E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Dinamo nuk ka mëshirë për Partizanin



Edhe kompanitë e basteve parashikonin një fitore të lehtë të Dinamos kundër Partizanit: 1.45, Dinamo; 6.50, Partizani.
Dhe ashtu ndodhi: kampionët në fuqi fituan 2-0 kundër nënkampioneve të sezonit të kaluar, teksa e mbyllën me dhjetë lojtarë ndeshjen, pas ndëshkimit me karton të kuq (dy të verdha) të Sabino Plakut, i cili për ironi shënoi golin e dytë të Dinamos dhe për më tepër ka dalë nga shkolla e kuqe e Partizanit.
Por ndërsa “blutë” (17-herë kampionë) ngjiten në renditje, të “kuqtë” (15 –herë kampionë) vazhdojnë të vuajnë në dy vendet e fundit të renditjes, teksa nuk i gëzohen 3 pikëve të plota në një takim qysh nga java e parë e Kampionatit të 70-të Kombëtar të Futbollit, kur fituan me Lushnjën në transfertë (0-1).
Dinamo rigjeti fitoren pas tri javësh, falë golave të Artion Poçit në minutën e 37-të pjesës së parë dhe Sabino Plakut në minutën e 73-të (Plaku u largua me karton të kuq në minutën e 83-të). Një fitore me vlerë për trajnerin kroat të Dinamos, Zlatko Daliç, i cili rehabilitoi veten pas humbjes në derbin e mëparshëm me Tiranën (2-1). Kjo ishte edhe fitorja e 40-të historike e Dinamos në 131 ndeshje historike me Partizanin, që gjithsesi ruan supremacinë me 46 fitore (45 barazime). Partizani vazhdoi serinë e rezultate të dobëta, duke pësuar humbjen e pestë në tetë javë. Formacioni i Hasan Likës mund të “mburret” të paktën me tre rekorde negative: ka sulmin më të keq të kampionatit, vetëm 4 gola në 8 takime, është i vetmi ekip që nuk ka fituar në shtëpi, por dhe i vetmi që ka shtatë ndeshje pa fituar. Ajo që e rëndon më shumë situatën e 15-herë fituesve të Kupës së Shqipërisë, është fakti se nëse Bylisi, që luan në shtëpi kundër Apolonisë fqinje, do të marrë qoftë dhe një barazim kundër fierakëve, atëherë Partizani do të “shijojë” i vetëm vendin e fundit.
Në javën e 9-të, Dinamo do të përballet me Apoloninë në Fier, ndërsa Partizani do të presë në shtëpi Shkumbinin, me synimin për të realizuar fitoren e parë shtëpiake.

Topi sjell paqen në Peqin

Të gjithë e konsiderojnë si një ndeshje në shtëpi atë midis Shkumbinit e Tiranës, kur ajo zhvillohet në Peqin. Dhe e shtuna e rikonfirmoi atë: 0-0. Por dhe në praninë edhe qytetarit numri 1 të shtetit shqiptar, Presidentit të Republikës, Bamir Topit.
Ish-presidenti i Tiranës – i pranishëm edhe në Tirana-Dinamo (2-1)- shijoi një ndeshje të qetë në fushën sportive të Peqinit, shumë larg asaj Shkumbini-Besa, dhe pa asnjë lloj presioni ndaj gjyqtarit Sokol Çekaj e pa incidente në dhomat e zhveshjes.
Ndeshja ishte thuajse e ekuilibruar, Shkumbini më mirë në pjesë nën e parë (mund të kishte shënuar në minutën e 44-të, kur goditi shtyllën pingule), ndërkohë që Tirana kryesuese pati një rast me Daniel Xhafën në minutën e 60-të. Në minutën e 80-të Turdiu goditi fuqishëm me kokë, por topin e grushtuar nga portieri i tretë i Tiranës, maqedonasi Kormodovski, nuk arriti dot ta shtynte në rrjetë Shameti. Tirana vazhdon të mbetet i vetmi ekip pa humbje në tetë javë dhe “mbretëresha e transfertave” (9 pikë në 5 ndeshje), ndërkohë që Shkumbini njohu të tre rezultatet në shtëpi gjatë këtij sezoni: në 5 takime, 3 fitore, 1 barazim e 1 humbje. Në javën e 9-të, Shkumbini (tashmë në vendin e katërt) do të luajë në Tiranë me Partizanin, ndërsa bardheblutë (gjithmonë të parët) do të presin në “Selman Stërmasi”, Besën e Kavajës.

Efekti “gjobw”, Elbasani gjen fitoren

Ndëshkimet me gjobë – 50 mijë euro skuadrës e 10 mijë euro Shetës – dhanë efektet e tyre te Elbasani. Pas dy humbjes (me Besën e Teutën) erdhi dhe fitorja e parë: 2-0 kundër Lushnjës, e para ndeshje ku verdheblutë shënojnë dy gola gjatë një ndeshje.
Renato Yshmeri (40’) dhe Merdan Kasollja (79’) ishin dhe autorët e fitores së 3-të sezonale të formacionit të Mirel Josës, që mesa duket i dha fund krizës me një “happy end”. Kjo ishte fitorja e 39-të në 80 takime historike kundër Lushnjës, formacionit që gjatë tetë javëve të para të kampionatit është i vetmi me më shumë humbje: gjashtë të tilla në tetë takime. Ndërsa Josa u largua i kënaqur nga “Ruzhdi Bizhuta”, homologu i tij te Lushnja, Saimir Malko, nuk i ka duruar dot fyerjet e tifozerisë lushnjare, pasi tani është dhe skuadra që ka pësuar më shumë gola: 12. Në javën e 9-të, Elbasani do të udhëtojë në Shkodër, ndërsa Lushnja do të presë në shtëpi Teutën, një skuadër gjithnjë e në rritje të pabesueshme.

Teuta në galop, tri fitore radhazi

Teuta drejt kreut të renditjes me hapa galopantë. Është i vetja skuadër, që në tri ndeshjet e fundit ka shijuar vetëm fitore: kundër Apolonisë (2-0), Elbasanit (1-0) e Flamurtarit (1-0). Dhe të gjitha jashtë shtëpisë zyrtare të saj, stadiumit “Niko Dovana”, pasi ndeshjet i luan në “Tofik Jashari” të Shijakut.
Flamurtarin për ironi të fatit e ndëshkoi një “pjellë” e tij, “Labi”, Shpëtim Imeraj. Topi i Vangjel Miles çau barrikadën dhe aty vlonjati i Teutës, Shpëtim Imeraj, i ndodhur brenda zonës ndëshkoi ish-skuadrën e tij në minutën e 82-të. Për t’u veçuar është dhe një moment tjetër nga ndeshja, zëvendësuesi i Flamurtartit, korçare Denis Mema u ndëshkua me karton të kuq në minutën e 87-të. Flamurtari mesa duket do të vendosë ndonjë rekord për kartonët e kuq gjatë këtij sezoni, pasi deri tani në tetë javët e para është futbollistët e tij janë ndëshkuar 6 herë me kartonë të kuq. Mesa duket efekti “Starova” te Teuta ka filluar të ndikojë në skuadrën për të cilën të gjithë dyshonin se do të mbetej në zonën e ftohtë të “play-out”. Në javën e 9-të, Teuta (tani 12 pikë) do të luajë në Lushnjë, ndërsa Flamurtari do të presë në Vlorë, Bylisin.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA 8

E shtunë, 25.10.2008

Elbasani-Lushnja 2-0
Shkumbini-Tirana 0-0
Dinamo-Partizani 2-0
Teuta-Flamurtari 1-0

E diel, 26 tetor 2008
Bylis-Apolonia 14:30
Besa-Vllaznia 14:30

KATEGORIA SUPERIORE, RENDITJA PAS JAVES VIII
N F B H GSH GP DIF PIKË

1 Tirana 8 5 3 0 10 3 +7 18
2 Dinamo 8 3 4 1 9 5 +4 13
3 Vllaznia* 7 3 4 1 9 6 +3 12
4 Shkumbini 8 3 3 2 11 9 +2 12
5 Elbasani 8 3 3 2 5 3 +2 12
6 Teuta 8 3 3 2 5 4 0 12
7 Besa* 7 3 2 2 6 5 +1 11
8 Flamurtari 8 3 1 4 6 8 -2 10
9 Apolonia* 7 2 2 3 6 8 -2 8
10 Lushnja 8 2 0 5 5 9 -4 6
11 Partizani 8 1 2 5 4 9 -4 5
12 Bylis* 7 1 2 4 5 10 -5 5
* Një ndeshje më pak

26 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›