceseve dhe eliminimi i mundësisë për shpërndarjen e Parlamentit e kanë u ulur shumë probabilitetin që një Kryeministër të shkarkohet përmes mosbesimit në Parlament, një nga masat ligjore më efikase kjo për të ndërruar një qeveri që nuk përfaqëson më qytetarët që e kanë zgjedhur, që është jofunksionale apo që është e papërgjegjshme.

Dikush mund të argumentojë që mbrojtja e pozicionit qeverisës nuk është domosdoshmërisht negative, pasi do të siguronte një stabilitet politik. E vërtetë ndoshta kjo për vende me një demokraci të stabilizuar e me politikanë të ndërgjegjshëm, por kur flasim për një vend si Shqipëria, ku eksperiencat e kaluara kanë treguar qartë tendencën e politikanëve për të mos lëshuar kolltukun kundrejt çdo arsyeje, një betonim kaq mbrojtës ndaj postit të krye-ekzekutivit do të thoshte një hap mbrapa në procesin e llogaridhënies dhe mbajtjes së përgjegjësisë që një Kryeministër ka ndaj qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Problemi i dytë i ndryshimeve në Kushtetutë është ai që ka të bëjë me zgjedhjen e Presidentit. Deri më tani, Kushtetuta parashikonte pesë raunde votimesh ku kërkohej një shumicë e cilësuar (2/3 e deputetëve) për të zgjedhur Presidentin. Ky numër kaq i lartë votash ka të bëjë direkt me rolin që Kushtetuta parashikonte për Presidentin. Sipas këtij roli, Presidenti duhet të jetë një institucion mbipartiak dhe gjithëpërfaqësues, zgjedhja e të cilit duhet të vinte si pasojë e një kompromisi të gjerë. Pra një figurë, e cila do të respektohej nga sa më shumë palë dhe si pasojë do të shërbente për të gjetur unison politik midis mazhorancës dhe opozitës në raste apo çështje të caktuara. Gjithashtu dhe një figurë, e cila nuk do të ishte detyrimisht e varur nga dhe llogaridhënëse ndaj mazhorancës qeverisëse: pra një pushtet i pavarur. Ndryshimi i miratuar, i cili parashikon zgjedhjen e Presidentit në raundin e pestë të votimeve me shumicë të thjeshtë votash, praktikisht e shkatërron këtë pozicion dhe rol të këtij institucioni. Zgjedhja me një shumicë të thjeshtë e kthen Presidentin në një nëpunës të thjeshtë të mazhorancës qeverisëse. Ky ndryshim rrezikon krijimin e disbalancave në ndarjen e pushtetit, pasi mazhoranca parlamentare dhe pse e thjeshtë, nëpërmjet një Presidenti të tillë do të kishte kontroll të plotë mbi të gjitha shtyllat e pushtetit. Nga ana tjetër, ky ndryshim zbeh mundësinë e kompromisit apo bashkëpunimit politik midis palëve.

Nuk është hera e parë që për hir të marrëveshjes mes palëve ndryshohen me procedura të shpejtuara dhe përjashtuese ligje të rëndësishme. Mbase është koha qe ligjvënësit të sanksionojnë praktikën e njohur ndërkombëtarisht që ndryshimet kushtetuese të bëra nga një Parlament marrin vlerë zbatuese në legjislaturën pasardhëse.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›